Mbahet sot në GJKKO seanca e radhës e gjyqit të Ilir Metës e Monika Kryemadhit për dosjen ku akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
Në seancën e fundit, avokati Kujtim Cakrani kërkoi riekspertim të të ardhurave të Metës që nga viti 1992, ndërsa në fund shpalosi edhe një listeprej 134 emrash që kërkon të thirren dëshmitarë mes të cilëve Kryeministrin Rama, ish deputetë, ish bashkëpunëtorë të tij në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe disa shtetas të huaj të lidhur me çështjet e CEZ-DIA dhe lobimin, përfshirë Charles McGonigal.
SPAK kërkon pyetjen e 110 dëshmitarëve. Sot është radha e Kryemadhit, më pas vendos GJKKO për listën gati rekord të personave që pritet të pyeten.
Pas seancës, u njoftua gjithashtu ndryshimi i avokatit mbrojtës të Metës, ku sipas studios ligjore të Cakranit, marrëveshja u mbyll për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve.
Më pas, u publikua një letër e shkruar me dorë e ish-presidentit Meta ku thuhej se e kërkonte ndryshimin pasi dëshironte një avokat që të angazhohej vetëm me çështjen e tij për shkak të volumit që ka, si edhe të ishte në dispozicion. Deri më tani, nuk është bërë i ditur emri i avokatit që do të përfaqësojë kryetarin e Partisë së Lirisë.
Lajm në përditësim…
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sot seanca për dosjen ‘Meta’, Monika Kryemadhi paraqitet në Gjykatën e Posaçme me bluzën me mbishkrimin ‘është një ditë e mrekullueshme’
Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme, teksa kishte veshur një bluzë ku lexohej ‘It’s a wonderful day’, pra e përkthyer në shqip, ‘është një ditë e mrekullueshme’.
Në GJKKO sot do të zhvillohet seanca e radhës e gjyqit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për dosjen ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
‘Divorci’ me Kujtim Cakranin, Bujar Musta do të jetë avokati i ri i ish-Presidentit Ilir Meta
Bujar Musta do të jetë avokati i ri i ish-Presidentit Ilir Meta, pas ‘divorcit’ të kreut të Partisë së Lirisë me avokatin Kujtim Cakrani.
Avokati Musta u paraqit ditën e sotme në GJKKO, ku do të mbahet seanca e radhës e gjyqit të Ilir Metës e Monika Kryemadhit për dosjen ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
Musta ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit, i shkarkuar nga procesi i vettingut në sistemin e Drejtësisë.




