Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Kronikë
  3. Ngërçi me pagat/ Deklarata e gjyqtarëve: Të zhbllokohen menjëherë ose do të reduktojmë gjyqet! Sadushi: Kushtetuta nuk negociohet
Kronikë

Ngërçi me pagat/ Deklarata e gjyqtarëve: Të zhbllokohen menjëherë ose do të reduktojmë gjyqet! Sadushi: Kushtetuta nuk negociohet

• 10 Shtator, 2026 • 28 min lexim
◉ WhatsApp 𝕏 X
News

TIRANË– Të paktën 271 gjyqtarë u mblodhën në një mbledhje të jashtëzakonshme për ngërçin e krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë, që ka sjellë edhe bojkotin e administratës në disa gjykata të vendit dhe kërkojnë lirim të menjëhershëm të pagave ku në rast mosveprimi, masat do të jenë të përshkallëzuara, deri në reduktim të proceseve gjyqësore.

“Zhbllokimin e menjëhershëm dhe pagesën pa asnjë vonesë të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, zbatimin e plotë të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, fillimin e menjëhershëm të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, miratimin pa vonesë të kuadrit të ri ligjor, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, janë kërkesat kryesore.

Kërkesa është e panegociueshme, thuhet në deklaratë.

“Në rast se nuk veprohet menjëherë nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore. Këto kërkesa nuk janë objekt negocimi, sepse nuk burojnë nga një interes i çastit dhe as nga një pretendim i pakonfirmuar.”.

Mbledhja e jashtëzakonshme e gjyqtarëve u thirr nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili e tha pa ekuivok qëndrimin e magjistratëve që nuk do të tolerojnë më asnjë vonesë për pagat, e cila sipas tyre është bazë për pavarësinë e sistemit. Kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se vendimi i Kushtetueses duhet të zbatohet.

“Bllokimi i pagave është i papranueshëm dhe duhet të marrë fund menjëherë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet menjëherë. Këto mbledhje nuk u thirrën për të shprehur vetëm pakënaqësinë tonë, por për të mbrojtur një parim: asnjë pushtet apo organ administrativ nuk mund të kushtëzojë apo relativizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj mbledhjeje askush s’mund të thotë se gjyqtarët nuk folën. Ne do të vazhdojmë t‘u shërbejmë qytetarëve. Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet. Pagat duhet të zhbllokohen, vendimi duhet të zbatohet dhe kjo situatë të marrë fund menjëherë”, tha Sadushi pas mbledhjes.

Vendimet e KLGJ dhe KLP që caktuan me vendim pagën referencë Sadushi thotë se ishin pasojë vetëm e faktit se Kuvendi nuk zbatoi vendimin e Kushtetueses. Sadushi ngriti pyetjen se mbi çfarë formule duhet të paguhen sot gjyqtarët, në një kohë kur formula e vjetër është shfuqizuar.

“Cila është paga që autoritetet ekzekutive u njohin gjyqtarëve të Republikës nga data 1 gusht 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri?”, pyeti Sadushi.

Por pasojat e ngërçit nuk kanë prekur vetëm magjistratët. Administrata e disa gjykatave në vend ka bojkotuar punën pasi pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar.

“Zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negociate, por është detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror”, tha Sadushi.

Në fund kreu i Gjykatës së Lartë thotë se kjo çështje nuk ka të bëjë thjesht me pagat, por me thelbin e funksionimit të sistemit, kushtetutshmërinë.

“Republika nuk funksionon, kur një pushtet kërkon nënshtrimin e tjetrit. Ajo funksionon kur secili ushtron kompetencat e veta, respekton kompetencat e tjetrit dhe të gjithë i nënshtrohen Kushtetutës. Ky është shteti i së drejtës dhe standardi evropian, që duhet të dëshmojmë. Sot nuk po mbrojmë shumën e shkruar në listëpagesën e një gjyqtari. Po mbrojmë një kufi që asnjë pushtet nuk duhet ta kapërcejë: pavarësinë e gjyqësorit dhe autoritetin detyrues të Kushtetutës. Do ta mbrojmë me vendosmëri, pa zhurmë të panevojshme, pa iu shmangur përgjegjësisë dhe pa dalë”, tha Sadushi.

Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë nisi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.

Read more:“Protestuesit dje u arrestuan në trotuare, pa bërë shfaqje dhune!”/ Ironizon mjeku Ermal Pashaj: S’më vjen çudi që të dalë një VKM ku veza të quhet si “armë e ftohtë”!

