Aktivisti Arben Kola ka bërë thirrje nga protesta para Kryeministrisë për një mobilizim të diasporës shqiptare, duke njoftuar se emigrantë nga jashtë vendit pritet t’u bashkohen protestuesve në shesh më 14, 15 dhe 16 gusht.
Kola e cilësoi diasporën si “zemrën e Shqipërisë dhe shqiptarisë”, duke kërkuar pjesëmarrjen e saj në protestë.
“Ftojmë mërgatën që të na bashkohet në shesh më 14, 15 dhe 16 gusht, pasi pa mërgatën nuk ka Shqipëri. Ajo është zemra e Shqipërisë dhe shqiptarisë”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, aktivisti kritikoi situatën në turizëm dhe politikat ekonomike të qeverisë, duke ngritur shqetësime për çmimet e larta, kostot e jetesës dhe zhvlerësimin e euros.
Ai akuzoi qeverinë se nuk po arrin të menaxhojë problematikat që, sipas tij, po ndikojnë negativisht në turizëm.
“Kush po i kthen turistët? Ata që shtojnë jahtet në Palasë dhe Dhërmi apo kjo protestë, apo problemet që po përballon vendi? Kush po i largon turistët? Mbeturinat, çmimet e larta, nafta më e shtrenjtë në Europë dhe zhvlerësimi i euros”, tha Kola.
Ai shtoi se rënia e euros dhe rritja e kostove po ndikojnë drejtpërdrejt te punonjësit dhe bizneset, duke theksuar se turizmi për vitin 2026 përballet me sfida serioze.




