Policia ka ndërhyrë në plazhin e Spilles, ku ka hequr 101 çadra dhe 202 shezlongë që ishin vendosur pa leje në hapësira publike. Gjatë aksionit janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe dy persona, të cilët dyshohet se kishin zënë në mënyrë të paligjshme këto hapësira.
Kontrollet u zhvilluan në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, që po vijon përgjatë vijës bregdetare. Sipas Policisë, çadrat dhe shezlongët ishin vendosur në plazhin publik të Spilles pa autorizimin përkatës, ndaj u hoqën dhe u sekuestruan.
Për ngjarjen u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi ndaj B. T., 37 vjeç, banues në Spille, si dhe Z. K., 71 vjeç, banues në Elbasan.
Aksione të ngjashme po zhvillohen edhe në zona të tjera bregdetare, me synimin për të liruar hapësirat publike të zëna pa leje gjatë sezonit turistik. Policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë dhe se ndaj çdo shkeljeje do të merren masat e parashikuara nga ligji.




