Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Politikë
  3. Media e njohur italiane, “Il Foglio” shkruan për revoltën 35-ditore të shqiptarëve: Sheshet mbushen me njerëz që duan ta shohin “Edi Ramën në burg”, e konsiderojnë kriminel që ka hedhur Shqipërinë në gojën e ‘peshkaqenëve’
Politikë

Media e njohur italiane, “Il Foglio” shkruan për revoltën 35-ditore të shqiptarëve: Sheshet mbushen me njerëz që duan ta shohin “Edi Ramën në burg”, e konsiderojnë kriminel që ka hedhur Shqipërinë në gojën e ‘peshkaqenëve’

• 4 Korrik, 2026 • 15 min lexim • 👁 5
◉ WhatsApp 𝕏 X
News

Nga “Il Foglio”

Një protestë që nisi për të mbrojtur flamingot rozë është shndërruar në revoltën më të madhe qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës.

Në një analizë të gjatë të botuar nga e përditshmja italiane “Il Foglio”, Shqipëria përshkruhet si një vend ku zemërimi ndaj korrupsionit, ndërtimeve pa kufi, mungesës së transparencës dhe kapjes së institucioneve ka bashkuar mijëra qytetarë në një lëvizje që shkon përtej ndarjeve politike.

Sipas artikullit, “Revolucioni i Flamingove” nuk është më vetëm një betejë për mbrojtjen e natyrës, por simbol i një vendi që kërkon të mbrojë identitetin, të ardhmen dhe demokracinë e tij. Media italiane e njohur si pranë Georgia Melonit ka bërë një skaner të zhvillimeve në Shqipëri, ku i ka dhënë zë dhe të rinjve dhe arkitektëve të cilët denoncojnë ‘mbretërinë e kryeministrit Rama’.

NGA Nicola Mirenzi, IL Foglio

Faji për alarmin në Shqipëri janë flamingot rozë. Elegantë dhe të bardhë, ata arrijnë të jetojnë në baltë pa u ndotur. Këmbët e gjata, qafa e përkulshme: duken sikur kanë ardhur në tokë nga një ëndërr. Përcjellin një ndjenjë delikatese që të shtyn natyrshëm të duash t’i mbrosh. Edhe për këtë arsye janë bërë simboli i protestës së madhe që, prej më shumë se tridhjetë ditësh, mbush rrugët dhe sheshet e Shqipërisë kundër qeverisë së socialistit Edi Rama.

Protagonistë janë të rinjtë, por në të vërtetë lëvizja është gjithëpërfshirëse. Të gjithë thërrasin në kor: “Shqipëria nuk është në shitje.” Dhe zemërimin e kanë me etjen për ta futur vendin në modernitet duke u lënë dorë të lirë çdo sipërmarrësi të huaj që ka para për të ndërtuar. Një projekt pas tjetrit: fshatra turistikë, hotele luksoze, rrokaqiej. Pak rëndësi ka kujt i shërbejnë, kë dëmtojnë; e rëndësishme është të ndërtohen. Pa u kujdesur për brigjet, bukuritë natyrore, trashëgiminë peizazhistike dhe harmoninë urbane.

Prej vitesh ndodh kështu, denoncojnë protestuesit. Por kur, në fund të majit, puna arriti në zonën e mbrojtur pranë fshatit Zvërnec, afër Vlorës, gjithçka precipitoi. Është vendi ku dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, bashkëshorti i Ivankës, planifikon të ndërtojë një resort luksoz.

Nuk është e qartë si dhe kur. As çfarë synon të bëjë me flamingot rozë që jetojnë aty. Megjithatë, më 30 maj, në plazh shtrihet tela me gjemba. Autoritetet nuk shpjegojnë se çfarë po ndodh. Shpërthen një protestë. Një manifestues dëbohet nga punonjësit e sigurisë private dhe tërhiqet zvarrë për dhjetëra metra. Videoja përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale. Zemërimi rritet. Që nga dita pasuese, sheshet mbushen me njerëz që duan ta shohin “Edi Ramën në burg.”