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 15:19

Sadushi: Pagat të zhbllokohen, situata duhet të marrë fund menjëherë! Kushtetuta nuk negociohet

1789046146_sokolsadushi.jpg

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kërkoi zhbllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe administratës së gjyqësorit dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Sadushi u shpreh se situata duhet të marrë fund menjëherë dhe të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Kushtetuta nuk negociohet”, u shpreh kryetari i Gjykatës së Lartë.

“Pavarësisht dallimeve që mund të kemi për mënyrën dhe mjetet konkrete, jemi të bashkuar. Bllokimi i pagave është i papranueshëm dhe duhet të marrë fund menjëherë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet menjëherë. Këto mbledhje nuk u thirrën për të shprehur vetëm pakënaqësinë tonë, por për të mbrojtur një parim: asnjë pushtet apo organ administrativ nuk mund të kushtëzojë apo relativizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne duhet të tregojmë vendosmërinë, por edhe përgjegjësinë që na dallon si gjyqtarë. Gjykatat duhet të vazhdojnë të funksionojnë. Forca e qëndrimit tonë nuk matet me numrin e seancave që nuk zhvillohen, por aftësinë për të përdorur deri në fund mjetet që na jep ligji. Mbledhja e sotme ka shprehur qartë kërkesën për zhbllokimin e menjëhershëm të pagave, fillimin pa vonesë të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Punonjësit e administratës nuk mund të mbajnë mbi shpinë probleme që s’i kanë krijuar. Nga kjo mbledhje duhet të dalim të bashkuar jo vetëm në kërkesë, por në mënyrën si e mbrojmë atë. Qëndrimi ynë kërkon që shteti të funksionojë sipas rregullave të veta. Ne kërkojmë që secili të respektojë kompetencat e veta. Pas kësaj mbledhjeje askush s’mund të thotë se gjyqtarët nuk folën. Ne do të vazhdojmë t‘u shërbejmë qytetarëve. Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet. Pagat duhet të zhbllokohen, vendimi duhet të zbatohet dhe kjo situatë të marrë fund menjëherë”, tha Sadushi duke deklaruar edhe fundin e mbledhjes së gjyqtarëve.

Ora 15:08

Ngërçi i pagave, deklarata e gjyqtarëve: Të zhbllokohen menjëherë ose do të reduktojmë proceset gjyqësore

1789045486_magjistrate.jpg

Pas mbledhjes së përgjithshme, gjyqtarët kërkojnë zhbllokim të menjëhershëm të pagave ose në të kundërt do të reduktojnë proceset gjyqësore. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura duhet të nisë menjëherë dhe t’i përmbahet vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu kërkojnë miratimin pa vonesë të kuadrit të ri ligjor, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, refuzojnë zgjidhje e praktika që nuk garantojnë paprekshmërinë e pagës, ndalim të çdo praktike institucionale që shkakton pasiguri financiare për gjyqtarët. Presidentit i kërkojnë angazhim për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe monitorim të pr.ligjit për pagat.

Në rast të mosekzekutimit të kërkesës për lirimin e pagave, proceset gjyqësore do të reduktohet vetëm te shqyrtimi i çështjeve urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore.

Deklarata e plotë:

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore, pasi shqyrtoi situatën e krijuar dhe qëndrimet institucionale të mbajtura gjatë këtyre ditëve, deklaron sa vijon:

1. Situata e krijuar nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme financiare dhe as një konflikt për privilegje. Ajo prek drejtpërdrejt autoritetin e Kushtetutës, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin e rregullt të gjykatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Asnjë organ shtetëror nuk mund t’i pezullojë, kushtëzojë ose neutralizojë efektet e tij me akt administrativ, me interpretim financiar apo me mosveprim.

2. Pas datës 31 korrik 2026, formula e shpallur antikushtetuese nuk mund të vazhdojë të zbatohet. Mosveprimi i ligjvënësit brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk e ringjall normën e shfuqizuar dhe nuk krijon vakancë në mbrojtjen që neni 138 i Kushtetutës i njeh pagës së gjyqtarit. Garancia kushtetuese nuk mund të vihet në pritje deri në një vendimmarrje të ardhshme dhe as të varet nga vullneti i organit që administron fondet publike.

3. Vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026, i Këshillit të Lartë Gjyqësor është akti i organit kushtetues përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor, i miratuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çdo kundërshtim ndaj tij duhet të ndiqet vetëm me mjetet dhe përpara organeve që parashikon ligji. Derisa të ndryshohet ose të shfuqizohet në rrugë ligjore, ai prodhon pasoja dhe duhet të zbatohet. Thesari nuk ka kompetencë të kryejë kontroll kushtetues apo gjyqësor mbi të dhe nuk mund të shndërrohet nga mekanizëm ekzekutimi, në mekanizëm pezullimi.

4. Edhe nëse pretendohet se ekziston një çështje për t’u zgjidhur lidhur me pagën pas datës 31 korrik 2026, kjo nuk mund të përdoret si shkak për të bllokuar detyrimet e prapambetura. Për to, paragrafi 110 i vendimit nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë zgjidhje të shprehur. Një detyrim i përcaktuar për një periudhë të përfunduar nuk mund të mbahet peng nga debati për një periudhë tjetër. Ai duhet të ekzekutohet pa vonesë dhe pa u kushtëzuar nga miratimi i një ligji të ri.

5. Bllokimi i pagave ka prekur njëkohësisht gjyqtarët dhe administratën gjyqësore. Sekretarët gjyqësorë, kancelarët, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të gjykatave, janë pjesë e domosdoshme e funksionimit të drejtësisë dhe nuk mund të mbajnë mbi familjet e tyre pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e kanë krijuar. Lënia e tyre pa pagë cenon dinjitetin njerëzor e profesional, dëmton funksionimin e gjykatave dhe, në fund, kufizon shërbimin e drejtësisë ndaj qytetarit. Pagesat e administratës gjyqësore nuk janë pjesë e qëndrimit refuzues të Ministrisë së Financave dhe degëve të thesarit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

6. Paga e gjyqtarit është pjesë e statusit kushtetues dhe garanci konkrete e pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Ajo nuk është favor i ekzekutivit, shpërblim që jepet sipas vlerësimit të tij apo instrument për të shprehur miratim ose pakënaqësi ndaj vendimmarrjes gjyqësore. Mbrojtja e kësaj garancie nuk i shërben vetëm gjyqtarit; ajo mbron qytetarin, i cili ka të drejtë të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër.

7. Buxheti i shtetit është instrument financiar i Republikës dhe duhet të sigurojë funksionimin e të gjitha pushteteve të saj. Mungesa e planifikimit, nevoja për rishpërndarje fondesh ose vështirësi të tjera administrative nuk mund ta kthejnë një detyrim kushtetues e ligjor në detyrim fakultativ. Në një shtet kushtetues nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin; është buxheti që duhet të mundësojë zbatimin e Kushtetutës.

Read more:Nga mosbindja civile te ‘përshëndetjet’ me veze të qytetarëve në takim me deputetët në rrethe, aktivistja: Kërkesë e panegociueshme, dorëheqja e Ramës, s’bëri dot shtet!

8. Përballë kësaj situate, Mbledhja e Përgjithshme vlerëson se nuk ka më vend për shtyrje, interpretime që relativizojnë detyrimin apo zgjidhje të pjesshme që e lënë gjendjen të vazhdojë. Rivendosja e ligjshmërisë kërkon veprime të menjëhershme, të plota dhe të verifikueshme nga institucionet përgjegjëse. Për këtë arsye,

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve kërkon:

Zhbllokimin e menjëhershëm dhe pagesën pa asnjë vonesë të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore;

Zbatimin e plotë të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, të vendimit nr. 435, datë 26 gusht 2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të urdhrave të nëpunësve autorizues të gjykatave, për aq kohë sa këto të fundit janë në fuqi;

Sikurse organet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kanë njohur dhe ekzekutuar detyrimet ligjore, duke zbatuar referencën e pagës sipas parametrave ligjorë të konfirmuara nga vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026 i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve pret nga Ministria e Financave dhe organet në varësi, që të mos zbatojnë vetëm detyrimet ligjore që gjyqtarët kanë por edhe të drejtat e tyre;

Fillimin e menjëhershëm të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura sipas zgjidhjes së përcaktuar në paragrafin 110 të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, si një detyrim kushtetues i cili nuk varet nga miratimi i ligjit të ri;

Miratimin pa vonesë të kuadrit të ri ligjor, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nenin 138 të Kushtetutës, garancitë kushtetuese të statusit të magjistratit dhe pas një konsultimi real me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë;

