Konsultimi publik për rishikimin e ndarjes administrativo-territoriale në Elbasan është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte propozimi për bashkimin e Bashkisë Elbasan me Cërrikun dhe Belshin. Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh në mbështetje të zgjerimit të bashkisë qendër, duke argumentuar se një organizim më i gjerë territorial do të mundësonte integrim më të madh të shërbimeve, administrimit dhe planifikimit.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Blendi Himçi kritikoi mënyrën e zhvillimit të konsultimit, duke ngritur pikëpyetje nëse qytetarët janë informuar dhe përfshirë realisht në proces apo nëse dëgjesat po zhvillohen vetëm si një formalitet. Edhe ish-kryebashkiaku i Elbasanit, Ardian Turku, kërkoi kujdes dhe analiza të thelluara përpara marrjes së një vendimi. Ai ngriti pyetjen nëse është bërë një vlerësim i plotë i rezultateve dhe problematikave të reformës territoriale të vitit 2014. Turku theksoi se një reformë e re duhet të mbështetet në të dhëna, analiza dhe argumente, duke kërkuar që debati të mos mbetet vetëm në nivelin e përplasjes politike. Kritika për konsultimin u shprehën edhe nga këshilltari i opozitës, Ergys Muzhaqi, i cili kërkoi më shumë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, shumica e të pranishmëve në dëgjesën e Elbasanit u shprehën pro projektidesë për zgjerimin e bashkisë qendër. Konsultimet publike do të vijojnë në kuadër të procesit kombëtar për rishikimin e hartës territoriale, ndërsa në Elbasan debati pritet të përqendrohet te ndikimi që bashkimi me Cërrikun dhe Belshin do të kishte në shërbimet publike, administrimin dhe përfaqësimin e komuniteteve.




