Një i ri që mori fjalën në protestën e 48-të para Kryeministrisë deklaroi se Shqipëria duhet të njihet në arenën ndërkombëtare për sukseset e qytetarëve të saj dhe jo për skandalet që, sipas tij, e shoqërojnë vendin. Në fjalën e tij, ai solli si shembull nxënësin Loris Qose, duke thënë se të rinjtë me rezultate të larta meritojnë më shumë mbështetje nga shteti.
I riu ngriti gjithashtu shqetësime për gjendjen e shërbimeve publike, duke përmendur sistemin shëndetësor, furnizimin me ujë dhe sigurinë. Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me protestën.
“Shqipëria ka synuar të jetë në radarin e shteteve të mëdha. Në sytë e sfidave nuk jemi dorëzuar ndonjëherë. Kemi dashur të njihemi si vend, por këta pushtetarët tanë po e bëjnë në mënyrë të gabuar. Mediat ndërkombëtare po vijnë në Shqipëri për gjerat e gabuara jo për arritjet e shqiptarëve. Dua të kthej vëmendjen te koncerti i Kanye West. Unë dua të rikujtoj disa prej shembujve se si mund t’i kishim përdorur ato para. Në Shqipëri është një djalë Loris Qose që ka fituar medalje në matematikë. Ai djali duhet të ishte krenari kombëtare. Shteti nuk zgjodhi që t’i jepte një biletë falas, por e bëri mësuesja e tij. Dua t’i japim një duartrokitje mësueses së tij. E dimë mirë skandalin dhe mënyrën se si janë katandisur spitalet tona. Është turp kombëtar që një shqiptar mesatar të vuaj për nevojat bazike shëndetësore, apo të ujit dhe të sigurisë. Ndaj e shoh sa herë që vij në këtë shesh, sytë e protestuesve tanë kanë shpresë në sy. Shqipëria mund të bëhet më e mirë. Ndaj të gjithë personave që mendojnë që Shqipëria meriton më shumë; eja në protestë!”, tha ai.




