Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian miratuan të hënën sanksione ndaj kolonëve izraelitë të përfshirë në dhunë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme po thellohen edhe më shumë. Bëhet fjalë për izraelitë që jetojnë në kolonitë hebreje të ngritura në territoret palestineze të pushtuara, të konsideruara të paligjshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
Vendimi u bë i mundur pasi qeveria e re hungareze hoqi veton që kishte bllokuar prej muajsh marrëveshjen. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se “ishte koha të kalonim nga bllokimi te veprimi”, duke shtuar se “ekstremizmi dhe dhuna kanë pasoja”.
Reagimi i Izraelit ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar e quajti vendimin e BE-së “të motivuar politikisht” dhe pa asnjë bazë reale.
“Është tronditëse që BE zgjodhi të bëjë një krahasim mes qytetarëve izraelitë dhe terroristëve të Hamasit. Është një ekuivalencë morale tërësisht e shtrembëruar”, shkroi ai në X.
Këto zhvillime vijnë teksa Irani ka refuzuar propozimin amerikan me 14 pika për një memorandum që synonte t’i jepte fund konfliktit dhe t’i hapte rrugë negociatave intensive mes palëve në luftë që prej 28 shkurtit. Duke u gdhirë e hëna, Teherani iu përgjigj draftit amerikan me një letër disa faqëshe, ku paraqet kushtet e veta, por pa përmendur çështjen e programit bërthamor iranian dhe rezervat e uraniumit të pasuruar.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër, duke e cilësuar përgjigjen iraniane “totalisht të papranueshme”. Sipas raportimeve të “The Wall Street Journal”, përgjigjja e Iranit nuk adreson kërkesën kryesore të SHBA-së për programin bërthamor dhe rezervat e uraniumit shumë të pasuruar.
Read more:Të shtëna në Ngushticën e Hormuzit, SHBA dhe Irani hapin zjarr “të kufizuar” ndaj njëra-tjetrës
Ndërkaq, Irani ka sinjalizuar edhe afrimin me Kinën. Ambasadori iranian në Pekin, Abdolreza Rahmani Fazli, deklaroi se Teherani mbështet planin me katër pika të presidentit kinez Xi Jinping për sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët në rajonin e Gjirit Persik.
Në sfondin e këtyre tensioneve, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “në Iran ka ende punë për t’u bërë”, duke paralajmëruar se Teherani nuk duhet të ruajë kapacitete raketore dhe bërthamore.
BE vendos sanksione ndaj kolonëve izraelitë, reagon Tel Avivi: Vendim i papranueshëm i motivuar nga ide politike

Gideon Saar
Izraeli ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj kolonëve izraelitë të përfshirë në dhunë. Përmes një postimi në X, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar deklaroi se vendimi i BE-së është “i motivuar politikisht” dhe pa asnjë bazë reale.
“Izraeli e refuzon me forcë vendimin për të vendosur sanksione ndaj qytetarëve dhe organizatave izraelite. Bashkimi Europian ka zgjedhur të veprojë në mënyrë arbitrare për shkak të bindjeve të tij politike dhe pa asnjë bazë. Është tronditëse që BE zgjodhi të bëjë një krahasim mes qytetarëve izraelitë dhe terroristëve të Hamasit. Është një ekuivalencë morale tërësisht e shtrembëruar. Asnjë popull tjetër në botë nuk e ka të drejtën mbi tokën e vet kaq të dokumentuar dhe të konsoliduar sa populli hebre mbi Tokën e Izraelit”, deklaroi Sa’ar.
Sipas tij, kjo është një e drejtë “morale, historike dhe e njohur edhe nga e drejta ndërkombëtare”, ndërsa përpjekja europiane për të “imponuar opinione politike përmes sanksioneve” është, sipas Izraelit, e papranueshme.
Vizita e Trump afron Pekinin me Teheranin, Irani mbështet planin kinez për Gjirin Persik

Abdolreza Rahmani Fazli
Irani ka shprehur mbështetje për planin e paqes të propozuar nga Kina për rajonin e Gjirit Persik, vetëm pak ditë para vizitës së Donald Trump në Pekin. Ambasadori iranian në Kinë, Abdolreza Rahmani Fazli, shkroi në platformën X se Teherani është i gatshëm të mbështesë planin me katër pika të presidentit kinez Xi Jinping.
Read more:Kurti takon Kallas: Kosova, e përkushtuar për ecurinë e procesit të anëtarësimit në BE
“Republika Islamike e Iranit ka shpallur gatishmërinë e saj për të mbështetur planin me katër pika të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës, që synon krijimin e një sigurie të qëndrueshme dhe zhvillimi të përbashkët në rajonin e Gjirit Persik”, deklaroi ai.
Sipas ambasadorit, kjo çështje është theksuar edhe gjatë takimit mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve.
Tensionet në Lindjen e Mesme, Lituania propozon vendosjen e trupave në mbështetje të SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit

