U deshën gati 24 orë luftë intensive nga toka dhe ajri që zjarret në fshatrat përreth Tiranës të shuhen, ndërkohë që autoritetet janë ende në terren për çdo eventualitet. Pika më e rëndësishme panoramike mbi Tiranë, mali i Dajtit, këtë mëngjes, thuajse ishte zhdukur pas reve të dendura të tymit, duke krijuar pamjen e një qyteti të mbuluar nga mjegulla.
Në fakt, e gjitha është pasojë e zjarreve që shpërthyen që prej pasdites së të mërkurës në zonën e Priskës, dhe era i zbriti poshtë drejt Gurrës, Farkës dhe Lundrës, në një luginë me bimësi të dendur. E gjithë kjo zonë që ishte e gjelbëruar, sot është e mbushur me njolla të zeza nga hiri i flakëve.
Beteja për të shuar këto vatra, që u kthyen gati në rrezik për banesat në zonën e Daiasit në Lundër ka nisur që mbrëmë dhe vetëm në orët e pasdites së sotme, u arrit që flakët të viheshin nën kontroll. Edhe këtë të enjte në terren ishin forca tokësore dhe dy helikopterë ndërhyrja nga ajri.
“Zjarri kishte nisur para 3-4 ditësh te zona në kufi me Priskën. E prisnim që do të vinte, ishte shumë afër me shtëpinë. Larguam familjarët, erdhën policia e zjarrfikëset. Te ato shtëpitë aty ka pasur nja 3 familje siç kam dëgjuar, ka pasur bagëti e gjëra që më duket janë djegur”, tha më herët Albert Spahiu, banor në Daias, teksa shtoi se zjarri ishte gati 100 metra larg nga zona e banuar.
“Mund të ketë filluar rreth orës 16:00. Këtu kam pronën me ullinj, unë jetoj në Allias. Dhëndri ka qenë deri në katër të mëngjesit, por zjarri nuk erdhi te ullinjtë. Zjarri fillimisht ka rënë në Priskë dhe më pas u përhap më tej”, tha më herëtRamazan Çullhaj, banor i Daias.
Në një intervistë telefonike për Report Tv, prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, nuk e përjashtoi mundësinë që vatrat e zjarrit në kryeqytet të jenë të qëllimshme.
“Kemi 5 vatra shumë larg njëra-tjetrës. Nuk përjshtohet zjarrvësna e qëllimshme, pasi kanë shpërthyer në të njëjtën ditë”, tha Hajdari.
Sikur të mos mjaftonte zjarrit, në Daias dhe në Lundër, uji, elementi më i çmuar në këto momente, mungoi. Çarja e një tubi në linjën e transmetimit në zonën e TEG kufizoi furnizimin e tyre me ujë.
Flakët kishte edhe më në thellësi të malit të Dajtit, mbi tunelet e Qafë Mollës, ku sipas ministrisë së Mbrojtjes, u punua për shuarjen e vatrës në pyllin me pisha.
Ndërkohë prej tre ditësh, zjarri vijon të djegë Parkun Kombëtar të Lurës. Flakët kanë përfshirë masivin me pishë të zezë dhe bredha, ndërsa beteja për shuarjen e tyre vijon nga toka dhe ajri. Dy avionë po ndërhyjnë pa ndërprerje në zonat e prekura, ndërsa rreth 220 forca janë angazhuar në operacion.
Situatë e rënduar raportohet edhe në Lugaxhi të Elbasanit, ku zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Në terren po punojnë forca zjarrfikëse, të pyjores, bashkiake dhe vullnetarë, ndërsa një vatër e re është evidentuar edhe në Shalës të Cërrikut. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë u izolua vatra e zjarrit në Drenie, Lofkend e Ngraçije të Mallakastrës dhe në zonën pyjore të Gjinoqares.
Në Përmet janë dy vatra zjarri, ajo në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Vatrat ndodhen në terren të vështirë malor, por nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në malin e Moravës në Devoll, vijon ndërhyrja në një zonë me pyll pishe, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Mirditë, aktive mbeten vatrat në Valcë-Tenë dhe në Trojë. Vatra në Vilëz të Kurbinit është në monitorim.
