76 ditë protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe, sipas anëtarit të Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari bilanci i këtij mobilizimi qytetar është i rëndësishëm. Në një reagim në rrjetet sociale, Muçollari vlerëson se protesta ka “vrarë frikën” e qytetarëve ndaj qeverisë dhe ka izoluar Edi Ramën dhe njerëzit e tij, të cilët, sipas tij, tashmë komunikojnë vetëm me njëri-tjetrin. Ai thotë se rezistenca e pandërprerë ka nxitur edhe socialistë të pakënaqur të reagojnë më hapur ndaj kryeministrit, ndërsa e cilëson protestën si një përpjekje qytetare që ka përmbysur raportin mes qeverisë dhe qytetarëve.
Reagimi
75 ditë protestë pa ndërprerje e të rinjve, aktivistëve, profesionistëve, pensionistëve, qytetarëve që kanë shqetësime, familjarëve, prindërve, të cilët përfaqësojnë shoqërinë shqiptare në shumicë dhe kërkojnë largimin e Edi Ramës.
Bilanci i këtij zgjimi është i madh.
Më së pari, ata shpëtuan nderin e një vendi që nuk ngrinte krye, edhe pse kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, edhe pse njerëzit u shtypën, u tallën e u shpërfillën 13 vjet radhazi.
Kjo lëvizje na renditi në radhën e kombeve të qytetëruara që ngrihen në këmbë kundër sundimit dhe qeverisjes së keqe, kundër arbitraritetit e padrejtësive.
Kjo detyrë nuk mund të realizohej dhe të përmbushej vetëm nga Partia Demokratike. Reagimi qytetar ka padyshim një cilësi dhe mesazh tjetër, më gjithëpërfshirës.
Edhe pse unë nuk mendoj aspak se marshimi në shesh e zëvendësoi apo dobësoi opozitën. Përkundrazi, PD u konfirmua në të gjitha tezat e qëndrimet e saj, në të gjitha denoncimet e saj për korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin.
Dhe kjo është një fitore e demokratëve, të cilët gjetën mbështetje shoqërore në aksionin e pandalur gjithë këto vite.
Një nga arritjet e kësaj proteste është zvogëlimi dhe izolimi i qeverisë dhe Edi Ramës, kjo për shkak të vrasjes së frikës dhe guximit që kanë fituar qytetarët. Kryeministri dhe njerëzit e tij më të afërt janë prej ditësh në një sferë të mbyllur dhe flasin vetëm me njëri-tjetrin. Ata s’kanë asnjë komunikim me shoqërinë.
Jo vetëm nuk kanë kurajon të jenë në një ambient publik dhe shmangin çdo kontakt me qytetarët, pasi e dinë reagimin e tyre, por edhe në ato pak dalje të kontrolluara publike në rrjete sociale apo në media e bëjnë me drojë, duke njohur mirë përgjigjen që marrin.
Përgjigjja është njëzëri: akuzë për korrupsion e abuzim dhe kërkesë për largim.
Read more:“Hajdutët në burg, jo në Evropë”/ Pankartat me mesazhet pikante që vijnë nga protesta e 73
Protesta u ka dhënë zemër edhe disa socialistëve të pakënaqur me Ramën, të cilët janë edhe më aktivë sot. Madje, ka stimuluar edhe debate të forta aty ku askush më parë nuk guxonte të pipëtinte, në ato mbledhjet që Edi Rama i drejton si tiran. Në takimin e fundit që kishte me kryebashkiakët, disa prej tyre janë revoltuar dhe kanë pasur forcën t’i kundërvihen haptazi bosit.
Kjo është një meritë që vjen nga sheshi dhe kuptohet se sa më shumë të rezistojnë ata në bulevard, aq më i madh do të jetë ky përfitim i shoqërisë, kjo përmbysje e raportit. Sepse, në të vërtetë, qeveria duhet të ketë frikë nga njerëzit, jo njerëzit nga qeveria.




