Është mbyllur protesta e 120-të qytetare kundër qeverisë, e zhvilluar këtë të diel në Tiranë, pas katër muajsh tubime të njëpasnjëshme. Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në ditën e 120-të të protestës, pjesëmarrësit shpalosën pankarta dhe hodhën slogane kundër qeverisë, ndërsa një prej mesazheve të përsëritura ishte “Edi Rama, jep dorëheqjen”. Në shesh u dëgjuan gjithashtu thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ndryshim sistemi”.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës.
Gjatë protestës, aktivistët deklaruan se nuk e konsiderojnë përfundimin e ditës së 120-të si fundin e lëvizjes. Ata kanë përsëritur se do të vijojnë tubimet dhe se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, mes të cilave është dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie tranzitore dhe ndryshime politike e institucionale.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se protesta ka nisur si kundërshtim ndaj asaj që ajo i cilëson si dhunë shtetërore, korrupsion dhe ndikim të oligarkëve në vendimmarrje. Ajo deklaroi se protestuesit do të qëndrojnë në shesh çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, duke e përshkruar 120-ditëshin si një periudhë gjatë së cilës qytetarë me bindje të ndryshme politike janë bashkuar në protestë.
Read more:“Shitet qeveria”, nis marshimi i protestuesve drejt Kryeministrisë
Edhe protestues të tjerë deklaruan se nuk kanë ndërmend të ndalen me përfundimin e 120 ditëve. Një prej tyre u shpreh se do të vijojë të jetë në protestë deri në largimin e atyre që, sipas tij, kanë dëmtuar vendin, duke ngritur shqetësime edhe për situatën ekonomike dhe sociale në Shqipëri.
Dritan Goxhaj, foli për vijimin e protestës dhe arsyet pse, sipas tij, lëvizja nuk duhet të përshkallëzohet në dhunë. Ai tha se protestuesit duhet të vazhdojnë qëndresën në mënyrë paqësore, duke argumentuar se përdorimi i dhunës do t’i shërbente pushtetit. Goxhaj theksoi se, sipas tij, “nuk ka kthim pas” dhe se qytetarët duhet të jenë të gatshëm të përballojnë edhe lodhjen e protestës.
Ndërkoh pankartat e protestuesve ironizuan edhe deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama, duke përdorur shprehjen “Knock knock” si një mesazh ndaj drejtësisë që duhet të trokasë nëdyert e Ramës. Protestuesit e lidhën këtë shprehje me kërkesat e tyre për hetimin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të qeverisë.