Në Vaun e Dejës vijon vijon ndërhyrja për shuarjen e një vatre në pyll me pisha.
Fier/ Përfshihet nga flakët masivi pyjor i Peshtanit, zjarri larg zonave të banuara (VIDEO)
Masivi pyjor me pisha i Peshtanit në Fier është përfshirë nga flakët pasditen e sotme.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se zjarri është aktiv në zonën e pyllëzuar, larg banesave.
Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për neutralizimin e flakëve, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës.
14 vatra zjarri aktive në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Situatë e rënduar në Gurë-Lurë të Dibrës dhe Elbasan! Flakët në ‘kurorën’ e Tiranës vihen nën kontroll

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim të situatës së zjarreve në vend deri në orën 18:00 të 13 gushtit, duke raportuar 31 vatra të evidentuara gjatë ditës, ndërsa aktualisht vijojnë 18 vatra zjarri, prej të cilave 14 aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar në mënyrë të koordinuar strukturat vendore dhe qendrore. Vetëm nga Forcat e Armatosura janë vënë në dispozicion 309 efektivë, 22 mjete, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor, krahas mjeteve të tjera të emergjencës.
Një nga zonat ku situata paraqitet më e vështirë është Gurë-Lura në Dibër, ku zjarri vijon me intensitet të lartë në dy drejtime. Forcat në terren kanë arritur të vendosin nën kontroll perimetrin pranë banesave, duke shmangur rrezikun për to. Në operacion janë angazhuar dhjetëra forca bashkiake, të Forcave të Armatosura, policisë, ADZM-së dhe vullnetarë, me mbështetjen e dy avionëve Air Tractor.
Situatë e rënduar raportohet edhe në Lugaxhi të Elbasanit, ku zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Në terren po punojnë forca zjarrfikëse, të pyjores, bashkiake dhe vullnetarë, ndërsa një vatër e re është evidentuar edhe në Shalës të Cërrikut. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt të Tiranës, zjarri vijon mbi tunelet e Qafë-Mollës, si dhe në aksin Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar forca të MZSH-së, ADZM-së, vullnetarë dhe helikopterë të Forcave të Armatosura. Por gjatë pasdites flakët janë vënë nën kontroll. Edhe në këtë zonë, autoritetet deklarojnë se nuk ka rrezik për banesat.
Në Abaze të Krujës, zjarri mbetet aktiv dhe është favorizuar nga era, ndërsa operacioni po mbështetet edhe nga një helikopter. Banesat nuk paraqiten në rrezik.
Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel të Përmetit vijojnë disa vatra në zona pyjore dhe kullota, ndërsa në Trojë të Mirditës po punohet për izolimin e zjarrit.
Në Finiq, zjarri në Dhivër vijon të mbahet nën operacion me forca nga disa bashki dhe mbështetje ajrore. Ndërkohë, vatra në Rumanxë është shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.
Në zonën Mallakastër–Patos, vatrat në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar dhe po monitorohen. Puna vijon në ekonominë pyjore të Gjinoqarës. Në Kryezi të Fushë-Arrëzit, zjarri është nën kontroll, ndërsa në Rrencë dhe Goraj-Budishtë vijon operacioni për izolimin e plotë.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në të gjitha zonat problematike, me fokus të veçantë mbrojtjen e zonave të banuara dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Vënia nën kontroll e flakëve në Drenie të Patosit e Lofkand, shefi i emergjencave pranë Prefekturës Fier: Po monitorojmë të gjithë perimetrin e vatrave të zjarrit
Shefi i emergjencave pranë Prefekturës së Fierit, Kreshnik Ymeraj, ka reaguar pas vënies nën kontroll dhe izolimit ditën e sotme të vatrave të zjarrit në Drenie të Patosit, Lofkand, Ngraçije dhe Gjinoqar.
Përmes një njoftimi për mediat, Ymeraj falënderon të gjithë ata që kanë operuar në terren për të bërë të mundur shuarjen e flakëve në qarkun Fier, teksa shton se strukturat e bashkive Mallakastër e Patos do të jenë në monitorim të vazhdueshëm të të gjithë perimetrit të vatrës së zjarrit.
