Larg plazheve të zhurmshme dhe hoteleve me pesë yje… ekziston një Shqipëri tjetër. E egër. Autentike. E paprekur. Këto janë bjeshkët e verilindjes dhe Alpet e Shqipërisë. Sot, këto shtigje nuk po shkelen vetëm nga banorët e zonës. Motorë, biçikleta, kamperë dhe alpinistë me çanta në shpinë nga e gjithë bota po sfidojnë lartësitë e Shqipërisë veriore. Çfarë i sjell ata këtu?
Verilindja dhe Alpet shqiptare po kthehen në kryeqendrën e turizmit të aventurës në Ballkan. Çdo vit e më shumë, udhëtarë që refuzojnë paketat standarde turistike, zgjedhin të eksplorojnë vendin mbi dy ose katër rrota, si dhe përmes marshimeve të gjata malore. Rrugët panoramike, mikpritja tradicionale dhe peizazhet spektakolare po thyejnë klishetë e vjetra mbi Shqipërinë.
Për ta provuar këtë, na u desh të ngjiteshim lart. Në këto rrugë takojmë Markun dhe Laurën. Ata kanë udhëtuar nga ana tjetër e globit, nga Kanadaja e largët, për të pedaluar nëpër alpet tona.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Na përshëndesin, janë kuriozë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Udhëtimin e nisëm nga mali i Tomorit dhe po shkojmë drejt Maqedonisë së Veriut. Rrugët janë të mira, peizazhet fantastike. Është e përkryer çdo gjë, ju keni gjëra shumë të mira që shpresoj shumë njerëz t’i zbulojnë. Por gjithashtu kujdesuni për të, në mënyrën më të mirë. Do t’ua rekomandojmë edhe miqve tanë!”, tregon 59-vjeçari nga Kanadaja.
Për bashkëudhëtaren e tij, Laurën, Shqipëria u shndërrua shpejt në një zbulim të bukur, një vend i sigurt ku mikpritja ndihet në çdo hap dhe ku çdo vështirësi e rrugës kalohet falë bujarisë së vendasve.
“Kjo zonë është thjesht e mrekullueshme. Ndihem plotësisht e sigurt në çdo cep. Më pëlqen shumë ushqimi këtu dhe, edhe pse jam vegjetariane, kam gjetur pafund alternativa që i përshtaten regjimit tim”, thotë Laura.
Kësaj eksperience unike mbi dy rrota i është bashkuar edhe Darsi Dejvidson. Si një udhëtar i pasionuar, ky rajon i Evropës ishte një territor krejtësisht i pashkelur për të:
“Nuk kam dëgjuar asgjë, unë kam udhëtuar shumë nëpër botë dhe asnjëherë nuk kam qenë në këtë pjesë të Evropës. Prandaj vendosa të vij këtu. Është shumë mirë, pamja është fanyastike, moti gjithashtu”, shprehet Darsi Dejvidson i cili vazhdon udhëtimin me miqve e tjerë kandadezë.
Por nëse çiklistët kërkojnë sfidën e fizikës, motoristët janë këtu për adrenalinën e kthesave dhe lirisë. Në bjeshkët e Bushtricës, takojmë një grup nga Rumania që sapo ka përshkuar Ballkanin.
“Jemi duke u kthyer në shtëpi dhe rastësisht zbuluam këtë vend. Pozicioni gjeografik është fantastik, malet janë të mrekullueshme për turizëm dhe njerëzit janë shumë të ngrohtë. Rrugët janë të mira dhe natyra është mbresëlënëse”, tregon Raresh Pashku nga Rumania.
Përveç rrugëve, është diçka tjetër që i lidh këta udhëtarë me tokën shqiptare: shija e ushqimit vendas dhe një kod mikpritjeje që nuk e gjejnë në asnjë udhëzues turistik.
“Po shkoja në një market dhe nuk kisha para në dorë. Pronari më tha të merrja atë që më nevojitej dhe të mos shqetësohesha. Kjo më la pa fjalë! Padyshim që do të kthehemi përsëri. I ruajta rrugët që kemi përshkuar dhe më pëlqen shumë këtu! Ushqimi është i shkëlqyer dhe pamjet janë të jashtëzakonshme. Nuk shoh diçka negative këtu”, thotë Flavio Bogdan nga Rumania.
“Njerëzit janë shumë miqësorë, ushqimi vendas është fantastik. Më pëlqen veçanërisht mishi i qingjit dhe i kecit. Shqipëria është në rrugën e duhur dhe me mikpritjen e saj do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë”, shprehet motoristi tjetër nga Rumania, Benxhamin Sitas.
