Deputeti Redi Muçi, ka ironizuar mazhorancën gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke komentuar edhe udhëtimin e deputetëve shqiptarë në Strasburg për rezolutën e Parlamentit Europian.
Muçi deklaroi se nuk mund të ketë një marrëveshje apo rezolutë me mazhorancën pa u marrë në konsideratë kërkesat e protestuesve, të cilët vijojnë prej 44 ditësh revoltën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Meqë kolegët nga të dyja palët shkuan në Strasburg për rezolutën, edhe pse disa shkuan të luanin letra, të pinin verë dhe të takoheshin me Fredi Belerin, kërkesa ime është që nuk mund të nënshkruajmë asnjë rezolutë me këtë mazhorancë, për sa kohë nuk merren parasysh kërkesat e protestuesve”, tha Muçi.
Ai iu drejtua gjithashtu kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke i bërë thirrje të mos nënvlerësojë protestat qytetare.
“Taulant, kujdes, sepse përballë nuk ke më Saliun, por rininë shqiptare. Milord, po ju them se populli jam unë. Sot më shtypni, por kur akulli të kriset, gjithçka merr fund. Dridhuni, Milord!”, u shpreh Redi Muçi.