Reagimi i shefit të emergjencave pranë Prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj:
Duke falënderuar gjithsecilin që ka operuar sot në terren, por edhe gjatë ditëve të mëparshme, besoj se kemi arritur të vëmë nën kontroll një nga zjarret më të vështira në qarkun Fier.
Strukturat e bashkive Mallakastër dhe Patos do të jenë ne monitorim të vazhdueshëm ne gjithë perimetrin e vatrës së zjarrit.
Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë shkon për të gjitha trupat e Forcave të Armatosura, Bazën Ajrore Farkë, AKMC-në, Efektivet e Mzsh-ve, të cilat janë angazhuar këto ditë në terren.
Në veçanti, falënderoj Komandantin Gëzim Marku për mbështetjen, koordinimin dhe kurajën që na ka dhënë gjatë gjithë këtij operacioni.
Mirënjohje për Komandën Ajrore Farkë, Komandant Ervin Buzin dhe Bedri Kaloshin, për orët e gjata në fluturim dhe për efikasitetin e lartë të treguar në operacion.
Një falënderim i veçantë edhe për Ilirjan Hasanajn, i cili çdo ditë ishte aty me ne, duke ofruar mbështetje, koordinim dhe kurajë.
Falënderoj gjithashtu median lokale të Fierit për profesionalizmin e treguar në dhënien e informacionit dhe pasqyrimin e situatës.
Faleminderit të gjithëve!
Shqipëria është e jona!
Zjarri në Priskë, shiu u vjen në ndihmë zjarrfikësve për izolimin e vatrës
Ndërsa në Priskë vijon puna për izolimin e plotë të vatrës nga toka dhe ajri, shërbimit zjarrfikës u ka ardhur ndihmë edhe nga qielli.
Një rrebesh shiu në këtë zonë ka bërë që intensiteti i vatrës së zjarrit të ulet.
Zjarr në fshatin Lugaxhi të Elbasanit, i afrohet zonave të banuara (VIDEO)
Një zjarr ka përfshirë mesditën e sotme masivin pyjor në fshatin Lugaxhi, në Njësinë Administrative Labinot Mal, duke avancuar drejt zonës së banuar.
Zjarrfikësit, emergjencat civile dhe banorët janë angazhuar për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave. Terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin afrimin pranë vatrave dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencave.
Rrezikoi masivin pyjor me pisha, vendoset nën kontroll vatra në Fushë-Arrëz (VIDEO)
Një tjetër vatër zjarri u shfaq mesditën e kësaj të enjte në masivin pyjor në Fushë Arrëz. Vatra e zjarrit e shfaqur në afërsi të fshatit Orosh dhe rrezikonte të hynte në pyjet me pisha. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur vendosjen nën kontroll.
Fushë Arrëzi është ndër zonat më me risk sa i përket shfaqjes së zjarreve në pyjet e pishës së zezë që përbën 70% të sipërfaqes pyjore.
Zjarri, qytetari: Flakët nisën fillimisht në Priskë, më pas u hapën si pasojë e erës (VIDEO)
Pas zjarrit të rënë në Lundër e Priskë Ramazan Çullhaj, një banor i Tiranës thotë për Report Tv, se zjarri ka nisur dje pasdite rreth orës 16:00.
Ai shton se zjarri ka rënë në Priskë, por për shkak të erës është përhapur edhe më tej.
“Mund të ketë filluar rreth orës 16:00. Këtu kam pronën me ullinj, unë jetoj në Daias. Dhëndri ka qenë deri në katër të mëngjesit, por zjarri nuk erdhi te ullinjtë. Zjarri fillimisht ka rënë në Priskë dhe më pas u përhap më tej. Zjarri u shua me ndihmën e helikopterit. Policia dhe shërbimet zjarrfikës kanë qenë gjithë natë. Njerëz të lënduar nuk ka”, tha qytetari Ramazan Çullhaj.
