Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është bërë anëtar i plotë i Rrjetit SafeJournalists që prej muajit gusht. Lajmi është konfirmuar nga vetë AGSH në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare.
Në deklaratë theksohet se ky hap i mbështetur nga European Endorment for Democracy (EED), e sjell Shqipërinë në të njëjtin model të bazuar te shoqatat e gazetarëve që qëndron në themel të funksionimit të Rrjetit në rajon.
Po ashtu ky hap forcon lidhjen e drejtpërdrejtë institucionale ndërmjet SafeJournalists dhe komunitetit të gazetarëve në Shqipëri.
“Pas gjashtë vitesh pune të SafeJournalists në Shqipëri, Rrjeti hyn në një fazë të re që forcon pronësinë kombëtare dhe vendos edhe më qartë gazetarët dhe përfaqësimin e tyre profesional në qendër të punës së tij në vend.
Shqipëria iu bashkua kuadrit rajonal të monitorimit të SafeJournalists në vitin 2020. Që prej asaj kohe, Blerjana Bino ka drejtuar punën kërkimore dhe monitoruese të Rrjetit në Shqipëri, duke dokumentuar shkeljet ndaj gazetarëve, hartuar vlerësimet vjetore për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, kontribuar në kërkimin e posaçëm mbi sigurinë e grave gazetare dhe punonjëseve të medias, si dhe mbështetur advokimin dhe dialogun me gazetarët, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Nga gushti 2026, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) është bërë anëtar i plotë i Rrjetit SafeJournalists. Kjo fazë e re, e mbështetur nga European Endoëment for Democracy (EED), e sjell Shqipërinë në të njëjtin model të bazuar te shoqatat e gazetarëve që qëndron në themel të funksionimit të Rrjetit në rajon dhe forcon lidhjen e drejtpërdrejtë institucionale ndërmjet SafeJournalists dhe komunitetit të gazetarëve në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Më tej nënvizohet se ky anëtarësim është një mundësi të rëndësishme që AGSH të zhvillojë më tej rolin e saj, të forcojë kapacitetet për mbështetjen e drejtpërdrejtë të gazetarëve dhe të thellojë lidhjet me shoqatat e gazetarëve në të gjithë rajonin.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Blerjana Bino do të vazhdojë të jetë kërkuesja kombëtare e SafeJournalists për Shqipërinë, duke vijuar hartimin e vlerësimit vjetor për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe kërkimin e Rrjetit mbi sigurinë e grave gazetare dhe punonjëseve të medias.
“Ky tranzicion ndërton mbi punën e zhvilluar gjatë gjashtë viteve të fundit dhe mbi bashkëpunimin e krijuar me AGSH-në që prej themelimit të saj. Anëtarësimi në SafeJournalists përbën një mundësi të rëndësishme që AGSH të zhvillojë më tej rolin e saj, të forcojë kapacitetet për mbështetjen e drejtpërdrejtë të gazetarëve dhe të thellojë lidhjet me shoqatat e gazetarëve në të gjithë rajonin.
Në të njëjtën kohë, tranzicioni garanton vazhdimësinë e punës kërkimore dhe të bazës së evidencës së Rrjetit. Blerjana Bino do të vazhdojë të jetë kërkuesja kombëtare e SafeJournalists për Shqipërinë, duke vijuar hartimin e vlerësimit vjetor për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe kërkimin e Rrjetit mbi sigurinë e grave gazetare dhe punonjëseve të medias. Kjo ruan ekspertizën dhe bazën e evidencës të zhvilluar që prej vitit 2020, ndërsa AGSH merr rolin e anëtarit të plotë të Rrjetit në Shqipëri, me një rol të zgjeruar në monitorim, reagim, advokim dhe angazhim të drejtpërdrejtë me gazetarët.
Kjo fazë e re ndërthur kështu vazhdimësinë e ekspertizës dhe të evidencës me një pronësi më të fortë nga komuniteti i gazetarëve, duke ndërtuar mbi gjashtë vite pune të SafeJournalists në Shqipëri dhe duke krijuar baza më të qëndrueshme për praninë afatgjatë të Rrjetit dhe mbështetjen e gazetarëve në vend”, përfundon njoftimi.