Një turmë që e konsideron atë një kriminel. Një njeri që ia ka hedhur Shqipërinë në gojë peshkaqenëve. Njerëz me shumë para, shpesh për t’u pastruar, të mësuar të mendojnë se çdo gjë ka një çmim. Edhe flamingot rozë.

Read more:“Protestat, përmasa të pazakonta kundër Ramës, marrin pjesë mijëra qytetarë”, The Guardian: Demonstruesit, pa parti politike! Akuza “elitave” për korrupsion

E megjithatë, Edi Rama kishte arritur t’ia hiqte Shqipërisë nga supet imazhin e mallkuar të viteve nëntëdhjetë, viteve të tmerrshme të fundit të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai fitoi zgjedhjet e para në shtator 2013 dhe më pas edhe tre të tjera radhazi. Trembëdhjetë vjet të pandërprerë në pushtet, gjatë të cilave bëri që të harrohej koha kur shqiptarët largoheshin masivisht nga vendi në prag të luftës civile, mbi anije të mbushura me njerëz që kishin jetuar për dekada në një shtet-burg, pa marrëdhënie me botën e jashtme, aq i izoluar sa të besonte se Italia ishte Amerika, Toka e Premtuar.

Me Ramën, Shqipëria është bërë një vend shumë më i dëshirueshëm, një destinacion turistik, një vend ku është e mundur të investosh. Piktor përpara se të hynte në politikë në Partinë Socialiste, Edi Rama ka ekspozuar në Nju Jork dhe Berlin. Ka jetuar në Paris dhe ka shkruar për gazeta prestigjioze si The Guardian, The New York Times, The Independent dhe Frankfurter Allgemeine. Është meritë e tij që në vitin 2027 pritet të përfundojnë negociatat teknike për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, me synimin që vendi të anëtarësohet në vitin 2030.

Është ai që ka ndërtuar marrëdhëniet. Që ka kultivuar kontaktet. Gjithçka mes puthjeve, përqafimeve dhe përkuljeve me Giorgia Melonin, së cilës i lejoi të ndërtojë një qendër riatdhesimi në territorin shqiptar. Një marrëdhënie e veçantë me Emmanuel Macronin, i cili e konsideron “mik”. “Adhurimi” i yllit të progresizmit, Pedro Sánchez. Por ai ka arritur të lërë përshtypje edhe te Ursula von der Leyen. Përveç kësaj, një marrëdhënie e shkëlqyer me ish-kryeministrin hungarez Viktor Orbán. Shenjë se nuk ka barriera ideologjike që ta pengojnë të lëvizë me lehtësi.

Për të mos folur për Angela Merkelin. “Falë Edi Ramës,” – tha kancelarja – “Shqipëria po bën përparime të mëdha.”

Kështu gjendemi përballë alarmit që po dëgjohet në mbarë Shqipërinë disi të befasuar, si viktima të një flluske, me ndjesinë se jemi mashtruar nga një operacion i aftë marketingu politik.

Fatma Paja, një vajzë 28-vjeçare, i thotë Il Foglio-s: “Protestoj që prej 30 majit. Do të vazhdoj derisa Edi Rama të largohet. Nuk më intereson vapë sa bën. Do të bëj gjithçka që është e nevojshme.”

E rritur në një fshat të brendësisë së vendit, Fatma u transferua dhjetë vjet më parë në kryeqytet, Tiranë. Është dizajnere dhe punon me dy motrat e saj. Së bashku me një grup artistësh të tjerë krijoi kartonin me flamingon rozë që shfaqet në çdo protestë dhe që është bërë simboli i asaj që ata e quajnë, në anglisht, “Flamingo Revolution” – Revolucioni i Flamingove.

“Unë nuk jam kundër investimeve të huaja në Shqipëri,” – thotë ajo. “Jam kundër investimeve të huaja të menaxhuara në këtë mënyrë. Pa transparencë, pa rregulla, pa respekt për natyrën, për trashëgiminë tonë, pa marrë parasysh përfitimet ose dëmet që u sjellin atyre që jetojnë këtu. Kujt i shërbejnë gjithë këto resorte luksoze? Shqiptarëve që nuk kanë para të shkelin aty, apo oligarkëve që mund të vijnë këtu dhe të bëjnë çfarë të duan?”

