Këtë të diel, Izraeli finalizoi një marrëveshje miliarda dollarëshe për t’i blerë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dy grupe avionësh luftarakë.
Kështu, Forcave të Mbrojtjes së Izraeli u shtohen avionë luftarakë shumëfunksionalë F-35 nga Lockheed Martin dhe një tjetër avion luftarak F-15IA nga Boeing. F-35, një projekt i përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe një numri aleatësh, është një nga avionët ushtarakë më të përparuar në botë dhe Izraeli tashmë operon dhjetëra të tillë.
Kjo marrëveshje ndihmon Izraelin në forcimin e superioritetit ajror, u shpreh kryeministri Benjamin Netanyahu.
Read more:Izraeli miraton marrëveshjen për blerjen e avionëve luftarakë nga SHBA-ja
“Pilotët tanë mund të arrijnë kudo në qiellin e Iranit dhe janë gati ta bëjnë këtë, nëse është e nevojshme. Gjatë dekadës së ardhshme ne do t’i shtojmë buxhetit të mbrojtjes 118 miliardë dollarë në mënyrë që të prodhojmë armë të tilla në Izrael dhe të mos jemi të varur nga furnizuesit e huaj”, u shpreh Netanyahu.
Izraeli miratoi së fundmi buxhetin e vitit 2026, i cili përfshin një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes me miliarda dollarë.
Shpenzimet ushtarake të Izraelit janë rritur vazhdimisht që nga fillimi i luftës në Gaza pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Përveç luftës së fundit disajavore me Iranin, të zhvilluar përkrah aleatit të tij, Shteteve të Bashkuara, Izraeli vazhdon të luftojë lëvizjen islamiste Hezbollah të mbështetur nga Irani në Libanin jugor.