Zjarret në Tiranë, prefekti Hajdari për Report Tv: 5 vatra në kryeqytet, dyshohen të qëllimshëm! Kemi një përmirësim
Shkëlqim Hajdari, preferkti i qarkut të Tiranës një intervistë për Report Tv nuk e përjashtoi mundësinë që vatrat e zjarrit në kryeqytet të jenë të qëllimshëm.
“Kemi 5 vatra shumë larg njëra-tjetërs. Nuk përjshtohet zjarrvësna e qëllimshme, pasi kanë shpërthyer në të njëjtën ditë. Për fatin e mirë zjarri nuk ka prekur banesa dhe biznese. Tani detyra jonë është t’i izolojmë të gjitha vatrat.Jemi në një situatë të përmirësuar.
I bëj thirrje qyterarëve të Tiranës që të rrisin vigjilencën për të mbrojtur territorin. Çdo zjarr ka qenë i vogël dhe më pas është bërë i madh”, tha Hajdari.
Tymi pushton horizontin e Tiranës, vatrat e zjarrit në kurorën e gjelbër mbeten aktive (VIDEO)
Në këto pamje të Report TV, kjo zonë e kryeqytetit duket e mbuluar nga një perde tymi të bardhë e të dendur. Nga tarracat e pallateve të Tiranës, sytë të shkojnë automatikisht drejt malit të Dajtit, ku në kurorën e gjelbër dallohen ende vatra që vazhdojnë të lëshojnë tym të bardhë. I gjithë horizonti mbi zonë të kryeqendrës së Shqipërisë duket i zbardhur, ndërsa tymi është përhapur në një zonë masive.
Edhe pse situata dukej më e qetë këtë mëngjes në fshatin Daias, mes Lundrës dhe Priskës, pas tre vatrave që u shfaqën mbrëmjen e së mërkurës, zjarri nuk është shuar plotësisht. Pamjet me dron të Report TV tregojnë se tymi vazhdon të ngrihet nga vatrat, flakët e të cilave raportohet se janë shtrirë në drejtim të Gurrës, Farkës dhe Lundrës.
Për shuarjen e flakëve kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga dy helikopterë.
Prej disa ditësh në flakë, izolohet vatra në Drenie të Patosit
Vatra e zjarrit në Drenie të Patosit, ajo në Lofkand dhe në Ngraçije janë izoluar këtë mërkurë nga zjarrfikësit që prej disa ditësh kanë qenë në luftë me flakët.
Nga ana tjetër pas disa orësh punë është shuar edhe zjarri në Gjinoqar.
Zjarri në Tiranë, banori nga Gurra e Madhe: Ishte 100 metra larg shtëpive! U larguam dhe u rikthyem kur erdhën zjarrfikësit (VIDEO)
Një banor i Gurrës së Madhe, njërit prej fshatrave në Tiranë të prekur nga zjarri, thotë se flakët u afruan shumë pranë shtëpive. Banori, i quajtur Albert, thotë se zjarri ishte vetëm 100 metra larg dhe për siguri, u larguan nga banesat për t’u rikthyer me të mbërritur zjarrfikësit.
-Si ka qenë situata dje me zjarrin?
Alberti: Shumë e vështirë. Zjarri kishte nisur para 3-4 ditësh te zona në kufi me Priskën. E prisnim që do të vinte, ishte shumë afër me shtëpinë. Larguam familjarët, erdhën policia e zjarrfikëset.
-Te zona që ndodhemi, ka pasur banorë?
Alberti: Te ato shtëpitë aty ka pasur nja 3 familje siç kam dëgjuar, ka pasur bagëti e gjëra që më duket janë djegur.
-Sa afër ju ka ardhur zjarri?
Alberti: Gati 100 metra larg.
-Sot jeni rikthyer në banesa?
Alberti: Po.
-Po natën keni fjetur aty?
Alberti: Po, kur erdhi zjarrfikësja u kthyem.
Aktive vatra në Perlat-Mirditë, vijon operacioni për shuarjen (VIDEO)
Vijon ndërhyrja për izolimin dhe mbajtjen nën kontroll të vatrës së zjarrit në fshatrat Perlat-Epër dhe Trojez në Mirditë. Aktualisht, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin e të gjithë vijës së zjarrit në një sipërfaqe të mbuluar me pyll lisi dhe shkurre.
