
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinë, Samir Shahini, ka bërë të ditur se i ka përfunduar mandati në këtë pozitë, pas një vendimi të kryetarit Përparim Rama.
Në një njoftim publik, Shahini ka thënë se largohet nga detyra me krenari për punën e bërë gjatë mandatit të tij, duke theksuar një sërë reformash dhe projektesh në fushën e arsimit.
“Me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, mandati im si Drejtor i Arsimit përfundon këtu”, ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur si arritje vendosjen e standardeve më të larta në mësimdhënie, zgjerimin e mësimit tërë ditor në disa shkolla, si dhe investime në infrastrukturën shkollore, përfshirë renovimin e 14 shkollave, hapjen e objektit të ri “7 Shtatori” dhe ndërtimin e një çerdheje në lagjen Dardania.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është punuar edhe në digjitalizimin e procesit mësimor, ku janë shpërndarë mbi 300 tabela digjitale në shkolla, si dhe është avancuar bashkëpunimi me organizata dhe biznese përmes rreth 40 marrëveshjeve.
Read more:Ndërprerje të përkohshme të ujit në disa zona të Mitrovicës
“Ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimet e një dite, por nga qëndrueshmëria në procese. Vazhdoni, mos e ndalni ritmin”, ka theksuar Shahini në mesazhin e tij të lamtumirës.
Ai ka falënderuar mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, prindërit dhe nxënësit për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij. /Telegrafi/





