Ditën e sotme nis zbatimi i amnistisë penale për mbi 1300 të burgosur, nga të cilët 541 lirohen sot. Ligji, i cili u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj, tashmë ka hyrë në fuqi. Prej tij përfitojnë edhe gra e të mitur.
Sipas ligjit të miratuar me votën e 84 deputetëve, 81 ligjvënës socialistë dhe tre të PSD, do të përfitojnë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe nëse vendimi i Apelit nuk është zbardhur ende.
Mes emrave të njohur është ai i Rozeta Dobit, sanitares së ish-zyrtares Alda Klosi, në shtëpinë e së cilës u gjetën 500 mijë euro të cilat pretendonte se ia kishte dhënë shefja e saj për t’i ruajtur. Dobi ishte dënuarme 4 vite e 8 muaj burg.
Erisa Fero, ish-punonjësja e AKSHI-t që u kap me 58 kilogram kanabis, gjithashtu do të lirohet, si edhe mësuesja Marsela Pushani, e cila vrau motrën e saj të alkoolizuar.
Lirohet gjithashtu Florian Përvathi, i dënuar me 8 vite burg për vrasjen e Lek Legjonajt, vëllait të vrasësit të babait të tij. Mes përfituesve është edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja.
Sipas ligjit, liri do të përfitojnë burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime më të lehta gjobë, apo dënime të tjera alternative, gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta. Po ashtu lirohen burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim si dhe gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim.
Një tjetër kriter përfitues është dhe mosha. Burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë kryer veprën penale, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.
Jashtë amnistisë mbeten të dënuarit për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, dhe shumë vepra të tjera të rënda. Gjithashtu nuk do të përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, pra ata që janë fshehur, arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimit penal.
Të gjitha veprat që bien nën juridiksionin e SPAK, dhe të gjithë personat që kanë një vendim nga GJKKO nuk do të mund të përfitojnë pavarësisht për çfarë janë dënuar.
Përfituesve të tjerë u falet ndjekja penale për disa kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët.
Lajm në përditësim…
94 të burgosur në Rrogozhinë lënë qelinë (VIDEO)
94 të burgosur kanë lënë ambientet e burgut të Rrogozhinës pas zbatimit të amnistisë penale. Ata janë pritur jashtë nga familjarët.
127 të burgosur në Kosovë të Lushnjes përfitojnë nga amnistia penale (VIDEO)
127 të dënuar kryesisht për vepra të lehta penale kanë përfituar nga amnistia në burgun e Kosovës në Lushnje.
Të liruarit kanë qenë të dënuar kryesisht për vepra të lehta penale si përdorimi dhe shitja e narkotikëve, si dhe vepra të tjera me marzh të ulët rrezikshmërie.
Në këtë burg të sigurisë së ulët me kapacitet prej 190 personash, përfitojnë ulje dënimi dhe rreth 40 të burgosur të tjerë.
Lirohen 60 të burgosur në Drenovë: Duhej! Më pret një jetë e re
60 të dënuar janë liruar nga burgu i Drenovës ditën e sotme si rezultat i amnistisë penale, ndërsa nga burgu i grave në Pojskë kanë fituar lirinë 11 të dënuara dhe 8 të tjera kanë përfituar ulje të dënimit me 1.5 vite.
Një i burgosur për trafik ndërkombëtar droge, thotë se i kishin mbetur edhe 20 muaj burg nga 6.8 që ishte dënimi. Gjysmën e dënimit e ka kryer jashtë kufijve dhe ka përfituar nga dy amnisti.
“Edhe 1 vit kisha, jo më shumë. Deshëm ca burg se djemtë duhet të bëjnë ca burg. Duhet të hyjë njëherë djali. Edhe vështirë, edhe mirë”, shprehet ai.
Ndërsa një tjetër, i dënuar me 9 vite burg prej të cilave vuajti 5, thotë se e pret një jetë e re, por jo pa sfida.
“Shumë e vështirë ishte. Një jetë e re. Do ta kem të vështirë të gjej punë”, tha ish i burgosuri.
Amnistia penale/ Vodhi mbi 500 mijë euro në shtëpinë e Alda Klosit, lirohet sanitarja Rozeta Dobi (VIDEO)
Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e më shumë se 500 mijë eurove nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, është liruar këtë të mërkurë nga burgu i grave në Pojskë, pasi përfitoi nga amnistia penale.
Emri i saj u bë i njohur në fillim të vitit 2023, kur u arrestua nën akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa ku punonte si pastruese prej disa vitesh.
Hetimet zbuluan një shumë edhe më të madhe parash. Gjatë kontrollit në banesën e Dobit, policia sekuestroi 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri të fshehura në tubin e aspirimit. Gjithashtu, u sekuestruan 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja.
