
Një metodë e thjeshtë ujitjeje ndihmon bimën të marrë vetëm sasinë e ujit që i nevojitet, pa e lagur tepër dheun dhe pa dëmtuar gjethet
A e dini cila është mënyra më e mirë për t’i ujitur bimët? Një adhurues i madh i bimëve së fundmi ka treguar se si bima mund të marrë sasinë optimale të ujit dhe si mund të mbrohen ato bimë që nuk e pëlqejnë ujin në gjethe.
Brad Canning ka zbuluar se një nga mënyrat më të mira për ujitjen e bimëve në shtëpi është metoda “nga poshtë lart”.
Read more:Këto tri lule mbillen në maj dhe e mbajnë tarracën plot ngjyra gjithë verën
Ky dizajner grafik 29-vjeçar dhe adhurues i bimëve nga Australia ka publikuar një video ku “ujit” një bimë në vazo duke e hedhur ujin në pjatën e poshtme të vazos, e jo drejtpërdrejt mbi bimë.
Kjo metodë e thjeshtë quhet “ujitje nga poshtë” dhe konsiderohet mënyrë më e barabartë e ujitjes, sepse e nxit rrënjën të rritet drejt ujit dhe të forcohet.
Në këtë rast, bimët thithin vetëm sasinë e ujit që u nevojitet, pa u mbingarkuar dheu me lagështi. Shumë persona pohojnë se kjo metodë mund të ndihmojë edhe në parandalimin e mushkonjave, të cilat shpesh shfaqen kur bimët ujiten tepër, transmeton Telegrafi.
Si bëhet ujitja nga poshtë?
“Ujitja nga poshtë. A keni dëgjuar ndonjëherë për të? Kjo ndodh kur i merrni bimët, i vendosni në ujë dhe kështu i ‘ujitni’”, ka thënë Brad në video.
“Është shumë e thjeshtë: merrni një enë me ujë dhe vendoseni bimën në të. Vetëm kujdesuni që ena të mos jetë e mbushur plot me ujë. Ka disa arsye pse duhet ta bëni këtë. Disa bimë, në fakt, nuk e duan ujin në gjethe, ndërsa me ujitjen nga poshtë ato marrin vetëm atë që u nevojitet. Uji përthithet dhe arrin në hapësirat e vogla të dheut dhe te rrënjët”, ka shpjeguar ai.
Ai sugjeron që bima të lihet në enën me ujë rreth 10 minuta.
Read more:Momenti kur aeroplanët amerikanë sulmojnë anijet cisterne iraniane
“Do ta kuptoni se bima është ujitur mirë kur, pas një kohe, dheu në sipërfaqe bëhet i lagësht. Ndonjëherë kjo mënyrë ujitjeje mund të zgjasë pak më shumë, por filloni me 10 minuta. Nëse e mbani bimën shumë gjatë në ujë, rrënjët mund të kalben, prandaj mbajeni aty vetëm derisa të ndieni lagështi në pjesën e sipërme të dheut”, ka thënë Brad.
Provojeni, nuk tingëllon aspak keq. /Telegrafi/




