
Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë përkohësisht të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes për Serbinë, duke e lidhur këtë vendim me përkeqësimin e situatës në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave në drejtësi.
Lajmin e ka bërë të ditur komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila theksoi se financimet nuk do të vazhdojnë derisa Beogradi të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e gjendjes.
“Për momentin i kemi ndalur të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes, sepse Serbia ka shënuar regres në fushën e drejtësisë dhe derisa kjo të mos përmirësohet, nuk do të mund të marrë ndihmë financiare nga BE”, deklaroi komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos në Universitetin e Friburgut në Zvicër.
Read more (Bashkimi evropian):Magyar thotë se paratë e BE-së do të mbërrijnë në Hungari 'së shpejti' pas takimit me von der Leyen
Kos mbajti ligjëratë në Universitetin e Friburgut me titull “Si e ka ndryshuar gjeopolitika zgjerimin e BE-së”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të publikut, ajo u ndal edhe te situata në Serbi, raporton savremenapolitika.com.
“Serbia sot është shumë e polarizuar. Është kandidate për anëtarësim prej më shumë se dhjetë vitesh dhe, për fat të keq, po shohim regres, veçanërisht në pjesën që lidhet me vlerat për të cilat fola më herët: sundimin e ligjit, demokracinë, lirinë e shprehjes dhe sidomos lirinë e mediave. Ka një të ardhme për Serbinë në Bashkimin Evropian, por kursi duhet të ndryshohet”, tha Kos.
Ajo theksoi se e rëndësishme është edhe orientimi gjeopolitik, shkruan nova.rs.
Read more (serbi):Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
“Ne kemi një rregull: para se një vend të bëhet anëtar i BE-së, duhet të ketë 100 për qind përafrim me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Kjo do të thotë se nuk mund të ulesh në dy karrige. Në një moment, Serbia do të duhet të vendosë se çfarë është më e rëndësishme për zhvillimin e saj”, shtoi ajo.
Kos vlerësoi se proceset e fundit në Serbi kanë treguar se “ekzistojnë forca që nuk pajtohen me mënyrën se si qeveria dhe presidenti e udhëheqin shtetin”.
Read more (Marta Kos):Presidentja e PE-së vlerëson Shqipërinë në rrugën drejt integrimit: Është në krye të procesit! Zgjedhjet atje fitohen mbi shpresën e anëtarësimit në BE
“Edhe një herë, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, por Serbia do të duhet të lëvizë përpara”, shtoi ajo.
Miratimi i të ashtuquajturave ligje të Mrdiqit në janar 2026 ka shkaktuar kritika të ashpra nga Brukseli. Komisioni i Venecias në raportin e javës së kaluar ka dhënë një sërë rekomandimesh mbi të cilat këto ligje duhet të ndryshohen, ndërsa Komisioni Evropian ka deklaruar se pret që Serbia t’i zbatojë sa më shpejt këto rekomandime. /Telegrafi/