Read more:Arratisja e Hasan Verracakut në Shkodër, gjykata cakton masën ‘detyrim paraqitje’ për 4 policët
I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar edhe për burgun, më ka bërë mirë
Nga amnistia penale kanë përfituar 101 të burgosur në Reç.
Sapo doli nga burgu i Reçit, Igli Muhameti falënderoi Zotin për këtë moment dhe tha se vuajtja e dënimit ishte një përvojë e vështirë, por ka nxjerrë mësime.
“Jam krenar edhe për këtë burgun që kam bërë, më ka bërë mirë. Në Shqipëri nuk rrihet. Kam 3 fëmijë dhe s’më takon të bëj kaq burg sa kam bërë se dola përdorues. Duhet ndonjëherë të bësh, por sa më pak. Ka shumë njerëz të pafajshëm brenda”, u shpreh Muhameti.
Ilir Shkafja, i cili ka përfituar vetëm 11 ditë nga amnistia, pati rezerva për këtë periudhë.
“Periudhë shumë e keqe. Ushqim katastrofë, as derrat nuk i hanë. Kushtet nuk janë siç thotë Edi Rama”, tha ai.
Rifitoi lirinë prej amnistisë, ish i burgosuri në Fier: Në Shqipëri s’jeton dot pa shkelur ligjin, bën vaki rikthehem
Një i burgosur që ka fituar lirinë pas vuajtjes së dënimit prej 3 vitesh në burgun e Fierit, thotë se në Shqipëri është e pamundur të jetosh nëse nuk shkel ligjin.
“Vuajta 3 vjet, për shkelje të ligjit. Përfitova 2 muaj. Sot do të iki në Tepelenë. Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin. Nuk di me çfarë do ta mbaj familjen. Bën vaki të kthehem prapë, ku ta dish”, përfundoi ai.
I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht, do të kërkoj drejtësinë! Mbi dy vjet pa takuar familjen
Besmir Gjezari është një nga të burgosurit në burgun e Drenovës që lënë qelinë duke përfituar nga amnistia penale. Në një deklaratë për mediat, ai tregon se është dënuar me 5 vite dhe ka vuajtur 2 vite e 7 muaj, për prodhim dhe shitje droge.
Këtë akuzë ai e mohon dhe thotë se është dënuar padrejtësisht, teksa akuzon oficerin e Policisë Gjyqësore, Mariglen Beqon. Sipas Gjezarit, Beqo ka marrë kërcënime nga njerëz të drejtësisë. Ish i burgosuri thotë se tani do të kërkojë drejtësi pasi për dy vite nuk është lejuar as të takojë familjarët.
“Unë jam akuzuar për lëndë narkotike, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg. Vuajta dy vite e shtatë muaj. Dhe unë nuk jam kapur me asnjë lloj gjëje. Jam dënuar padrejtësisht nga ana e Prokurorisë së Korçës dhe Gjykatës, dhe këtë e kam nga oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. E ka me tendencë. Nga ai u nis ajo. Dhe më ka marrë dhe familjen në qafë ai dhe kam dy vite e kusur këtu që s’po takoj dot familjen time. Do ta kërkoj drejtësi dhe kjo është vetëm fillimi. Sa kam dalë, do t’i nis të gjitha gjërat nga e para. Nuk i kam takuar familjarët se nuk i ka lejuar prokurorja. Atë çështje që s’kam pasur, dhe ky ndikim ka qenë nga oficeri i policisë gjyqësore për të më hequr dhe padrejtësisht takimin, të drejtën e fëmijës. Se kam një fëmijë të mitur, të moshës 3 vjeçare dhe e kam lënë gati një vit, një vit e pak, dhe nuk e kam takuar, nuk e kam parë. Nga padrejtësitë që më ka bërë oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. Ai ka marrë dhe presion e kërcënime nga njerëz të drejtësisë, dhe ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë dhe familja ime. Jam i kërcënuar me jetë, si unë dhe familja ime. Më kanë kthyer gjëra personale. Për çfarë, oficeri i policisë gjyqësore se unë nuk e di dhe nuk e kuptoj akoma përse, arsye. Për çfarë ka ndikuar mos takimi me familjen dy vite e kusur këtu, takimet me njerëzit e mi? Unë nuk e kuptoj se çfarë ka bërë vaki këtu. Dhe të më hiqet e drejta e fëmijës padrejtësisht, se ndikon oficeri i policisë gjyqësore. Për çfarë arsye? Atë e di ai, dhe këtë do ta kërkojmë me drejtësinë. Po, normale, që po, normale. Jam familjar, kam një fëmijë të mitur, kam një biznes timin, dhe dua t’i përkushtohem familjes”, përfundoi ai.