Read more:Moska konfirmon incidentin në Kanalin Anglez: Fregata ruse hapi zjarr ndaj një veliere britanike

Edhe Bernie Sanders, heroi i vjetër i së majtës amerikane, e ka vlerësuar protestën duke përmendur të pasurit. Po ashtu edhe Ilaria Salis, e cila mbërriti në sheshin e Tiranës të dielën e kaluar.

Por ajo që më habit te Fatma – dhe ia them edhe asaj – është fakti që ajo ka zgjedhur të qëndrojë në Shqipëri, që nuk bën pjesë në atë përqindje të lartë shqiptarësh që çdo vit largohen nga vendi, ku 62 për qind janë nën moshën 35-vjeçare.

Ajo përgjigjet duke e kthyer përmbys pyetjen: “Nuk jemi ne ata që duhet të largohemi. Janë ata që duhet të largohen. Këta politikanë të korruptuar, qofshin të djathtë apo të majtë, janë të gjithë të përfshirë.”

Në shesh nuk thonë vetëm se duan Edi Ramën në burg. Thonë se duan aty edhe Sali Berishën, liderin e opozitës, një figurë me një karrierë të gjatë dhe të debatueshme në Shqipërinë postkomuniste.

Edi Rama fitoi kundër tij pasi, në nëntor të vitit 2012, Berisha pati idenë rrëqethëse të festonte 100-vjetorin e pavarësisë duke urdhëruar një flijim gjigant publik bagëtish. Qengja dhe desh të therur e të ngrënë në çdo cep të vendit.

“E imagjinoni Angela Merkelin dhe François Hollande-in që kërkojnë të vriten mijëra kafshë të pafajshme?” – kishte ironizuar Rama.

Sot, megjithatë, shumë e vendosin në të njëjtin plan me kundërshtarin e tij. I vjetri dhe i riu. Kozmopoliti dhe notabli i vjetër. Politikani që di të komunikojë në rrjetet sociale dhe ai që vazhdon të arsyetojë bardh e zi. Edhe për këtë arsye, Edi Rama reagoi ndaj protestës me bezdi. Fillimisht duke e injoruar, siç bënë edhe shumë media. Më pas duke përmendur ndërhyrje të huaja.

Shqiptarët, sipas tij, ishin bërë “mish për top” i një fushate botërore kundër Donald Trumpit. Pastaj tha se ishin viktima të një hakmarrjeje nga Irani, pasi qeveria shqiptare kishte strehuar një grup politik kundër ajatollahëve. Më pas erdhi edhe pista greke: Greqia që, sipas tij, po nxiste revoltën për t’i marrë turistët Shqipërisë.

Read more:Protesta/ Pas kërkesave, Goxhaj sot në hije të podiumit! Kokaj: Grupi koordinator me 40 vetë, s’kemi lider! Qytetarja i kundërvihet Arben Kolës: Po biem çdo ditë

Kur Financial Times e intervistoi, Rama iu përgjigj protestuesve me fjalë të rënda: “Njerëzit thonë se unë jam kreu i gjithë kësaj. Unë u përgjigjem: ‘Shkoni në djall’. Është e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam.”

Deklarata që ish-ministri i Jashtëm i dy qeverive të para Rama, Ditmir Bushati, i komentoi për Il Foglio me shqetësim:

“Duhet një reflektim serioz dhe një veprim konkret politik. Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”.

THE ALBANIAN FILES

I pafajshëm derisa të provohet e kundërta, Edi Rama ndodhet sot përballë bankës së të akuzuarve të opinionit publik europian. Kështu shkruan në një letër drejtuar La Repubblica Lajdi Sulaj, arkitekt dhe pedagog universitar që punon mes Milanos dhe Zyrihut, me origjinë shqiptare: “Besoj se prova kryesore që Edi Rama është një Kumbari (Padrino) është “një libër i sapo promovua nga qeveria, The Albanian Files: një katalog me 523 projekte të firmosura nga 60 arkitektë yje të huaj, që fotografon delirimin estetik të një ‘kryeministri mbret’ që vendos gjithçka i vetëm”.

