Mijëra banorë dhe dhjetëra biznese në disa fshatra të Lezhës vijojnë të jenë pa energji elektrike prej orës 10:00 të paradites së sotme, duke shkaktuar vështirësi në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në aktivitetin e bizneseve.
Ndër zonat e prekura nga ndërprerja e energjisë janë Kolshi, Manatia, Treshi, Spiteni, Markatomaj, Zejmeni, Gajushi dhe Pllana.
Mungesa e furnizimit me energji prej disa orësh ka vështirësuar aktivitetin e familjeve dhe subjekteve tregtare, të cilat nuk kanë mundur të vijojnë normalisht punën.
Nga ana tjetër, OSHEE bën me dije se shkak i ndërprerjes është një defekt në rrjetin elektrik. Sipas kompanisë, grupet e punës janë angazhuar për riparimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji.
Megjithatë, deri në këto momente energjia elektrike nuk është rikthyer në zonat e prekura, ndërsa banorët presin ndërhyrjen përfundimtare dhe normalizimin e situatës.
Moti i keq/ Rikthehet energjia elektrike në disa fshatra të Lezhës, vijojnë riparimet në rrjet
Pas disa orësh pa energji elektrike, furnizimi ka nisur të rikthehet në disa zona rurale të Lezhës, ku ndërprerja kishte nisur që prej orës 10:00 të paradites.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bën me dije se grupet e punës vijojnë ndërhyrjet për riparimin e linjave elektrike të dëmtuara nga moti i keq.
Sipas OSSH-së, pavarësisht kushteve jo të favorshme atmosferike, ekipet kanë arritur të rikthejnë energjinë elektrike, ndërsa puna vijon në pjesë të ndryshme të rrjetit për normalizimin e plotë të furnizimit.




