Një 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Sarandë, pasi dyshohet se posedonte armë zjarri dhe shiste lëndë narkotike në lokalin që administronte në qytet.
Gjatë operacionit policor të koduar “Administratori”, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar një pistoletë me municion dhe një sasi kokaine, të dyshuara si të destinuara për shpërndarje.
Njoftimi i Policise
Posedonte armë zjarri pistoletë dhe dyshohet se shiste lëndë narkotike Kokainë në lokalin që administronte, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë dhe një sasi Kokaine.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në ambiente dhe subjekte të ndryshme në qytetin e Sarandës, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë operacionit policor të koduar “Administratori”, u goditën një rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shitjes së lëndëve narkotike.
Për këto veprimtari kriminale u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 37 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë kontrollit në lokalin që administrohej nga ky shtetas, në lagjen nr. 4, Sarandë, si dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike Kokainë, e cila dyshohet se posedohej me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.




