Një bombol gazi ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një banesë në Markatomaj të Lezhës. Sipas informacioneve paraprake raportohet për 6 persona të lënduar, pjesëtarë të së njëjtës familje.
Ata janë dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Tre prej tyre u dërguan drejt spitalit me auto-ambulanca, ndërsa tre të tjerët u dërguan me automjete private nga fqinjët dhe familjarët e tyre.
Mësohet se tre prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie të shumta në trup. Ndërkohë njëri prej tyre, kryefamiljari Saimir Kola, është transportuar me urgjencë drejt Tiranës, për ndihmë më të specializuar dhe ndodhet në rrezik për jetën.
Të dëmtuar nga flakët kanë mbetur edhe dy fëmijë, me plagë të lehta në trup. Bombola e gazit ka qenë jashtë objektit, në pjesën e pasme të shtëpisë. Të gjithë anëtarët e familjes jetonin në Itali dhe kishin ardhur në vendin tonë pasi nesër kishin një dasëm, ku do të martonin vajzën e vëllait.
Forcat zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje, ndërkohë që nga pamjet duket se shpërthimi i fortë, i cili u dëgjua në të gjithë zonën, ka shkaktuar dëme të shumta materiale në banesën 2 katëshe. Në vendngjarje janë edhe efektivët e Policisë, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë/Informacion paraprak-Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Read more:Zjarret, 7 vatra ende aktive! Ndërhyrje nga ajri në Malin e Dajtit dhe në Vajkal të Bulqizës (VIDEO)
Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Lajm në përditësim…
Shpërthimi me 6 të lënduar në Lezhë, flet i afërmi i familjes Kola: Sajmiri martonte nesër vajzën e vëllait! Fillimisht kujtova se u ça ndonjë gomë kamioni
Një bombël gazi shpërtheu mbrëmjen e sotme në banesën e familjes Kola në Markatomaj të Lezhës, duke lënë të lënduar 6 pjesëtarë të familjes.
Të afërm të familjes Kola (kushërinj) kanë folur për Report Tv, duke thënë se anëtarët e familjes Kola që mbetën të plagosur, kishin ardhur në Shqipëri për dasmë, pasi nesër do të martohej vajza e vëllait të Saimir Kolës (i cili mbeti më rëndë i lënduar nga shpërthimi).
Read more:Shpërthen një bombol gazi në Podujevë, lëndohen tri persona
Po ashtu, i afërmi i familjes Kola tha se fillimisht kishte kujtuar se kishte shpërthyer një gomë kamioni, por më pas u informua nga një shok për ngjarjen. Ai tregoi gjithashtu se bombola e gazit që shpërtheu ishte vendosur jashtë banesës.
“Nuk e di orën në të cilën ndodhi. I kemi kushërinj. Këta jetojnë në Itali. Kanë ardhur për pushime dhe kanë pasur një dasëm, martonin vajzën e vëllait. Unë mendova se është ndonjë gomë makine e tonazhit të rëndë dhe thashë kurrgjë tjetër, kur më mori një shok e më tha ‘ika se është lënduar Saimir, ka plasur një bombol’. Bombola ka qenë jashtë”, tha një prej të afërmve të familjes Kola.
R.Xh/Shqiptarja.com





LAJMET MË TË VLERËSUARA