Përveç dy rrotave, verilindja po kthehet në shtëpinë e përkohshme të qindra familjeve që udhëtojnë me kamperë. Harold Müller ka ardhur nga Mynihu me familjen e tij. Ata po bëjnë një xhiro të plotë të veriut.
Read more:Vapë dhe lagështi “mbytëse”- Botërori 2026 mund të jetë më i rrezikshmi ndonjëherë
“Ne na pëlqen të shohim vendin dhe se si jetojnë njerëzit këtu. Kemi udhëtuar përqark dhe tashmë do të nisemi për në plazh. Kemi dy javë pushime sepse kemi edhe djalin me vete. Nuk është kohë e mjaftueshme për në Shqipëri, por do të nxitojmë që të shohim sa mundemi. Vendi është i bukur, njerëzit janë shumë të mirë e mikpritës. Ne po e shijojmë shumë. Kemi qenë në Theth, Valbonë, Liqenin e Komanit, Fierzë dhe tani në Kukës. Njerëzit janë shumë të mirë dhe mikpritës. Infrastruktura është ende në zhvillim, por mendoj se në vitet e ardhshme do të përmirësohet ndjeshëm”, tregon turisti.
Nëse Kukësi dhe Bushtrica po sfidohen nga mjetet e motorizuara, pak më tej, Parku Kombëtar i Valbonës mbetet mbretëria e pakurorëzuar e ecjeve malore. Vizitorë nga Zelanda e Re, Skocia e deri nga Shtetet e Bashkuara po zgjedhin Alpet Shqiptare për të provuar kufijtë e tyre. Shtigjet legjendare mes Thethit dhe Valbonës, bukuria e lumit dhe magjia e Liqenit të Komanit janë magneti i vërtetë i këtij sezoni.
Në mes të luginës takojmë dy udhëtarë që kanë ardhur nga ana tjetër e globit, pikërisht nga Zelanda e Re.
“Është hera e parë për ne në Valbonë, erdhëm duke ecur nga Thethi. Qëndruam për pesë javë në Shkodër. Do të vazhdojmë më tej për të vizituar gjithashtu Malin e Zi dhe Kosovën. Ne mendojmë se ju ende nuk e keni kuptuar sa bukur është këtu”, shprehet një turiste e pasionuar pas ecjeve në natyrë dhe ngjitjeve në mal.
“Ne jemi në Shqipëri për rreth një muaj. Kemi provuar shumë ushqime tradicionale. E preferuara ime është buka dhe salca e kosit. Forma e këtyre maleve është thjesht spektakolare. Do të qëndrojmë edhe 10 ditë. Nuk kam asnjë kritikë. Njerëzit kanë qenë jashtëzakonisht mikpritës dhe infrastruktura po ndërtohet vazhdimisht”, tregon Sem, turist nga Zelanda e Re.
“Është ende zonë e egër. Duket sikur gjithçka është në rritje. Të jep një ndjesi që je në zbulim e sipër. Është kaq e bukur!”, tregon një tjetër turist nga Zelanda e Re.
Rrjetet sociale dhe guidat online po bëjnë që jehona e Valbonës të kalojë oqeanet, duke lidhur udhëtarët e Amerikës me mikpritjen e veriut shqiptar.
“Edhe unë jam nga Zelanda e Re. Pamë përmes mediave sociale që bëhet hiking këtu. Kaloi çdo pritshmëri tonën. Është shumë bukur!”, tregon turistja.
“Shëtitje mahnitëse. Kam takuar shumë njerëz të mirë. Janë miqësorë, të dobishëm. Taksisti shqiptar më dha numrin e tij për të m’u gjendur në çdo rast”, shprehet një turist skocez.
Në shtegun që lidh Thethin me Valbonën, në një kuotë prej 1000 metrash lartësi, takojmë një skocez të mahnitur, i cili sapo ka sfiduar njërën prej ngjitjeve më të vështira të rajonit.
“Jam Dejvid nga Skocia. Hera e parë këtu dhe ndihem shumë mirë. Malet janë fenomenale, rruga shumë e mirë, vend i shkëlqyer. Shqipëri, të dua! Sot bëmë hiking nga Thethi për në Valbonë. U ngjitëm lart në 1000 metra, pamë flamurin dhe bëmë fotografi. U djersitëm mirë, por pastaj zbritëm këtu pak më lehtë”, thotë turisti nga Skocia.
Nga Kalifornia e largët e deri te qendrat universitare të Anglisë, të huajt gjejnë te Valbona një oaz paqeje dhe adrenaline që nuk e ndeshin më në Europën e mbi-turizmit.
