“Bukë, Kripë dhe Zemër”, është një ndër nismat që synon të rikthejë në vëmendje një nga traditat më të bukura shqiptare të mikpritjes. Restorantet dhe bujtinat në fshatit bregdetar të Piqerasit në Himarë, do t’i mirëpresin vizitorët me një copë bukë, një gotë ujë dhe, sipas mundësive, edhe vaj ulliri, si simbol i respektit, bujarisë dhe mikpritjes shqiptare.
“Promovon pikërisht mikpritjen që është pjesë e traditës shqiptate. Promovon produktet tona të cilat dihet që janë produkte BIO dhe shumë të preferuara nga të gjithë vizitorët që vijnë në Himarë”, tha Vangjel Tavo.
“Jam i bindur që kjo nismë do të mirëpritet nga të gjithë restorantet dhe bujtinat e Shqipërisë sepse nuk po bëjmë një gjë me sforcim por po ringjallim një traditë të shqiptarit, i cili fillon me shprehjen e madhe që shtëpia e shqiptarit është e zotit edhe mikut”, tha Shkëlqim Hajdari.
Sipërmarrës të turizmit dhe operatorë të sektorit folën për rëndësinë e përdorimit të prodhimeve lokale.
“ Ti sensibilizojmë të gjithë restorantet edhe bujtinat shqiptare që tu ofrojnë atyre që vizitojnë Shqipërinë ujin falas, bukën falas, vajin e ullirit edhe sigurisht mikpritjen për të lënë një shije të mirë për të gjithë turizimin shqiptar”, tha Kujtim Dervishi.
“Duhet të bëjmë një apel se restorantet, bujtinat apo edhe resortet të konsumojnë produkte edhe prodhime shqiptare”, Nagip Fejzi.
Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje dhe medalje për një ndër bujtinat mikpritëse në Piqeras.