Sipas vlerësimit të fundit në terren, presioni i vatrës së zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe situata vijon të jetë nën kontroll.
Zjarret/ 45 vatra në 24 orë, 12 ende aktive! 1100 forca në terren, 3 helikopterë e 2 avionë, 418 hektarë sipërfaqe e djegur

45 vatra raportohen në 24 orët e fundit në vend, prej të cilave 12 aktive dhe 1 në monitorim. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, janë përfshirë 72 automjete, 1100 forca në terren, 5 helikopterë e 2 avionë.
Vatrat janë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau i Dejës. 418 hektarë sipërfaqe janë djegur dhe 250 rrënjë ulliri janë dëmtuar.
Njoftimi:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë aktive dhe 1 është në monitorim.
Në operacione janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë përfshirë 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë operimet 167 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Operacionet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau të Dejës, me ndërhyrje të koordinuara nga toka dhe ajri.
Në të gjitha zonat, prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara, si dhe izolimi e shuarja sa më e shpejtë e vatrave aktive.
Nga raportimet e deritanishme rezultojnë rreth 418 hektarë sipërfaqe të djegur dhe 250 rrënjë ullinj të dëmtuara.
AKMC dhe të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren.
Shfaqet vatër zjarri në Bubq

Foto ilustruese
Një tjetër vatër zjarri është raportuar në Bubq, për të cilën ka shkuar në ndihmë zjarrfikësja e Vorës.
Zjarri në Priskë/ Vullnetarët e ‘Illyrian Guard’ në terren për shuarjen e flakëve

Trajnimi dhe certifikimi i vullnetarëve të Illyrian Guard u vu sot në provë, pasi në orët e para të mëngjesit ata iu bashkuan forcave zjarrfikëse në terren për përballimin e zjarrit në zonën e Priskës, pranë Farkës.
Vullnetarët dhanë kontributin e tyre në mbështetje të forcave që menaxhuan situatën, ndërsa në terren ishte edhe administratori i Illyrian Guard, Florenc Spaho, i cili ndoqi nga afër angazhimin e ekipeve.
Të trajnuar për situata emergjente, vullnetarët tashmë janë pjesë e një strukture të gatshme për të ofruar mbështetje konkrete në raste zjarresh dhe emergjencash, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse.
Zjarri në Tiranë/ Përmirësohet situata në fshatin Daias, po punohet nga toka dhe ajri (VIDEO)
Situata duket të jetë përmirësuar këtë mëngjes në fshatin Daias mes Lundrës e Priskës, pas shfaqjes së 3 vatrave mbrëmjen e së mërkurës. Forcat zjarrfikëse nga terreni dhe një helikopter kanë ndërhyrë për shuarjen. Zjarrfikësit janë përqendruar më shumë pranë zonave të banuara, kurse helikopteri po vepron në ato që janë më të vështira për t’u depërtuar.
Mallakastër/ 70 forca punojnë për vatrat e zjarreve në Lofkënd-Ngraçije dhe Gjinoqare (VIDEO)
Në Mallakastër vijon puna për izolimin e vatrës në masivin pyjor Lofkënd-Ngraçije.
Në Gjinoqare, strukturat po operojnë por zjarri ka zgjeruar perimetrin, megjithëse intensiteti është më i vogël. 70 forca janë aktivizuar në këto operacione.
Lura në flakë prej 3 ditësh, digjet masivi me pishë të zezë! Report Tv sjell pamjet me dron
Lufta me zjarret në Lurë vijon pa ndërprerje prej 3 ditësh. Siç tregojnë pamjet me dron të siguruara nga Report Tv, një avion ‘Air Tractor’ ka nisur tashmë ndërhyrjen nga ajri mbi masivin me pishë të zezë dhe bredh në këtë Park Kombëtar.
Sipërfaqe të tëra janë djegur, ndërsa ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit.
P.J/R.Xh/Shqiptarja.com





LAJMET MË TË VLERËSUARA