Një zjarr i madh ra pak para mesnatës në zonën mes fshatrave Asim Zeneli dhe Saraqinisht, në Bashkinë e Gjirokastrës.
Flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me barishte dhe shkurre, ndërsa terreni i vështirë dhe bimësia e dendur e bënë ndërhyrjen të vështirë. Në operacion u angazhuan të gjitha forcat e MZSH Gjirokastër, zjarrfikës nga bashkitë fqinje dhe forcat vullnetare të Bashkisë Gjirokastër.
Pas rreth tetë orësh përpjekjesh, zjarri u izolua dhe u fik plotësisht. Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, pasi flakët ishin shpërndarë në katër vatra të ndryshme. Organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, një vatër zjarri ka rënë pas mesnate edhe në zonën e Palasës, pak pasi kalohet tuneli i Llogarasë, duke alarmuar banorët dhe pushuesit e zonës. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet zjarrfikëse u nisën drejt vendit të ngjarjes dhe kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët, duke shmangur përhapjen e tyre në një sipërfaqe më të madhe. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa situata po monitorohet nga shërbimet zjarrfikëse.




