Dëgjesa publike për Reformën Territoriale në Prrenjas u shoqërua me debate mes banorëve dhe deputetit të Partisë Socialiste, Olsi Komici. Qytetarët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve të propozuara në ndarjen administrative, duke ngritur shqetësime për largimin e shërbimeve dhe ndikimin që, sipas tyre, reforma do të ketë te komuniteti.
Gjatë takimit, disa prej banorëve i kërkuan llogari deputetit Komici, duke e akuzuar se nuk ka mbrojtur interesat e tyre në Parlament dhe se nuk ka dëgjuar shqetësimet e komunitetit.
“‘Vallen e Rajcës, si e keni quajtur? Pallatin e Kulturës si i quani? Kështu shuhet kultura. Librazhdi na i ka marrë të gjitha resurset. Jeni mësuar të flisni e të bëni çtë doni. Jam qytetar i Prrenjasit e nuk na ofendoni dot. Vota këtu nuk merrni më” tha Ardit Façja në përballjen e tij.
‘Këtu kemi ardhur për një çështje esenciale, a do jetë Prrenjasi bashki apo do bashkohet me Librazhdin. Kjo çështje ska të bëjë sa mirë apo sa keq ka punuar qeveria. A do ta marrin qytetarët e Prrenjasit shërbimin sicc e kanë marrë apo do shkojnë në Librazhd. Nuk ka asnjë arsye të qënësishme se Prrenjasi nuk përmbush kriteret. Pse duhet të shkrihet Prrenjasi? Unë si deputete e qarkut të Elbasanit do të mbroj interesin e qytetarëve. Vota ime do jetë kundër këtij bashkimin në parlament” tha deputetja demokrate Klodiana Capja.
Nga ana e tij, deputeti socialist Komici mbrojti raportin e Reformës Territoriale, duke argumentuar se ndryshimet synojnë rritjen e efikasitetit në administrimin e fondeve dhe konsolidimin e buxheteve.