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do të refuzojë të pranojë çdo propozim dhe zgjidhje ligjore, që nuk garanton paprekshmërinë e pagës dhe përfitimeve të tjera të ligjshme të gjyqtarëve, në parametrat ligjorë të konfirmuara nga vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026 i Këshillit të Lartë Gjyqësor;

Ndalimin e çdo praktike administrative që pengon funksionimin financiar të gjykatave ose vendos gjyqtarët dhe administratën gjyqësore përpara pasigurisë së përsëritur për pagën e tyre;

Marrjen e përgjegjësive institucionale nga çdo organ që, sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka kompetencë për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera dhe për të rivendosur menjëherë gjendjen e ligjshme;

Ndërmarrja e çdo lloj mjeti ligjor me natyrë administrative, civile dhe kushtetuese që bën të mundur ekzekutimin me efekt të menjëhershëm të listëpagesave të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, në zbatim të vendimit nr. 435, datë 26.8.2026 të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe urdhrave të titullarëve të gjykatave respektive;

Ndërmarrja e të gjitha iniciativave për adresimin e situatës me organizatat ndërkombëtare, veçanërisht me Komisionin Evropian, instancat e tjera ndërkombëtare si dhe përfaqësitë diplomatike të huaja, të angazhuara në mbështetjen dhe monitorimin e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe reformës në drejtësi në Shqipëri;

Read more:Ngërçi me pagat/ Sadushi: Nuk po negociojmë çmimin, qeveria s’mund të zvogëlojë pagën që buron nga vendimi i Kushtetueses! Vendimi të zbatohet

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i kërkon Presidentit të Republikës, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese, të angazhohet për respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe garantimin e statusit të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore;

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i kërkon Presidentit të Republikës monitorimin me rigorozitet të projektligjit të propozuar nga deputetët e Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016”, me qëllim që propozimet për ndryshime të ligjit të jenë në përputhje me frymën, standardet dhe detyrimet që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe efektiv të tij;

Në rast se nuk veprohet menjëherë nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore.

Këto kërkesa nuk janë objekt negocimi, sepse nuk burojnë nga një interes i çastit dhe as nga një pretendim i pakonfirmuar. Ato burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe një vendim përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese. Dialogu institucional është i nevojshëm për të përcaktuar mënyrën e zbatimit, por nuk mund të përdoret për të shtyrë, relativizuar apo vënë në diskutim vetë detyrimin për zbatim.

Gjyqtarët e Republikës do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe me respekt të plotë për Kushtetutën e ligjin. Kjo përgjegjësi nuk nënkupton heshtje përballë cenimit të garancive të pushtetit gjyqësor. Vetëpërmbajtja e gjyqtarit është virtyt institucional; ajo nuk mund të interpretohet si pranim i paligjshmërisë apo si dorëzim përballë saj.

Mbledhja mbështet përdorimin e të gjitha mjeteve kushtetuese dhe ligjore për rivendosjen e ligjshmërisë dhe kërkimin e përgjegjësisë, duke ruajtur në çdo rast paanshmërinë e gjyqtarëve dhe të gjykatave që mund të thirren për shqyrtimin e këtyre çështjeve. Reagimi ynë do të jetë në një zë të vetëm, i matur në zgjedhjen e mjetit dhe i vendosur deri në zbatimin e plotë të ligjit.

Mbledhja e Përgjithshme u bën thirrje Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës që t’i japin menjëherë fund kësaj gjendjeje dhe të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore. Vazhdimi i bllokimit pas këtij qëndrimi të përbashkët nuk mund të konsiderohet më një paqartësi teknike: ai do të përbënte vijim të vetëdijshëm të një situate që cenon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Gjyqësori nuk kërkon epërsi ndaj pushteteve të tjera dhe nuk pranon nënshtrim ndaj tyre. Kërkon vetëm atë që Kushtetuta urdhëron: që secili pushtet të ushtrojë kompetencat e veta, të respektojë kufijtë e tjetrit dhe t’u bindet vendimeve përfundimtare të drejtësisë kushtetuese.

Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet. Detyrimi ligjor nuk mbahet peng. Pagat duhet të zhbllokohen dhe vendimi duhet të zbatohet menjëherë.

