Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka vijuar edhe këtë mbrëmje në Sheshin Skënderbej, duke shënuar ditën e 62-të të tubimeve. Protestuesit kanë përcjellë mesazhet e tyre përmes pankartave, ku një pjesë e tyre u fokusuan te zhvillimet e fundit në çështjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pas vendimit të GJKKO-së për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie. Një prej pankartave ironizonte këtë vendim, duke shkruar: “I fshiu paratë e shëndetësisë me sterilizim. Tani fshin shtëpinë me regjim! Vjedh në spitale, mbrohet në pallate.”.
Një tjetër mesazh i protestuesve lidhej me kërkesën për hetim dhe përgjegjësi për zyrtarët e lartë. “Peshku i madh ha të voglin. Po peshkun e madh kush e heton? Të mëdhenjtë nuk janë mbi ligjin. Llogaridhënie për të gjithë! SPAK heton. Qytetarët presin përgjigje”, thuhej në pankartë.
Protestuesit kanë përsëritur gjithashtu vendosmërinë për të vijuar tubimet edhe në ditët në vijim, përmes mesazheve si: “62. Nesër edhe më shumë” dhe “SPAK heton. Qytetarët presin përgjigje.”.




