Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët janë dënuar me 81 vite burg në total.
Në kërkesën e depozituar në Kuvend, Blushi kërkon që Rama të japë shpjegime mbi hapat që qeveria shqiptare planifikon të ndërmarrë pas vendimit të 16 shtatorit. Në fokus të kërkesës janë edhe ndjekja e mëtejshme e mjeteve juridike, si dhe koordinimi me institucionet e Kosovës dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Blushit, çështja nuk duhet të konsiderohet vetëm si një proces që lidhet me të dënuarit, familjet e tyre apo institucionet e Kosovës, pasi sipas tij ajo ka edhe një dimension që prek Shqipërinë.
Në kërkesën drejtuar kryeministrit, ai ngre shqetësimin edhe për përfshirjen në proces të ngjarjeve dhe vendndodhjeve në territorin shqiptar dhe kërkon të dijë se cili do të jetë qëndrimi i qeverisë shqiptare për këtë çështje.
Blushi kërkon gjithashtu krijimin e një mekanizmi të përhershëm koordinimi mes institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, ku të përfshihen ekspertë juridikë, diplomatikë dhe institucionalë. Ky mekanizëm, sipas kërkesës, do të shërbente për ndjekjen e zhvillimeve të mëtejshme dhe koordinimin e veprimeve në aspektin juridik, diplomatik dhe institucional.
Kreu i Grupit Parlamentar të PL-së kërkon përgjigje edhe për veprimet që qeveria shqiptare do të ndërmarrë në planin diplomatik, përfshirë angazhimin në organizatat ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare, si NATO, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Evropës.
Përmes interpelancës, Blushi kërkon që kryeministri Rama të sqarojë qëndrimin dhe hapat konkretë të qeverisë shqiptare pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.




