Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet në tregun valutor në përpjekje për të frenuar zhvlerësimin e euros.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, banka qendrore ka blerë 95.5 milionë euro përmes ndërhyrjeve në treg, gati trefish më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u blenë 33.2 milionë euro. Nëse përfshihen edhe ankandet e programuara, totali i blerjeve arrin në 139.6 milionë euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këto ndërhyrje synojnë forcimin e rezervës valutore dhe zbutjen e luhatjeve të kursit të këmbimit. Megjithatë, pavarësisht blerjeve, euro ka vijuar rënien, duke zbritur në nivelet më të ulëta historike përballë lekut.
Për të gjithë vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë nga tregu 330 deri në 450 milionë euro, një objektiv më i lartë se ai i vitit të kaluar.
Ndërkohë, rezerva valutore ka arritur një rekord prej 7.669 miliardë eurosh, rreth 889 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Nga ana tjetër, forcimi i lekut ka sjellë efekte të përziera në ekonomi. Ministria e Financave vlerëson se është ulur pesha e borxhit të jashtëm, ndërsa administrata doganore ka raportuar se zhvlerësimi i euros i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 100 milionë euro nga të ardhurat.
Ekspertët parashikojnë se, gjatë kulmit të sezonit turistik, hyrjet e larta të valutës nga turistët, remitancat dhe investimet mund të vazhdojnë ta mbajnë nën presion euron, duke e bërë të vështirë kthimin e saj në nivele më të larta, edhe pse Banka e Shqipërisë po shton ndërhyrjet në treg. Aktualisht, 1 euro këmbehet me rreth 93 lekë.




