Shefi i Komisariatit të Krujës, Elton Shahini, është konfliktuar në muajin korrik me një person në qytetin e Durrësit. Pamjet e konfliktit janë shpërndarë nga ish-deputeti Myslim Murrizi. Personi që shfaqet në video duke goditur me shuplakë drejtuesin e motorit, shefin e Komisariatit të Krujës, është Arjan Xheka, pronar i ish-hotelit “Mira Mare”, një prej hoteleve të shembura në Durrës pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Përplasja mes të dyve, megjithatë, nuk ka çuar në nisjen e një procedimi penal pasi edhe pse shihet duke u qëlluar, Shahini nuk ka bërë denoncim në Policinë e Durrësit. Sipas të dhënave, konflikti është konsideruar një përplasje banale mes dy personave dhe më pas është mbyllur mes palëve. Burime bëjnë me dije se në momentin e konfliktit, Elton Shahini ishte jashtë orarit të punës, gjatë fundjavës, dhe po udhëtonte me motor në drejtim të plazhit. Të njëjtat burime thonë se drejtuesi i automjetit që shfaqet edhe në video ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë dhe, teksa ka kaluar pranë tij, e ka goditur me pasqyrën e makinës.
Pas këtij momenti, mes të dyve ka pasur një përplasje verbale, e cila ka pasur me incidentin fizik. Megjithatë, në asnjë moment Shahini nuk i është kthyer me dhunë, duke mos përdorur postin që mbante. Pamjet e konfliktit janë bërë publike në rrjetet sociale fillimisht nga ish-deputeti Myslim Murrizi, çka ka çuar më pas në një reagim zinxhir në rrjet në lidhje me rastin.