Ora 10:49

Mbledhja e gjyqtarëve për pagat në drejtësi/ Sadushi: Mosveprimi i Kuvendit s’i jep të drejtë qeverisë të pezullojë vendimin e Kushtetueses

1789030347_sokolsadushi.jpg

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e gjyqtarëve për ngërcin e pagave në drejtësi, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se mosveprimi i Kuvendit për formulën e re të pagave nuk mund t’i japë qeverisë të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi se vendimet përfundimtare mund të kritikohen apo të mos pëlqehen, por duhet të zbatohen.

“Ndarja e pushteteve nuk është ndarja e shtetit në kampe kundërshtare, por është mënyra se si demokracia e shpërndan pushtetin, që askush të mos e ketë të gjithin. Marrëdhënia ndërmjet pushteteve nuk mund të ndërtohet mbi epërsi, nënshtrim apo mosbesim, por mbi respektin reciprok të kompetencave kushtetuese. Secili duhet të jetë i fortë brenda kufijve të tij: Kuvendi në ligjvënie, ekzekutivi në qeverisje dhe gjyqësori në dhënien e drejtësisë, i pavarur nga çdo ndërhyrje. Asnjëri nuk është mbi tjetrin dhe asnjëri nuk është nën tjetrin. Të gjithë janë nën Kushtetutën.

Këtu qëndron dallimi ndërmjet konfliktit politik dhe kontrollit kushtetues. Një vendim gjyqësor mund të mos pëlqehet, të kritikohet, madje të konsiderohet i gabuar. Ndërkohë, kur ai është përfundimtar, nuk është një propozim, që zbatohet vetëm nëse pushteti tjetër bindet për drejtësinë e tij. Prej atij çasti nuk diskutohet më nëse pajtohemi me të, por diskutohet vetëm se si do të zbatohet.

Mosveprimi i Kuvendit nuk mund t’i japë ekzekutivit të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe, fuqia e vendimit do të varej nga vullneti i organit, që duhet ta zbatojë. Në një shtet të së drejtës ndodh e kundërta. Organi shtetëror i nënshtrohet vendimit, jo vendimi vullnetit të organit shtetëror.

Read more:Ngërçi me pagat/ Sadushi: Nuk po negociojmë çmimin, qeveria s’mund të zvogëlojë pagën që buron nga vendimi i Kushtetueses! Vendimi të zbatohet

Mënyra se si institucionet sillen përballë një vendimi të tillë tregon nivelin real të kulturës sonë kushtetuese dhe evropiane. Shqipëria kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por integrimi nuk është vetëm proces ligjor apo destinacion politik. Para së gjithash, është kulturë institucionale: respekt për shtetin e së drejtës, vendimet e gjykatave, ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Nuk mjafton të përafrojmë ligjet, sepse duhet të përafrojmë edhe mënyrën se si institucionet i kuptojnë dhe i respektojnë kufijtë e tyre. Mentaliteti evropian provohet pikërisht, kur një vendim zbatohet edhe pse nuk pëlqehet. Shteti i së drejtës nuk matet me gatishmërinë për të zbatuar vendimet që na leverdisin, por me bindjen ndaj Kushtetutës, kur zbatimi është i vështirë. Ligjet evropiane, pa kulturë institucionale evropiane, nuk mjaftojnë.

E njëjta kulturë duhet të reflektohet në mënyrën si flasim për drejtësinë. Kritika ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është legjitime. Asnjë gjyqtar dhe asnjë gjykatë nuk është mbi kritikën, por ndërmjet kritikës dhe denigrimit ka një kufi që nuk duhet fshirë. Shteti i së drejtës nuk ndërtohet duke e dobësuar apo anatemuar drejtësinë. Kush mendon se një gjyqësor më i dobët i shërben interesit të çastit, duhet të kujtojë se nesër mund të ketë nevojë për një gjyqtar të fortë, të paanshëm dhe të pavarur nga qeveria, parlamenti, media dhe presioni i opinionit publik. Pikërisht këtë gjyqtar duhet të mbrojmë sot”, tha Sadushi.

Ora 10:43

Mbledhja e jashtëzakonshme e gjyqtarëve, Sadushi: Zhbllokoni menjëherë pagat! Administrata s’mund të mbajë koston e një situate që nuk e ka krijuar (VIDEO)

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi kërkoi zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të administratës gjyqësore, duke theksuar se punonjësit nuk mund të mbajnë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e kanë krijuar.

