Në vjeshtë pritet të nisë programi i ri i strehimit për çiftet dhe familjet e reja, që qeveria e ka vendosur si hapin e parë të nismës Shqipëria Sociale. një objektiv i shpallur nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së qeverisë dhe mazhorancës në Pogradec që synon të vendosë në qendër të vëmendjes cilësinë e jetës së qytetarëve.
Lajmi u bë i ditur nga zv.kryeministrja Albana Koçiu, e cila prezantoi prioritetet e reja të qeverisë për sezonin politik.
Sipas Koçiut, nisma synon që zhvillimi ekonomik i vendit të përkthehet në më shumë mirëqenie dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët.
Read more:Studimi zbulon: Punët e shtëpisë mund të ndikojnë edhe në jetën intime të çiftit
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku objektivi nuk është më vetëm ndërtimi apo ofrimi i shërbimeve, por që përmirësimi të ndihet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të çdo familjeje”, u shpreh ajo.
Zv.kryeministrja tha se në fazën e zhvillimit ku ndodhet Shqipëria objektivi nuk është vetëm ndërtimi apo ofrimi i shërbimeve, por që përmirësimet të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve.
Ajo shtoi se ndër prioritetet e qeverisë do të jenë edhe rritja e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, mbështetja për fermerët, pensionistët dhe biznesin e vogël, si edhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Standardi europian nuk duhet të mbetet vetëm një objektiv në letër. Ai duhet të ndihet në çdo shërbim, në çdo komunitet dhe në jetën e çdo qytetari”, tha ajo.
Qeveria synon përmes kësaj qasjeje që rritja dhe zhvillimi i vendit të përkthehen në më shumë mundësi dhe siguri për qytetarët, me familjen, të rinjtë dhe mirëqenien sociale në qendër të politikave të reja.




