Studenti Kleidi Memo, i ftuar në studion e News24, ka bërë një analize të lëvizjes protestuese në vend dhe rolit kyç të rinisë në përballjen me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Duke folur në emër të grupit studentor ku ai bën pjesë, ai theksoi se protestat kanë shkatërruar fasadën e mashtrimit të ndërtuar ndër vite nga politika.
Memo u ndal te reagimi i kreut të qeverisë ndaj protestave, duke e akuzuar se është munduar fillimisht t’i minimizojë përmes ironisë dhe aludimeve për faktorë të jashtëm, në një kohë që realiteti tregon të kundërtën.
“Protesta e ka vënë Ramën në panik. Filloi duke e ironizuar, duke thënë se ka forca të jashtme që e organizojnë, etj. Çdo herë ai përpiqet të krijojë një fasadë sikur çdo gjë është në rregull. Këtë ka bërë që nga viti 2013, duke tentuar të thotë se çdo gjë është në rregull. Kjo protestë e ka shembur fasadën që Edi Rama dhe PS, por edhe PD kanë ngritur më parë,” u shpreh ai.
Sipas studentit, rinia përfaqëson katalizatorin e vërtetë të ndryshimit dhe nuk mund të pranojë më një klasë politike që synon vetëm përfitimet personale. Ai njoftoi se studentët janë bashkuar në një front të përbashkët qëndrese.
“Gjenerata Z është gati të bëjë ndryshim sepse rinia është katalizator i ndryshimit në çdo vend. Unë jam pjesë e një grupi studentor që përfaqëson edhe studentët në protestë dhe kemi krijuar një qendresë për studentët ku çdo student mund të na bashkohet për të luftuar këtë klasë politike të vjetër që është aty vetëm për interesat e tyre personale.”
Në përfundim, ai evidentoi se qytetarët dhe studentët ballafaqohen çdo ditë me mungesa të theksuara në sektorë kyçë, ndërsa theksoi se aksionet simbolike të rinisë do të vijojnë: “Kemi shumë pakënaqësi, ka shumë kërkesa, si për arsimin, shëndetësinë që duhen përmirësuar. Kjo qeveri ka uzurpuar çdo aspekt të jetës së përditshme të shqiptarëve. Ne si studentë kemi bërë shumë aksione, ku një prej tyre ka qenë shpalosja e një banderole të madhe në Universitetin Politeknik.”




