Partia e Lirisë ka reaguar për situatën e zjarreve në vend, duke e cilësuar gjendjen si “katastrofike”, ndërsa ka propozuar katër masa për përballimin e situatës dhe mbështetjen e zjarrfikësve dhe qytetarëve të prekur.
Në një deklaratë, Blushi akuzon qeverinë për menaxhim të dobët të situatës dhe kritikon mungesën e mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme për zjarrfikësit. Ai shpreh gjithashtu mirënjohje për punën e tyre, por thekson se “nuk mund të kërkosh heroizëm nga zjarrfikësit për të fshehur paaftësinë e shtetit”.
Sipas Blushit, zjarrfikësit përballen me rrezikun çdo ditë, ndërsa ende nuk kanë marrë shpërblimet dhe pagesat për orët shtesë të punës gjatë këtyre ditëve.
Read more:Ngërçi politik në Kosovë/ PDK, AAK dhe LDK kërkojnë sa më shpejt vazhdimin e seancës konstituive
Partia e Lirisë kërkon, së pari, shpalljen pa vonesë të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjitha zonat e dëmtuara nga zjarret, me qëllim garantimin e dëmshpërblimit për qytetarët që kanë humbur pronat dhe pasuritë e tyre.
Së dyti, Blushi i kërkon Presidentit të Republikës të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për hartimin e një strategjie të përbashkët dhe koordinimin e institucioneve, duke mobilizuar burimet kombëtare dhe duke siguruar mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare.
Së treti, sipas Partisë së Lirisë, qeveria duhet t’i drejtohet menjëherë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, me argumentin se prioritet duhet të jetë shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e pasurive publike e private.
Së katërti, kërkohet pagesa e menjëhershme e të gjitha orëve shtesë për zjarrfikësit, dhënia e të paktën një page shpërblim dhe pajisja e tyre me mjetet dhe veshjet profesionale të nevojshme për ndërhyrjet në terren.
Read more:BIRN: I sfiduar nga protesta e Flamingove, Rama forcon sektorin e propagandës
DEKLARATA
Shqipëria po përballet me një situatë katastrofike por jo të papritur nga zjarret, që kanë shkrumbuar pyje, ullishte, dru frutorë, kullota, pasuri privat e publike, duke rrezikuar seriozisht jetë njerëzish dhe vetë stabilitetin social të komuniteteve të prekura.
Në shumë zona të vendit, situata është jashtë kontrollit, mijëra hektarë tonë janë përvëluar, ndërsa Edi Rama vazhdon të vazhdon të shëllehet në Dhërmi, sillet asgjë nuk po ndodh.
Është jo vetëm e papranueshme, por krim me dashje, që pas vitesh zjarresh shkatërruese, Edi Rama vijon të ulë fondet për emergjencat civile kur ndërkohë vit pas viti emergjencat shtohen dhe Shqipëria ende nuk ka as edhe një avion të vetin zjarrfikës.
Pamjet dramatike të zjarrfikësve që luftojnë me flakët me degë shkurresh, pa pajisjet, mjetet dhe veshjet profesionale që kërkon një ndërhyrje e tillë është skandaloze.
Mirënjohje maksimale dhe nderim për sakrificat e zjarrfikësve, që po përballen me flakët në vijën e parë të betejës duke kryer me shumë përgjegjshmëri detyrën e tyre, por nuk mund të kërkosh heroizëm nga zjarrfikësit për të fshehur paaftësinë e shtetit.
Këta heronj që paguhen me paga qesharake, përballen me rrezikun çdo ditë dhe, për më tepër, ende nuk kanë marrë shpërblimin që u takon dhe as pagesat për orët shtesë të punës në këto ditë të jashtëzakonshme.
Ndërsa zjarrfikësit sakrifikojnë, Edi Rama nuk e ve ujin në zjarr, por vijon të mos ndërpresë pagesat për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston dhe të financojë aferat qindra milionshe, pa kryer asnjë shërbim, nga tenderat për tigrat rangallë të Vlorës e deri te tenderat sekretë që nuk po ndalen as në pikun e vapës.
Duke patur prioritet absolut, interesin publik, mbrojtjen e pronave, pasurisë, jetës dhe shëndetit të qytetarëve, në zonat e prekura nga zjarri, Partia e Lirisë kërkon menjëherë
Së pari, shpalljen pa asnjë vonesë të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjitha zonat e dëmtuara nga zjarret, me qëllim garantimin e dëmshpërblimit të plotë për qytetarët që kanë humbur pronat dhe pasuritë e tyre.
Së dyti, i kërkojmë Presidentit të Republikës të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për një strategji të përbashkët dhe koordinim real të të gjitha institucioneve, duke mobilizuar çdo burim kombëtar dhe duke siguruar mbështetjen ndërkombëtare të nevojshme.
Së treti, qeveria duhet t’i drejtohet menjëherë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, sepse në këtë situatë prioritet absolut është shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e pasurive publike e private, jo propaganda e qeverisë.
Së katërti, Partia e Lirisë kërkon kryerjen e pagesës së menjëhershme të të gjitha orëve shtesë për zjarrfikësit, dhënien pa as më të voglën vonesë të së paku një page shpërblim dhe pajisjen e të gjithë atyre që janë në vijën e parë të luftës me flakët me të gjitha mjetet dhe veshjet e duhura profesionale.
Nuk mund të dërgohen njerëz në vijën e zjarrit të veshur si për të dalë në rrugë dhe pastaj të quhen “heronj” pasi kanë rrezikuar jetën.
Shqipëria nuk po digjet vetëm nga zjarri, por nga korrupsioni, shpërdorimi dhe papërgjegjshmëria ekstreme e një shteti që ka braktisur qytetarët e vet.
Ndaj në kushtet kur Qeveria i ka braktisur qytetarët dhe zjarrfikësit, duke i lënë në mëshirë të fatit, Partia e Lirisë u bën thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura nga zjarri, të solidarizohen, të vetëorganizohen dhe të mos e braktisin njëri-tjetrin, por të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur jetën, shtëpitë dhe pasuritë e tyre.
Sepse Edi Rama dhe shteti është me pushime, por flakët jo.




