Velipoja do të ketë nga kjo fundjavë edhe dy plazhe të reja të menaxhuara nga Bashkia Shkodër. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Alban Preka, hapësirat e reja do të jenë të pajisura me të gjithë aksesorët e nevojshëm për pushuesit.
“Dy plazhet më të reja të menaxhuara nga Bashkia Shkodër do të jenë funksionalë në fundjavë. Janë plazhe të cilat kanë të gjitha aksesorët e nevojshme. Këto plazhe nuk janë pjesë e plazheve publike pa pagesë që vazhdojnë të jenë funksionalë me sipërfaqe edhe më të madhe se vitet e shkuara. Plazhet e menaxhuara bëjnë pjesë në ato plazhe që kanë qenë të destinuara për tu dhënë subjekteve të treta, por në bazë të VKM i janë dhënë bashkive për t’i menaxhuar më mirë dhe me kosto më të vogël. Në plazhin e Velipojës, këto plazhe kanë vlerën 400 lekë ndërsa në Plazhin e Rrjollit që do të jetë i aksesueshëm gjatë fundjavës që vjen është me 300 lek. Plazhet e menaxhuara janë përcaktuar të jenë pranë plazheve publike, në mënyrë që e gjithë infrastruktura që u shërben plazheve të menaxhuara të jetë në funksion të plazheve pa pagesë” tha Alban Preka.
Me çmime më të përballueshme, kushte optimale dhe një kombinim mes plazheve publike dhe atyre të menaxhuara, Velipoja synon t’u ofrojë vizitorëve një eksperiencë sa më të mirë.




