Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijon edhe këtë të hënë në Tiranë, duke hyrë në ditën e 114-të të qëndresës së përditshme të qytetarëve.
Pas protestës së 113-të të zhvilluar të dielën, ku qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, protestuesit rikthehen sërish në rrugët e kryeqytetit. Në tubimin e një dite më parë, mesazhet kryesore ishin kundër qeverisë, ndërsa një prej kërkesave të përsëritura ishte dorëheqja e kryeministrit.
Protesta e 114-të pritet të vijojë me të njëjtin format, me grumbullimin e qytetarëve, fjalimet e aktivistëve dhe më pas marshimin në rrugët e Tiranës.
Në protestat e ditëve të fundit janë dëgjuar sërish thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Arrestoni Ramën” dhe “Shqipëria po bën revolucion”. Protestuesit kanë mbajtur gjithashtu pankarta me mesazhe kundër korrupsionit dhe për ndryshimin e mënyrës së përfaqësimit politik.
Një prej mesazheve të përsëritura gjatë marshimeve ka qenë edhe “Bashkohuni studentë, kombi na thërret”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare. Në protestën e 113-të, pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, marshimin e morën në dorë studentët, gratë dhe vajzat.
Read more:“Ministri e vdekjes”/ Vijon marshimi në rrugët e Tiranës, protestuesit ndalen te “Shëndetësia”
Në ditët e fundit, aktivistët kanë ngritur gjatë fjalimeve edhe çështje të tjera politike, mes tyre ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, mënyrën e përfaqësimit në Kuvend, Reformën Territoriale, zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.
Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave dhe të marshimeve në kryeqytet. Qëndresa e përditshme, sipas tyre, do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit mbetet në qendër të tubimeve.




