Një zjarr ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë të godinës, dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e pallatit.
Burimi kanë qenë dy frigoriferët në hyrje të lokalit që dyshohet se kanë pësuar defekt në qarkun elektrik.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit. Ndërkohë, godina fillimisht është evakuuar për shkak të rrezikut.
Si pasojë e zjarrit, disa persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Sipas të dhënave paraprake, 7 persona janë transportuar në spital, nga të cilët 3 prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Katër të tjerë ndodhen në sallën e operacionit. Mësohet se këta të fundit janë në gjendje të qëndrueshme, ndonëse me djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Gjashtë prej të lënduarve janë shqiptarë të Kosovës, ndërsa një tjetër është nga Rrësheni. Veç tyre, kishte edhe turistë të huaj nga Polonia e Ukraina.
Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, një pjesë e personave që ndodheshin në godinë kanë dalë nga dritaret, duke u hedhur prej tyre.
E gjithë godina është shkrumbuar thuajse plotësisht. Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.
Lajm në përditësim…
Zjarri në hotelin në Vlorë, pushuesi polak: Nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura

Një pushues nga Polonia ka treguar si e kuptuan që në hotelin Brooklyn në Lungomaren e Vlorës ku po qëndronin, kishte rënë zjarr.
“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, thotë djali.
Zjarri në hotelin në Vlorë, Report Tv siguron momentin kur pushuesit hidhen nga ballkoni për të shpëtuar (VIDEO)
Report Tv ka siguruar momentin kur pushuesit brenda hotel Brooklyn në Lungomaren e Vlorës që mori flakë këtë mëngjes, përpiqen të shpëtojnë. Kamera e sigurisë konfirmon dëshminë e tyre se për të shpëtuar janë hedhur nga ballkoni. Nga ndërtesa del tym i dendur, ndërsa ata kalojnë bordurat mbrojtëse të ballkoneve dhe hidhen.
Zjarri te hoteli në Lungomare, shefi i reanimacionit në Vlorë: 3 pacientë me djegie i dërguam në Tiranë, 2 te Trauma! Një vajzë në gjendje të rëndë (VIDEO)
Nga personat e dëmtuar në zjarrin që përfshiu hotelin në Lungomare të Vlorës, gjashtë kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës, nga të cilët pesë prej tyre janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Dy persona janë nisur drejt ‘Traumës’, tre në departamentin e djegieve në QSUT, ndërsa njëri prej të dëmtuarve po trajtohet në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Vlorës. Në gjendje të rëndë shëndetësore është një vajzë, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, thotë shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.
Zjarri në hotelin në Vlorë, pushuesi nga Kosova rrëfen ngjarjen: Ishim në gjumë, pamë tym në korridor! Kërcyem nga ballkoni (VIDEO)
Një prej pushuesve nga Kosova që ndodhej në hotelin i cili mori flakë në orët e para të mëngjesit rrëfen nga barela ku ndodhet në spital momentin e parë që kuptuan se kishte rënë zjarr.
“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë i riu.




