E kthyer në traditë prej vitesh, festa e Koranit solli një atmosferë të veçantë për qytetin e Pogradecit.
Organizatorët për të pestin vit me radhe, i shtuan liqenit rasat Korani duke pasuruaer florën e veçantë të Ohrit.
Martin Jaçe kryetar i OMP tha se ky është viti i pestë radhazi që hidhet kjo sasi rasati, ndërsa sipas tij mbijetesa e rasatit në liqen është e lartë. Ai theksoi se rritja e koranit lidhet edhe me respektimin e rregullave të peshkimit dhe luftën ndaj gjuetisë së paligjshme.
Read more:E rëndë në Pogradec, 30-vjeçari hidhet nga varka në liqen dhe ndërron jetë (EMRI+VIDEO)
“Ky vit është i pesti rradhazi që në liqenin e Ohrit hedhim rasat të stabilizuar që ka mbijetesë të lartë në liqen. Hedhja e rasatit ka dhënë rezultat pozitiv në kapjen e peshkut që shtohet dita ditës, duke zbatuar rregullat e gjuetisë dhe eliminuar paligjshmërinë, korani është në shtesë” tha ai.
Edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari, e cilësoi koranin një pasuri të veçantë të liqenit, duke deklaruar se akuakultura dhe peshkimi do të vijojnë të jenë pjesë e politikave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
“Vit për vit ka pësuar rritje. Këtë vit do hedhim 2 milionë rasat. Është rasat autokton. Dëshirojmë që edhe pala tjetër ta bëjë këtë gjë. Ka pasur një marrëveshje vite më parë, tani nuk kemi. Ne do të vazhdojmë të mbështesim akua kulturën e krapit dhe peshkut dhe politikat do të fokusohen në këtë drejtim” tha Jaupllari
Festa u shoqërua edhe me promovimin e traditës së gatimit të koranit. Kuzhinierë dhe pogradecarë sollën në tryezë receta tradicionale, mes tyre korani në tavë me qepë, domate, hudhra, dafinë e borzilok, si dhe gatime me arra, verë e najazmë.
Për kuzhinierët vendas, korani është më shumë se një peshk. Ai është pjesë e identitetit dhe traditës gastronomike të Pogradecit. Një prej kuzhinierëve me 35 vite eksperiencë në përgatitjen e tij e cilësoi tavën e koranit si një nga gatimet më të veçanta të qytetit.
“Peshku koran është më i mirë se salmoni. Pogradecarët kanë gatuar tërë jetën në tava dheu. Kemi koran me qepë, domate, hudhra, dafinë, borzilok. Receta tradicionale është edhe me arra dhe me verë. Kemi shumë tava korani nga tradita jonë” tha njëri prej tyre.
“Festa e Koranit” i dha një atmosferë të veçantë qytetit , i cili veç banorve vendas gjatë këtij sezoni po mirëpret dhe shumë vizitorë e turistë që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet atje.