“Kjo situatë ka edhe një dimension të drejtpërdrejtë njerëzor. Administrata gjyqësore është pa paga. Sekretarë gjyqësorë, kancelarë, nëpunës dhe punonjës të gjykatave, njerëzit që çdo mëngjes hapin dyert e gjykatave dhe bëjnë të mundur që sistemi të funksionojë, janë lënë pa të ardhurën me të cilën mbajnë familjet e tyre. Ata nuk kanë marrë asnjë vendim për këtë çështje dhe nuk janë palë në asnjë mosmarrëveshje ndërinstitucionale. Pasojat nuk mund të shkarkohen mbi ta.

Administrata gjyqësore nuk mund të mbajë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e ka krijuar. Nëse shteti ka një mosmarrëveshje juridike, ai ka institucione dhe mjete juridike për ta zgjidhur, por nuk mund ta zgjidhë mbi ekonominë familjare të njerëzve, që mbajnë gjykatat në funksion.

Dua t’u drejtohem sot posaçërisht atyre. Ju nuk jeni pjesa e harruar e sistemit të drejtësisë. Jeni pjesë e domosdoshme e tij. E dimë se çfarë do të thotë për një familje të mbetet pa pagë: detyrime dhe kredi që nuk presin, shpenzime të përditshme dhe nevoja të fëmijëve. Kjo është edhe më e ndjeshme në fillim të vitit të ri shkollor. Për ju, paga nuk është formulë juridike apo zë buxhetor. Ajo është siguria e përditshme e familjes.

Ju nuk mund dhe nuk duhet të mbani mbi familjet tuaja koston e një situate, që nuk e keni krijuar. Respekti për pavarësinë e gjyqësorit fillon edhe nga respekti për njerëzit, që e bëjnë atë të funksionojë. Prandaj, zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negociate, por është detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror”, u shpreh Sadushi.

Ora 10:40

Pagat e drejtësisë/ Sadushi: Cila është paga që na njeh qeveria nga 1 gushti? S’mund të zbatohet formula që Kushtetuesja e shfuqizoi (VIDEO)

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kërkoi të dijë se cila është paga që qeveria u njeh gjyqtarëve nga 1 gushti, pas shfuqizimit të formulës së vjetër nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, administrata nuk mund të vijojë të zbatojë një formulë të shpallur antikushtetuese. Një përgjigje e kishte edhe për qeverinë, duke thënë se mungesa e fondeve nuk mund të pengojë zbatimin e një detyrimi kushtetues.

“Këtu lind një pyetje e thjeshtë, por e pashmangshme: çfarë norme duhet të zbatojë sot administrata e shtetit? A mund t’i kërkohet një institucioni të Republikës që, pas datës 31 korrik, të vazhdojë të zbatojë pikërisht formulën, që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar si antikushtetuese? Një normë e shfuqizuar nuk mund të rikthehet në fuqi përmes mosveprimit dhe as të mbahet në jetë përmes një praktike administrative.

Dhe nëse formula e vjetër nuk mund të zbatohet më, atëherë pyetja që shtrohet është po aq e drejtpërdrejtë: cila është paga që autoritetet ekzekutive u njohin gjyqtarëve të Republikës nga data 1 gusht 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe që administrata shtetërore ka detyrimin të përmbush?

Mosveprimi i Kuvendit brenda afatit nuk mund të ketë si pasojë që gjyqtari të mbetet pa një pagë të përcaktuar. Deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, garancia kushtetuese e pagës mbetet plotësisht e zbatueshme dhe neni 138 i Kushtetutës vijon të prodhojë të gjitha efektet e tij. Të pranohej e kundërta, do të thoshte t’i njihej mosveprimit të ligjvënësit një fuqi që nuk mund ta ketë: të pezullonte një garanci kushtetuese dhe të pengonte zbatimin e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Read more:Ngërçi me pagat/ Sadushi: Nuk po negociojmë çmimin, qeveria s’mund të zvogëlojë pagën që buron nga vendimi i Kushtetueses! Vendimi të zbatohet

Në një shtet të së drejtës, paga e një funksionari nuk është akt bujarie i atij, që administron fondet publike. Buxheti i shtetit është instrumenti financiar i Republikës dhe duhet t’i shërbejë funksionimit të të gjitha pushteteve të saj. Atë që ligji e njeh si detyrim, buxheti duhet ta bëjë të realizueshme.

E drejta e gjyqtarit për pagë nuk lind nga buxheti. Ajo buron nga Kushtetuta dhe ligji. Mungesa e planifikimit mund të kërkojë rishpërndarje fondesh, shtesë financimi, apo rishikim buxheti, por nuk mund ta shndërrojë një detyrim kushtetues në detyrim fakultativ. Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës. Procedurat buxhetore duhet ta realizojnë këtë detyrim, jo ta neutralizojnë atë.

