Policia e Kukësit ka zbuluar një parcelë me 215 bimë kanabisi në fshatin Gështenjë, si dhe ka sekuestruar rreth 3 kilogramë lëndë narkotike.
Dyshohet se kultivimi i parcelës është kryer nga një 63-vjeçar dhe djali i tij, M. R., 29 vjeç. Të dy janë shpallur në kërkim, ndërsa efektivët ushtruan kontroll në banesën e 63-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 3 kilogramë lëndë narkotike kanabis. Për këtë rast u vu nën hetim në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, V. R., 52 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” nën hetim dhe edhe kryeplaku i fshatit Gështenjë.
Pas zbulimit, e gjithë sasia e bimëve narkotike u asgjësua me djegie.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zabeli”.
Si rezultat i operacionit, në njësinë administrative Kalis, në territorin e fshatit Gështenjë, në vendin e quajtur “Zabeli i Madh”, u konstatuan të kultivuara 215 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me djegie. Nga hetimet paraprake dyshohet se bimët janë kultivuar nga shtetasit F. R., 63 vjeç, dhe M. R., 29 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Gështenjë, të cilët u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll edhe në banesën e shtetasit F. R., 63 vjeç. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 3 kilogramë lëndë narkotike kanabis. Në vijim, u procedua në gjendje të lirë bashkëshortja e 63-vjeçarit, shtetasja V. R., 52 vjeçe, për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Gjithashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi S. R., me detyrë kryetar i fshatit Gështenjë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Read more:Has/ Kishin kultivuar 1874 bimë kanabis, në pranga babë e bir! Në kërkim djali tjetër (EMRAT)
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.