Sulaj i tregon gazetës Il Foglio habinë e tij teksa shfletonte këtë libër me projekte të jashtëzakonshme dhe nuk gjeti brenda as emrin e një arkitekti shqiptar. “Është akti më i madh i mosbesimit ndaj arkitekturës së vendit tonë.”

Lajdi Sulaj shpjegon se Shqipëria është goditur nga një ethe ndërtimi, si pasojë e një ligji për investimet strategjike të miratuar në vitin 2015. Ligji përcakton disa sektorë kyç për rritjen e vendit dhe favorizon investimet e huaja që shkojnë në atë drejtim, duke garantuar procedura të lehtësuara, zero vlerësime të ndikimit në mjedis, ulje të kontrolleve, koncesione të lehta, edhe në zona të mbrojtura, ndërsa gjithçka centralizohet nga një komision që vendos sipas dëshirës.

Nëse në fillim mund të kishte pasur kuptim për të lëvizur ujërat dhe për të tërhequr kapital të huaj, pas kaq shumë vitesh funksioni i tij është transformuar plotësisht. Deri në pikën që, sipas Sulajt, “Shqipëria po kopjon më të keqen e Italisë së viteve Gjashtëdhjetë dhe Shtatëdhjetë”.

Read more:“The Albanian Files” dhe Shqipëria e vizatuar nga Rama në “librin e rozë”, nga ‘vrasësi i flamingove’ te arkitektura që luan Zotin

Por, ndryshe nga Italia e atyre viteve, ku kishte investime të mëdha publike në infrastrukturë, “në Shqipëri investimet janë të gjitha private dhe nuk ndjekin asnjë plan, nuk kanë asnjë qëllim kombëtar; është një spekulim i egër që nuk favorizon cilësinë e jetës së shqiptarëve”.

Cili është, në fakt, efekti konkret i investimeve luksoze në pasuri të paluajtshme? “Që rrisin çmimin e pasurive të paluajtshme, por ulin sistematikisht numrin e shqiptarëve që mund të blejnë një shtëpi për të jetuar.”

Bashkimi Europian kërkon që ligji për investimet strategjike të shfuqizohet. Përndryshe, negociatat teknike për anëtarësimin në BE do të mbeten të bllokuara. Kjo tregon se në Bruksel janë plotësisht të vetëdijshëm për problemet shqiptare. Dhe, nga ky këndvështrim, nuk ka shumë gjëra të reja: spekulimi, korrupsioni, prania e krimit të organizuar në ekonomi, pastrimi i parave të pista. Por edhe inflacioni, humbja e fuqisë blerëse të shtresës së mesme, mungesa e shërbimeve publike, veçanërisht një situatë katastrofike në shëndetësi dhe transport.

Ajo që i ka zënë në befasi zyrtarët europianë është se, këtë herë, një pjesë e shoqërisë shqiptare ka zgjedhur veprimin në vend të dorëzimit. Në vend që të largoheshin, shqiptarët kanë dalë në shesh dhe kanë vendosur të luftojnë.

Dhe, sipas politologut Blendi Kajsiu, kjo lidhet edhe me efektin e ngadaltë, por të pandalshëm, të një njësie speciale hetimore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e krijuar dhjetë vjet më parë. E ngritur nën presionin europian dhe amerikan, kjo njësi ka hyrë në funksion të plotë gjatë pesë viteve të fundit. Rezultati: një seri skandalesh që, pak nga pak, kanë minuar imazhin publik të sistemit politik.

“Kjo nuk është një revoltë kundër elitave – thotë Kajsiu për Il Foglio – është një protestë kundër klasës politike në tërësi.”