“Jam Odri nga Kalifornia dhe kam ardhur këtu për hiking. Në Shqipëri kam më pak se një javë. Isha në Himarë, në Tiranë dhe tani këtu. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Është një vend i mrekullueshëm!Është hera ime e parë në Valbonë dhe dua të kthehem përsëri pas disa vitesh”, shprehet Odri.
“Jam nga Kembrixhi. Kam ardhur nga Tirana. Jo, nuk kam frikë nga asgjë. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe kemi marrë vetëm pozitivitet nga i gjithë udhëtimit. Po, dua të kthehem përsëri”, shton një tjetër.
Por, si duket ky rajon në sytë e dikujt që e ka parë Shqipërinë përpara dy dekadash?
“Është pothuajse hera ime e tretë në Shqipëri.Kam qenë këtu për herë të parë para 20 vitesh. Përshkova të gjithë bregun me biçikletë. Vendosa të kthehem dhe të përshkoj malet dhe fshtrat përgjatë për të parë natyrën e këndshme këtu dhe ndryshimi është i jashtëzakonshëm! Rrugët janë shumë më të mira se atëherë. Natyra mbetet e mrekullueshme dhe njerëzit janë tepër mikpritës”, shprehet Romani, një çiklist nga Zvicra.
Romani ka udhëtuar 1700 kilometra me biçikletë nga Zvicra, duke kaluar plot 7 shtete për të mbërritur në Kukës.
“Kam udhëtuar nëpër Austri, Itali, Slloveni, Kroaci, Bosnje, Mal i Zi, Kosovë dhe tani në Shqipëri. Do të zbres poshtë nëpër Shqipëri për të kaluar në Maqedoninë e Veriut. Më pas do të shkoj drejt Greqisë. në Athinë, më pas në Patras e prej andej në shtëpi. Shumë bukur këtu! Jam shumë i surprizuar nga rrugëts sa të përshtatshme janë për cxiklizëm. Është vërtet qejf! Cilësia e rrugës në krahasim me Bosnjen dhe Malin e Zi është shumë e mirë. Nëse bën çiklizëm në Zvicër ka shumë më shumë trafik. Këtu nuk është problem”, tregon ai.
Mirëpo, rritja e shpejtë e turizmit sjell edhe përgjegjësi të mëdha. Ndërsa sezoni veror po fiton ritëm galopant, plagët e vjetra të menaxhimit të mbetjeve mbeten ende një shqetësim që bie menjëherë në sytë e të huajve, të cilët bëjnë apel për mbrojtjen e mjedisit.
“…E vetmja gjë që më zhgënjen ndonjëherë janë mbeturinat e hedhura pranë rrugëve”, shprehet Romani.
“Do të thoja se ka shumë plehra. Është kritika ime e vetme për Shqipërinë. Shoh shumë përgjatë anës së rrugës. Unë vij nga Kandaja ku është shumë ndryshe”, tregon çiklisti Darsi Dejvidson.
“Mendoj se është një problem.Do duhen 5 ose 10 vite që gjithçka të ndryshojë. Mbi të gjitha mentaliteti i njerëzve që mos e flakin gjithçka në rrugë”, thotë Harold Müller.
Kukësi, Valbona dhe e gjithë Shqipëria e veriut nuk janë më thjesht pika të izoluara në hartë, por destinacione të konfirmuara të turizmit botëror të aventurës. Mes maleve të egra, lumenjve të ftohtë dhe rrugëve panoramike, të huajt po zbulojnë atë që bota moderne po e humb çdo ditë: mikpritjen e pastër, zhvillimin e qëndrueshëm dhe natyrën e paprekur. Ky rajon po rritet, larg turizmit masiv, duke ruajtur me xhelozi shpirtin e tij autentik.
“Duhet të vazhdojnë kështu sepse janë në rrugën e duhur. Mendoj se nëse e ruajnë këtë mikpritje do të arrijnë larg. Prandaj faleminderit për mikpritjen”, thotë motoristi nga Rumania.
“Shqipëria duket se po rritet shpejt. Nga ajo çfarë kam parë mbi Shqipërinë mendova për më shumë rrëmujë. Kur erdha këtu gjeta më shumë turizëm e njerëz nga e gjithë bota. Kjo është gjë e mirë për Shqipërinë.
-Do të riktheheni përsëri?
-100% po”, shprehet turisti nga Skocia.
“Përfundimisht do të kthehemi përsëri. Do t’u them të gjithë miqve të vijmë me biçikleta”, përfundon turisti nga Kanadaja.