Prandaj, paga e gjyqtarit nuk mund të trajtohet si një e ardhur e zakonshme buxhetore. Ajo është pjesë e statusit të tij kushtetues dhe përbën një garanci konkrete të pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Paga nuk është një shpërblim, që jepet sipas vlerësimit të ekzekutivit dhe as një instrument që mund të përdoret për të ndikuar mbi gjyqësorin, apo për të shprehur qëndrimin ndaj vendimmarrjes së tij. Kjo garanci nuk mbron vetëm gjyqtarin si individ. Ajo mbron, para së gjithash, qytetarin, i cili duhet të ketë sigurinë se çështja e tij do të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër”, tha Sadushi.

Ora 10:34

Ngërçi me pagat/ Gjyqtarët në mbledhje të jashtëzakonshme, Sadushi: S’është përplasje me ekzekutivin! Vendimi i Kushtetueses duhet zbatuar

1789029227_sokolsadushi.jpg

Pas ngërçit me pagat, gjyqtarët janë mbledhur këtë të enjte në një mbledhje të jashtëzakonshme. Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, tha se bllokimi i pagave nuk është më vetëm një çështje financiare, por prek funksionimin e gjykatave dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Sadushi tha se nuk bëhet fjalë për një përplasje mes gjyqësorit dhe ekzekutivit, duke theksuar se mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Kushtetueses.

“Kjo Mbledhje e Përgjithshme është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse e jashtëzakonshme është edhe situata që po përjeton pushteti gjyqësor. Për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me pagën e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Ky nuk është më një problem i administrimit financiar; është një pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave dhe një çështje që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues.

Për këtë arsye, reagimi institucional nuk mund të mbetej reagim i një gjykate, i një këshilli apo i disa drejtuesve. Kur pasoja prek të gjithë pushtetin gjyqësor, përgjegjësia për të folur dhe për të mbajtur qëndrim është e përbashkët.

Ajo që kemi përpara nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare. Është një çështje që prek raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij.

Qëllimi ynë sot nuk është të prodhojmë një reagim emocional dhe as të ushqejmë një përplasje institucionale. Përgjegjësia jonë është më e madhe. Të flasim qartë, bashkërisht dhe institucionalisht për atë që ka ndodhur, për pasojat që ka sjellë dhe për rrugët kushtetuese e ligjore me të cilat duhet të mbrohen funksionimi i gjykatave, pavarësia e gjyqësorit dhe dinjiteti i njerëzve që i shërbejnë çdo ditë drejtësisë. Kjo, sepse çështja nuk kufizohet te masa e pagës. Ajo vë në provë nëse një vendim përfundimtar kushtetues zbatohet edhe kur zbatimi i tij krijon vështirësi institucionale apo financiare.

Kjo situatë po paraqitet shpesh si një “përplasje ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit”. Ky përshkrim e zhvendos vëmendjen nga thelbi. Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që kemi përpara nuk është garë force ndërmjet pushteteve, por provë e forcës së Kushtetutës mbi secilin prej tyre.

Dua ta them që në fillim. Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder. Gjyqtarët e Republikës nuk kanë vendosur as masën e pagës së tyre, as rritjen e saj dhe as formulën, mbi të cilën ajo përllogaritet.

Statusin tonë e ka përcaktuar Kushtetuta. Pagën dhe garancitë e saj i ka përcaktuar ligji. Për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri. Kërkojmë që shteti të përmbushë detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese”, tha Sadushi.

Lexo edhe
Kronikë

Autorë të vjedhjes së automjeteve në Vlorë e Orikum, arrestohen 2 ‘skifterët’ (EMRAT)

Kronikë

Ballukut iu sekuestrua një tjetër vilë dhe iu shtua akuza/ Avokati Hoxha: Janë kushtet për masë të re, SPAK mund të kërkojë ‘arrest shtëpie’ (VIDEO)

Tags: #Buxheti #buxheti i shtetit #Demokracia #Detyrim #Familje #Gjykata #klgj #magjistratet #pagat e drejtesise #sokol sadushi

