
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se është duke monitoruar situatën lidhur me shqetësimet e paraqitura nga konsumatorët për devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
ZRRE në një reagim për media thotë se siguron të gjithë konsumatorët se, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët relevantë, do të ndërmerren veprime konkrete me qëllim që të parandalohet çdo dëm i mundshëm ndaj konsumatorëve dhe të garantohet një proces i drejtë dhe transparent i matjes së energjisë elektrike.
“ZRRE informon publikun se në rastet e paraqitura nga konsumatorët lidhur me devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike, ka ndërmarr të gjitha veprimet e saja konform legjislacionit në fuqi, duke kërkuar zëvendësimin e atyre njehsorëve elektrik, si dhe marrjen e masave konkrete për korrigjimin financiar në përputhje me vlerësimet e teknike.
Është e rëndësishme të theksohet se në shumicën e rasteve të dërguara për verifikim është konstatuar se matja e energjisë ka qenë e saktë, ndërsa pasaktësitë kanë qenë kryesisht të natyrës së devijimit të kohës tarifore. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, por pavarësisht kësaj çdo rast do të trajtohet me seriozitet”, thuhet në njoftim.
ZRRE rithekson tutje se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi dhe se të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike.
“Gabimet eventuale nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht, në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi. Moszbatimi i këtyre detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas kornizës përkatëse ligjore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