Lituania ka propozuar dërgimin e trupave për të ndihmuar SHBA-në në Ngushticën e Hormuzit.
Këshilli Shtetëror i Mbrojtjes, i kryesuar nga Presidenti lituanez Gitanas Nauseda, tha në një propozim drejtuar parlamentit se vendi mund të dërgonte deri në 40 ushtarë dhe personel në zonë.
Sipas transmetuesit lituanez LRT, Këshilli tha se miratoi vendosjen “e kapaciteteve ushtarake lituaneze… për të marrë pjesë së bashku me aleatët në operacionet ndërkombëtare të sigurisë detare që sigurojnë lundrim të lirë” në ngushticë.
Kjo lëvizje vjen ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca përgatiten të presin një takim me më shumë se 40 ministra të Mbrojtjes për të diskutuar planet për të mbrojtur transportin detar në rrugën kryesore të eksportit.
Read more:Trump do të “ushtrojë presion” mbi Xi të Kinës për Iranin
Drejtuesi i kompanisë që zhvilloi sistemin: Kupola e Hekurt Izraelite është 99% efektive, thuajse perfekte

Sistemi izraelit ‘Kupola e Hekurt’ ka qenë pothuajse 99% efektiv kundër raketave që vijnë nga Hamasi dhe Hezbollahu dhe ka kapur shumicën e atyre të qëlluara nga Irani, sipas drejtuesit të kompanisë që e zhvilloi sistemin.
Yuval Steinitz, kryetar i kompanisë shtetërore Rafael Advanced Defence Systems Ltd, tha se që nga sulmet e 7 tetorit 2023, rreth 40,000 raketa janë qëlluar drejt Izraelit nga grupet militante në Gaza dhe Liban.
“Iron Dome i kapi shumicën e tyre me një shkallë suksesi që nuk është 100%, por afër 100%. Është rreth 98%, madje 99%, kështu që nuk është perfekte, por pothuajse perfekte”, tha Steinitz.
Ndërkohë, Irani ka qëlluar rreth 1,500 raketa balistike drejt Izraelit gjatë luftës aktuale dhe një raundi të mëparshëm luftimesh në vitin 2024.
Sipas Steinitz, vetëm disa dhjetëra prej tyre nuk u rrëzuan nga Kupola e Hekurt.
Read more:Lituania propozon vendosjen e trupave për të mbështetur SHBA-në në Ngushticën e Hormuzit
Mediat iraniane: Vetëm një cisternë nafte ka kaluar në Ngushticën e Hormuzit në 24 orët e fundit, me lejen e Marinës sonë

Në 24 orët e fundit, vetëm një anije cisternë nafte ka kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, dhe e ka bërë këtë me lejen e Marinës Iraniane.
Lajmin e raportoi media iraniane IRIB, e cila theksoi se anija aktualisht është duke u drejtuar për në Vietnam.
Këtë mëngjes, agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se Agios Fanourios I, një supertanker (VLCC) i ngarkuar me naftë bruto irakiane dhe i drejtuar për në portin e Nghi Son në Vietnam, kaloi dje nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe aktualisht ndodhet në Gjirin e Omanit.
Raportet e mëparshme tregonin se anija, që mbante flamurin maltez, kishte kaluar nëpër Ngushticë ndërsa kishte fikur sinjalet e saj të vendndodhjes për të shmangur sulmet iraniane. Sipas një raporti të sotëm nga Tasnim, anija kaloi nëpër Ngushticë në koordinim me Iranin.
BE vendos sanksione ndaj pushtuesve izraelitë dhe organizatave të tyre

Foto: Flamuj të BE-së
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord për një raund të ri sanksionesh ndaj pushtuesve izraelitë dhe organizatave të akuzuara për mbështetje të aktiviteteve të paligjshme të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, njoftoi se BE-ja po vendos masa ndëshkuese ndaj organizatave izraelite që, sipas tij, mbështesin “kolonizimin ekstremist dhe të dhunshëm” në Bregun Perëndimor, si dhe ndaj drejtuesve të tyre.
“Bashkimi Evropian po vendos sanksione sot ndaj organizatave kryesore izraelite, fajtore për mbështetjen e kolonizimit ekstremist dhe të dhunshëm të Bregut Perëndimor. Këto akte shumë serioze dhe të patolerueshme duhet të ndalen pa vonesë”, shkroi Barrot në platformën sociale X.
Ai shtoi se BE-ja ka miratuar gjithashtu sanksione ndaj “udhëheqësve kryesorë të Hamasit”.
Sipas Barrot, Franca dhe partnerët evropianë synojnë të mbështesin zgjidhjen me dy shtete, ku Izraeli dhe Palestina të jetojnë “krah për krah në paqe dhe siguri”.
Vendimin e konfirmoi edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila deklaroi se ministrat e jashtëm “miratuan sanksione ndaj kolonëve izraelitë për dhunën kundër palestinezëve”.
“Ishte koha e duhur që të kalonim nga bllokimi në arritjen e qëllimit. Ekstremizmi dhe dhuna kanë pasoja”, shkroi Kallas në X.