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • Autorë të vjedhjes së automjeteve në Vlorë e Orikum, arrestohen 2 ‘skifterët’ (EMRAT)
  • Ballukut iu sekuestrua një tjetër vilë dhe iu shtua akuza/ Avokati Hoxha: Janë kushtet për masë të re, SPAK mund të kërkojë ‘arrest shtëpie’ (VIDEO)
  • GJKKO s’bën asnjë hap pas nga rregullorja censuruese, mbyll grupin në WhatsApp për mediat! Largojnë të gjithë gazetarët që nuk u akredituan
  • Ngërçi me pagat/ Deklarata e gjyqtarëve: Të lirohen menjëherë ose do të reduktojmë gjyqet (VIDEO)
  • Mashtrimi 7 mln € me Call Center në Tiranë, SPAK ekzekuton 8 masa sigurie, 3 në kërkim! Paratë ktheheshin në kriptovaluta
Nga të njëjtat tag-e
  • “Pagat të zhbllokohen menjëherë”, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve paralajmëron: Masat do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin e veprimtarisë
  • Bllokimi i pagave të gjyqtarëve/ Lapaj: Qeveria po ndërhyn në drejtësinë! Duhej të ishin arrestuar drejtorët e Thesarit, deri te Rama!
  • GJKKO s’bën asnjë hap pas nga rregullorja censuruese, mbyll grupin në WhatsApp për mediat! Largojnë të gjithë gazetarët që nuk u akredituan
  • Ngërçi me pagat/ Deklarata e gjyqtarëve: Të lirohen menjëherë ose do të reduktojmë gjyqet (VIDEO)
  • “S’ka surprizë nga vilat e Ballukut, mund të zbulohen edhe 200”, Bardhi: PD ka kërkuar komision hetimor për KAYO-n dhe lidhjet me Ron Yeffet
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Politikë “Xhabaftët kanë sjellë ministra këtu”/ Flamur Noka akuza të forta në Kuvend: Jeni mallkimi i Shqipërisë. Klodiana Spahiu, kujdes kur pranon postin se rrezikon kokën 16 lexime · 2 ditë më parë
  2. 02
    Kronikë Plagosi dy persona në Laprakë, shpallet në kërkim autori 13 lexime · 1 ditë më parë
  3. 03
    Politikë “Arrestoni Ramën!”/ 103 ditë revoltë, gazeta amerikane: Protestat kundër qeverisë kanë tronditur Shqipërinë 12 lexime · 1 ditë më parë
  4. 04
    Kronikë Has/ Plagosje me armë zjarri në Krumë, në kërkim autori 9 lexime · 2 ditë më parë
  5. 05
    Politikë “Të bllokojmë gjithë institucionet!”/ Mërgata shqiptare në shesh më 12 shtator, aktivisti Daci: Nisemi nesër për Tiranë, të bashkohemi gjithë shqiptarët! 6 lexime · 22 orë më parë
  6. 06
    Politikë Skandali i trafikut ndërkombëtar të armëve/ Muçollari: Ky është biznesi i Ramës dhe Yeffet, do apelojmë tek partnerët që të angazhohen në zbardhjen e aferës 6 lexime · 1 ditë më parë
  7. 07
    Politikë Gjyqtarët kallëzuan penalisht Petrit Malajn, Rama: Shkresës i mungon emri im dhe i ministrit të Drejtësisë! Pagat do rriten me vendim të Parlamentit 7 lexime · 3 orë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Kronikë

Autorë të vjedhjes së automjeteve në Vlorë e Orikum, arrestohen 2 ‘skifterët’ (EMRAT)

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës si autorë të 2 vjedhje të makinave. Muharrem…

• 2 orë më parë • 2 min lexim
Kronikë

Ballukut iu sekuestrua një tjetër vilë dhe iu shtua akuza/ Avokati Hoxha: Janë kushtet për masë të re, SPAK mund të kërkojë ‘arrest shtëpie’ (VIDEO)

Për ish zëvendës kryeministren Belinda Balluku duket se telashet nuk kanë të sosur. Përveç dyshimeve për shkelje të…

• 2 orë më parë • 3 min lexim
Kronikë

GJKKO s’bën asnjë hap pas nga rregullorja censuruese, mbyll grupin në WhatsApp për mediat! Largojnë të gjithë gazetarët që nuk u akredituan

GJKKO nuk e ka në plan të bëjë asnjë hap pas nga rregullorja censuruese. Pasi futi në fuqi…

• 2 orë më parë • 2 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
    • Kronikë
    • Politikë
    • Sociale
  • Editoriale
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by
    ►
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    ►
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    ►
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    ►
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    ►
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by