Protestuesi Erikleo Çepa, i ftuar në studion e News24, ka folur lidhur me revoltën që vijon prej më shumë se 60 ditësh, ndërsa ditën e sotme shënohet protesta e 65-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë fjalës së tij, Çepa u ndal te ndikimi që kjo lëvizje e gjatë ka pasur në skenën politike, duke theksuar se frika dhe mosbesimi janë instaluar brenda radhëve të politikës. Sipas tij, ka pasur informacione se disa deputetë të PS po përgatisin deklarata për t’u shpallur të pavarur, duke ndjekur shembullin e Marjana Koçekut, ndërsa nuk përjashtohen as dorëheqjet apo përplasjet e forta të brendshme.
“Protesta ka ngjallur një frikë te politika, kanë një mosbesim te njëri-tjetri. Ca deputetë po përgatisin deklarata për të dalë deputetë të pavarur. Marjana Koçeku doli e pavarur. Ka informacione që thonë se mund të ketë deputetë të bërë gati për dorëheqje, por mund të ketë edhe përplasje të brendshme,” u shpreh Çepa.
Duke folur për objektivin e kësaj proteste, ai nënvizoi se qëndrueshmëria e qytetarëve funksionon si një forcë e bashkuar që qeveria nuk mund ta menaxhojë lehtësisht. Çepa theksoi se mosmarrëveshjet dhe përçarjet brenda Partisë Socialiste po bëhen gjithnjë e më të dukshme përballë këtij presioni të vazhdueshëm.
“Synimi i kësaj proteste, në optikën time, është se jemi një grusht aq i fortë sa kryeministri nuk i pranon dot gjuajtjet e këtij grushti një pas një. Kemi parë mosmarrëveshjet dhe përçarjet në PS. Nëse këto zmadhohen brenda PS, kemi parë se frika është bërë e madhe,” përfundoi ai.




