Regjisori Joni Shanaj ka ngritur akuza të forta për mënyrën se si është përdorur fondi publik për kinematografinë shqiptare, duke kundërshtuar edhe ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri. I ftuar në “Kjo Javë” në News24, Shanaj u ndal te ligji i vitit 1996 për kinematografinë, për të cilin tha se kishte si qëllim krijimin e një fondi që do të mbështeste filma me vlera artistike dhe kulturore shqiptare.
“Ligji i vitit 1996 krijoi një buxhet, një fond për filmat cilësorë, për filmat që kishin vlerë kulturore. Ky fond administrohej nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë”, tha ai.
Sipas Shanajt, gjatë 25 viteve të fundit fondet janë orientuar gjithnjë e më shumë drejt projekteve me regjisorë dhe bashkëprodhues të huaj. “Për 25 vjet, gjithmonë e më shumë ky buxhet ka shkuar te regjisorë të huaj, te filma të huaj. Dhe kjo është bërë një praktikë”, deklaroi regjisori. Ai përmendi edhe projektet e cilësuara si “minority co-productions”, duke pretenduar se në këtë skemë janë miratuar 37 projekte.
Read more:Shqiptari plagos me armë pakistanezin, ndjekje si në filma rrugëve të Athinës, 3 në pranga
“Janë 37 projekte të miratuara si ‘minority co-productions’. Prodhuesit shqiptarë marrin nga fondi rreth 70 milionë lekë të vjetra dhe pastaj këto para kalojnë te bashkëprodhuesit e huaj”, tha Shanaj. Sipas tij, në një pjesë të këtyre projekteve bëhet fjalë për bashkëpunime me Kosovën, ndërsa ai ngre pyetjen se sa përfitojnë realisht autorët shqiptarë nga këto financime. “Unë nuk e kuptoj se çfarë i mbetet autorit shqiptar nga kjo. Fondi shqiptar duhet të jetë për të mbajtur gjallë autorin shqiptar. Dhe kjo duhet të nisë nga skenaristi”, u shpreh ai.
Shanaj kritikoi edhe projektligjin e ri, duke pretenduar se disa praktika që janë ndjekur ndër vite tashmë synohet të futen në kuadrin ligjor. “Ajo që është bërë si praktikë po përpiqet të kthehet në ligj. Dhe ndryshimi i përkufizimit të filmit shqiptar e bën shumë më të lehtë futjen e regjisorëve dhe skenaristëve të huaj në projektet që financohen nga fondi shqiptar”, deklaroi regjisori. Ai kërkoi që të hetohet mënyra se si është administruar fondi i kinematografisë ndër vite. “Duhet parë se çfarë ka ndodhur në këto 25 vite. Nuk është vetëm çështje parash. Është çështje e meritokracisë dhe e mënyrës se si janë marrë vendimet”, përfundoi Joni Shanaj.




