Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për rrethin e Sarandës, deputetja Ina Zhupa, ka bërë të ditur nisjen e mbledhjes së firmave në Ksamil për organizimin e një referendumi për krijimin e bashkisë së re të Ksamilit. Në një reagim nga takimet me banorët, Zhupa tha se iniciativa vjen si përgjigje ndaj kërkesës së komunitetit për shërbime publike më pranë qytetarëve dhe një administratë vendore më funksionale.
Ajo theksoi se PD e ka përfshirë Ksamilin si bashki më vete në projektligjin e saj për reformën administrative-territoriale, ndërsa kritikoi projektin e PS-së për shkrirjen e 15 bashkive, duke kërkuar që vullneti i banorëve të merret në konsideratë.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
KSAMILI BASHKI!
Në Ksamil kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum, duke iu përgjigjur kërkesës së banorëve për krijimin e bashkisë së re.
Ky është një proces që nis nga nevoja e qytetarëve për të pasur shërbimet publike më pranë, një administratë më funksionale dhe një bashki që i përgjigjet drejtpërdrejt nevojave të komunitetit.
Partia Demokratike ka paraqitur projektligjin e saj për reformën administrative-territoriale, ku Ksamili parashikohet si bashki më vete. Këtë qëndrim e kemi mbajtur pasi kemi bërë çdo përpjekje për një reformë të përbashkët nga komisioni i reformës dhe që funksionon në interes të qytetarëve dhe jo një hartë të re administrative të vendosur për interesa politike.
Në të kundërt, PS ka paraqitur një projekt që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, pa iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve për shërbime më të afërta dhe administratë vendore më funksionale dhe pa dëgjuar zërin e tyre që e kundërshtojnë fuqishëm këtë plan.
Ksamili i ka të gjitha kapacitetet për të qenë bashki. Ka një ekonomi të zhvilluar, të ardhura të konsiderueshme nga aktiviteti ekonomik dhe turizmi, potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, një komunitet të madh banorësh dhe një peshë të rëndësishme në ekonominë e jugut të Shqipërisë.
Një Ksamil me bashki më vete do të thotë vendimmarrje më pranë qytetarit, përgjegjësi më e drejtpërdrejtë, shërbime më të aksesueshme dhe mundësi më të mëdha për të menaxhuar vetë potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj zone.
Vullneti i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të respektohet!