Skandali më i madh ka mbërritur shumë pranë Edi Ramës. Ai ka përfshirë zëvendëskryeministren e tij, Belinda Balluku, e akuzuar se ka manipuluar tenderë publikë me vlerë 200 milionë euro.

Deri në atë moment, Rama e kishte lënë njësinë të punonte pa e penguar. Më pas u vu kundër saj, e sfidoi, duke hyrë në një përplasje të drejtpërdrejtë me prokurorët.

Read more:“Rama jepe dorëheqjen”/ Sheshi plot për 23 ditë! The New York Times: Shqiptarët në protestë kundër qeverisë së korruptuar, jo kundër Trump

Kur, në nëntor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme urdhëroi pezullimin e zëvendëskryeministres nga funksionet publike, Rama e mbrojti me çdo kusht, duke e kundërshtuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Ai u tërhoq vetëm nën presionin e protestave në rrugë, duke e larguar nga qeveria dhe duke e zëvendësuar.

“Besoj se ai ishte një moment vendimtar për përgatitjen e protestës që sot është përhapur në të gjithë vendin.”

Tani Edi Rama është seriozisht i shqetësuar për të ardhmen e tij politike. Edhe pse këshilltarët e tij besojnë se ai ka ende një kartë për të luajtur: verën.

Vapa, me shumë gjasa, do t’i zbusë protestat. Dhe ai do të ketë mundësinë të marrë masa korrigjuese, të tregojë se e ka kuptuar mesazhin dhe të marrë vendime që do të ulin ndjeshëm arsyet për t’u rikthyer në sheshe në shtator.

Sigurisht, është e vështirë të imagjinohet se karizma e tij mund të ringjallet, apo se ai mund të dalë nga kjo situatë më i fortë se më parë.

Përshtypja është se në ndërgjegjen shqiptare ka lëvizur diçka shumë e thellë. Një ndjenjë që shkon përtej interesave të veçanta të njërit apo tjetrit. Një ndjenjë e një vendi në rrezik, do të kishte thënë Simone Weil. E cila, duke folur për dashurinë ndaj atdheut, thoshte se kur e duam atdheun, nuk duam madhështinë e tij, forcën e tij apo pushtetin e tij. Jo. Dashuria për atdheun është, mbi të gjitha, dashuri për brishtësinë e vendit tënd. Dashuri për atë që ekziston sot dhe që nesër mund të mos ekzistojë më.

Dashuri për atë që nuk duam të shkatërrohet, të shpërfytyrohet, të rrënohet, të përdhoset, të poshtërohet, të përçmohet apo të fshihet. Ndoshta pikërisht për këtë arsye flamingot rozë janë bërë një simbol kaq i përkryer i protestës. Qenie kaq të mrekullueshme dhe njëkohësisht kaq të pambrojtura, sa mishërojnë një atdhe të tërë.

Lexo edhe
Politikë

“Referendumi i Ramës është një rreth vicioz”/ Genc Burimi: Krizës i jep zgjidhje vetëm qeveria tranzitore

Politikë

Ministrja jep dorëheqjen nga bashkëdrejtimi i PS në Vlorë, Erjona Ismaili largohet nga posti

Tags: #Amerika #Anije #Bashkimi Europian #belinda balluku #Berlin #Bernie Sanders #Brigjet #Bruksel

