
Roma ka marrë një fitore të madhe në javën e 35-të të Serie A, duke e mposhtur Fiorentinën me rezultat të thellë 4-0, sukses që e mban skuadrën në garë të fortë për një vend në Ligën e Kampionëve.
Me këto tri pikë, verdhekuqtë i afrohen Juventusit në vetëm një pikë, ndërsa deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri xhiro.
Ekipi i Gian Piero Gasperinit e nisi ndeshjen me intensitet të lartë dhe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 13-të, kur Gianluca Mancini shënoi me kokë pas krosimit nga këndi të Niccolo Pisilli.
Vetëm katër minuta më pas, Roma e dyfishoi epërsinë: Wesley Franca realizoi për 2-0 pas një pasimi të mençur nga Mario Hermoso (17’).
Read more:“Shpresoj për një jetë pa dhimbje”, ylli argjentinas flet pasi doli në pension në moshën 33-vjeçare

Dominimi vazhdoi dhe në minutën e 34-t Hermoso shënoi edhe vetë, pas asistimit të Manu Kone, duke e çuar rezultatin në 3-0 që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Roma nuk u ndal. Në minutën e 58-të, Niccolo Pisilli u shfaq sërish vendimtar, kësaj here si realizator, duke shënuar me kokë pas një krosimi të Donyell Malen për 4-0.
Edhe pse Malen pati edhe një goditje në traversë (52’) dhe Roma krijoi raste të tjera, rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Read more:Scudetto i 21-të për Interin, tifozët ndezin festën me mesazhin enigmatik “14” dhe “+7”
Fiorentina pati pak momente rreziku, ku goditi edhe shtyllën në fillim të pjesës së dytë, por nuk arriti ta gjejë rrugën e golit.

Me këtë fitore bindëse, Roma jo vetëm që rrit moralin në momentin vendimtar të sezonit, por edhe e bën edhe më të ashpër luftën për Top 4, duke i vendosur presion direkt Juventusit në tri xhirot e fundit. /Telegrafi/




