Zjarret në vend mbeten një problematikë edhe këtë të shtunë. Gjatë ditës së sotme janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 7 janë nën mbikëqyrje, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Në Gojan-Gjegjan, Pukë –Vatrat e zjarrit që kanë mbetur duket se nuk janë më rrezik për fshatin Gojan i Madh, në hyrjen e të cilit vijoin të jenë të dislokuara ende disa mjete zjarrëfikese. Në brendësi të Gojanit situata duket e qetë, teksa gjurmët e një dite më parë janë të dukshme në çdo kënd të fshatit. Disa nga familjet e evakuara janë rikthyer drejt banesave.
Shtanë–Tenë, Mirditë – operacioni vijon me forca zjarrfikëse, strukturave vendore, shërbimit pyjor dhe FA-së. Nuk ka rrezik për banesat.
Mali i Dajtit –vijon ndërhyrja me 30 forca zjarrfikëse, dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Shtuf, Mirditë– vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore. Gjatë operacionit për shuarjen e flakëve, një ushtar i Forcave të Armatosura është plagosur. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës. Report Tv ka mësuar se i lënduar është 28 vjeçari Andrea Kaçi, i cili ka marrë plagë në kokë pasi është rrëzuar nga një shkëmb, dhe aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në gjendje stabël.
Në Dukat të Vlorës, zjarri është vendosur në kontroll pas dy ditëve në luftë me flakët. Për shmangien e riaktivizimit të të tij, shërbimi zjarrfikës ndodhet në terren për monitorimin e zonës.
Në operacionet për shuarjen e plotë të vatrave janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
U rrëzua nga një shkëmb gjatë shuarjes së flakëve, plagoset ushtari i Forcave të Armatosura në Mirditë (EMRI)

Një ushtar i Forcave të Armatosura është plagosur gjatë aksionit të shuarjes së zjarreve në zonën e Mirditës. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës.
Report Tv ka mësuar se i lënduar është 28 vjeçari Andrea Kaçi, i cili ka marrë plagë në kokë pasi është rrëzuar nga një shkëmb, dhe aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në gjendje stabël.
Në spitalin e Traumës ndodhet edhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi për ta vizituar.
Zjarr në pyllin e Pishporos në Vlorë, pritet ndërhyrja e zjarrfikësve (VIDEO)
Një zjarr ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e Pishporos, në territorin e Njësisë Administrative Novoselë, Vlorë.
Flakët janë përhapur në sipërfaqen e pyllëzuar, duke rrezikuar masivin me pisha. Ende nuk dihen përmasat e sakta të zonës së përfshirë nga zjarri dhe nëse ka rrezik për banesat apo zonat e banuara pranë saj.
Forcat zjarrfikëse pritet të ndërhyjnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Vatër zjarri në Ersekë, digjet një sipërfaqe toke, dyshohet të ketë nisur nga varrezat

Një vatër zjarri është evidentuar në zonën e Kagjinasit, në Ersekë.
Pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur menjëherë dy mjete zjarrfikëse. Aktualisht po punohet për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.
Vatra e zjarrit fillimisht mendohet të ketë nisur në varrezat e fshatit ndërsa nga flakët është përfshirë edhe një sipërfaqe toke.
Zjarri në Gojan të Pukës, administratori apostolik i dioqezës së Sapës: Malet e Shqipërisë janë bërë shkrumb e hi nga pakujdesia (VIDEO)
Administratori apostolik i dioqezës së Sapës, Atë Mariano Tarantino shprehu keqardhje që malet e vendit tonë janë bërë shkrumb e hi si pasojë e pakujdesisë.
Në veçanti ai theksoi edhe situatën e vështirë në Gojan të Pukës, ku disa shtëpi janë djegur.
Në mesazhin e tij ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët të kujdesen për mjedisin dhe të mos vënë zjarre.
“Si kishë katolike po ndjekim situatën e zjarreve në mënyrë të veçantë në Gojan të Pukës, ku zjarri ka djegur edhe përpirë çdo gjë. Malet e Shqipërsië janë bërë shkrumb e hi për shkak të pakujdesisë sonë. Një falenderim shkon për të gjithë ata që kanë fikur zjarret. Ne duhet të jemi më të kujdesshëm në ruajtjen e mjedisit, kjo është përgjegjësia e të gjithëve”,tha ai.
Dy ditë në luftë me flakët, vihet nën kontroll zjarri në Dukat të Vlorës dhe malin e Çikës (VIDEO)
Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu zonën e Dukatit dhe malin e Çikës është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.
Pavarësisht neutralizimit të flakëve, zjarrfikësit vijojnë punën në terren, në një zonë të vështirë malore, me qëllim shmangien e riaktivizimit të vatrave nga era dhe parandalimin e rindezjes së zjarrit.
Zjarri, i cili prej më shumë se dy ditësh përfshiu këtë zonë, dogji një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe pisha, ndërsa ndërhyrja e forcave në terren vijon për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm të rindezjes.
P.J/E.H/Shqiptarja.com





LAJMET MË TË VLERËSUARA