Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa përmes një video dhe një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ka sjellë në vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të vitit 2025, ku rrëzoi kërkesën e depozituar nga ajo për shfuqizimin e ligjit 21/2024 për Zonat e Mbrojtura. Zhupa shprehet se kur ky institucion kishte mundësinë për të ndaluar ligjin nuk u ngrit në lartësinë e detyrës dhe kjo ka tronditur besimin e qytetarëve.
Deputetja deklaron se protestuesit janë ngritur kundër sistemit sepse edhe insititucionet e pavarura nuk funksionojnë. Ajo i bën thirrje GJK që të reflektojë pas protestave pasi çdo vendim gjykohet nga historia.
“Në këtë betejë të qytetarëve për mbrojtjen e interesit publik nuk duhet të harrojmë rolin e Gjykatës Kushtetuese. Kur kishte mundësinë dhe përgjegjësinë të ndalte ligjin 21/2024, ajo zgjodhi të mos ngrihej në lartësinë e detyrës. Me një vendimmarrje 4 me 4, ligji mbeti në fuqi dhe qytetarët mbetën pa përgjigjen që prisnin nga institucioni më i lartë kushtetues i vendit.
Pikërisht për këtë arsye dëgjohet gjithnjë e më shpesh fjala “sistem” në protestë. Sepse edhe institucionet që duhet të jenë të pavarura, fatkeqësisht nuk funksionojnë si të tilla. Qartësisht një pjesë e tyre shërbejnë si garanci e qeverisë që të mbroj abuzimin me pushtetin. Kur këto institucione nuk kryejnë misionin e tyre kushtetues, por krijojnë perceptimin e favoreve dhe qokave politike, atëherë vetë besimi i qytetarëve te shteti tronditet.
Read more:Vrasja e efektivit në Maliq, drejtori i Policisë Skënder Hita: Lamtumirë, Heroi ynë!
Rasti i Holta Zaçajt e forcon këtë perceptim. Pa qënë një ditë gjyqtare u bë kryetare e gjykatës kushtetuese dhe pa ju ftohur ende karrigia e kryetares së gjykatës kushtetuese, ajo votohet nga mazhoranca për postin e anëtares së këshillit drejtues të bankës së Shqipërisë dhe bëhet zv guvernatore. Gjeni një shembull tjetër në botë ku drejtuesi i Gjykatës Kushtetuese kalon menjëherë, me votat e mazhorancës, në një nga postet më të rëndësishme të institucionit bankar të vendit.
Gjykata Kushtetuese duhet të reflektojë seriozisht nga kjo protestë qytetare. Keni shembuj gjyqtarësh me integritet brenda jush, që edhe ne këtë rast i panë shkeljen, por të tjerët nuk duhet vënë fasho pushteti te sytë sa herë marrin një vendim. Sepse çdo vendim gjykohet nga historia dhe historia mban mend ata që vepruar por edhe ata që zgjodhën të mbyllnin sytë para shkeljeve kur kishin detyrimin për të reaguar”, shkruan ajo.