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • “Referendumi i Ramës është një rreth vicioz”/ Genc Burimi: Krizës i jep zgjidhje vetëm qeveria tranzitore
  • Ministrja jep dorëheqjen nga bashkëdrejtimi i PS në Vlorë, Erjona Ismaili largohet nga posti
  • Bardhi bën thirrjen: Çmimi i naftës më i shtrenjti në Rajon, qeveria të ndërhyjë, të ulë taksat!
  • “E ka vendosur pa pyetur publikun!”/ Ina Zhupa: “The Albanian Files”, projekti i Ramës për një Shqipëri kundra shqiptarëve
  • Nga “Besa” te “Pasqyra Albania”/ Rama dje dhe sot! Kur ishte në opozitë premtimet e qeverisë i dukeshin dokrra, sot si kryeministër i “shet” për arritje (VIDEO)
Nga të njëjtat tag-e
  • “Jep dorëheqjen dhe arresto Balluku & CO”/ I moshuari thirrje Ramës: Ruhu nga mallkimi i pensionistëve që nuk kanë para të jetojnë e kurohen
  • Ina Zhupa: Ministri i Mjedisit Jaupaj mbrojti në Kushtetuese ligjin 21/2024 që BE kërkon të shfuqizohet. Ushtarët e partisë kundër interesit të Shqipërisë
  • BE e futi në ‘listën e zezë’, anijes së ‘flotës hije’ ruse i ndalohet ankorimi në Portin e Durrësit! Në 2025-ën theu embargon, transportoi 30 mijë tonë naftë ruse drejt Turqisë
  • Protesta para Kryeministrisë, aktivisti thirrje SPAK-ut: Veproni ndaj politikanëve të korruptuar, niseni me Ramën dhe Ballukun
  • LIVE- 3 muaj protestë kundër qeverisë! Oshëtijnë thirrjet në bulevard: O Ergys, o legen, prite Belindën se po vjen! Arrestoni Ramën!
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Kronikë Parandalohet vrasja në Kavajë/ I dhunuan nipin për pagesë, xhaxhai merr kallashnin dhe niset drejt hotelit për të vrarë autorët! Arrestohet djali i pronarit, tjetri në kërkim (EMRAT) 94 lexime · 2 ditë më parë
  2. 02
    Politikë “E ka vendosur pa pyetur publikun!”/ Ina Zhupa: “The Albanian Files”, projekti i Ramës për një Shqipëri kundra shqiptarëve 12 lexime · 19 orë më parë
  3. 03
    Politikë Shkarkoi nga burgu Anuela Ristanin/ Berisha: Veliaj sulm të hapur ndaj Ramës. Kryeministri është dobësuar, po bëhet një “kalë i ngordhur” 11 lexime · 2 ditë më parë
  4. 04
    Politikë “Ora e Agasit 500 mijë euro, dhuratë nga kryeministri”/ Berisha: Rama ka transportuar para jashtë Shqipërie me valixhe diplomatike. Ka bërë 140 fluturime që shkojnë 22 mln euro… 8 lexime · 2 ditë më parë
  5. 05
    Sociale Legjenda e vajzës që ndërtoi një urë për dashurinë, Rama sjell pamje nga ‘xhevahiri’ i fshehur i Matit (VIDEO) 8 lexime · 20 orë më parë
  6. 06
    Politikë “Agasi ishte vetëm një mekanizëm”/ Tabaku zbërthen sistemin me tri kolona: Në krye qëndron Rama, faturën e paguajnë shqiptarët 7 lexime · 2 ditë më parë
  7. 07
    Politikë “Agjenci për hetimin e parave të fshehura të qeveritarëve”/ Berisha: Pasuria e Ramës, është një kafe në krahasim me 300 apartamentet e “Lubisë”! AKSHI… 7 lexime · 2 ditë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Politikë

“Referendumi i Ramës është një rreth vicioz”/ Genc Burimi: Krizës i jep zgjidhje vetëm qeveria tranzitore

Më në fund Rama lëshon pak pe për të mos lëshuar frerët e pushtetit. Ai pranon logjikën e…

• 13 orë më parë • 2 min lexim
Politikë

Ministrja jep dorëheqjen nga bashkëdrejtimi i PS në Vlorë, Erjona Ismaili largohet nga posti

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka njoftuar sot dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së…

• 14 orë më parë • 3 min lexim
Politikë

Bardhi bën thirrjen: Çmimi i naftës më i shtrenjti në Rajon, qeveria të ndërhyjë, të ulë taksat!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për çmimin e karburanteve në Shqipëri, duke…

• 18 orë më parë • 4 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
    • Kronikë
    • Politikë
    • Sociale
  • Editoriale
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by
    ►
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    ►
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    ►
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    ►
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    ►
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by