Për ish zëvendës kryeministren Belinda Balluku duket se telashet nuk kanë të sosur. Përveç dyshimeve për shkelje të barazisë në tendera në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), për korrupsion e pastrim parashë, Ballukut i është shtuar dhe një tjetër vepër penale, ajo e “mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë”.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’, avokati Arbër Hoxha tha se ekziston mundësia që Prokuroria e Posaçme mund të kërkojë pranë Kuvendit e një masë të re sigurimi.
“Ekzistojnë të gjitha kushtet që Prokuroria e Posaçme mund të kërkojë pranë Kuvendit, fillimisht të Komisionit të Mandateve dhe më pas në seancë plenare caktimin e një mase të re sigurimi. Ende nuk kemi një akuzë, por po grumbullohen për të shkuar drejt një akuze, që ashtu siç tha Klodian Braho mund të shkojë deri në 35 vite burgim. Pra Prokuroria e Posaçme është në kushtet për të kërkuar një masë të re, pasi plotësohen të gjitha kushtet, por mbetet për tu parë nga veprimet e mëtejshme”, tha Hoxha.
Sipas avokatit masa e sigurisë mund të jetë ajo ‘arrest në shtëpi’.
“Me të gjitha gjasat Prokuroria e Posaçme do të shkojë drejt një mase të re siç është ajo e arrestit në shtëpi”, shtoi Hoxha.
Në fund të intervistës Hoxha nënvizoi se vepra penale për mosdeklarim pasurie, por ky nuk është rasti i Ballukut, pasi kjo vepër penale lidhet edhe me korrupsionin pasiv dhe pastrim i produktit të veprës penale në rrethana cilësuese,
“Vepra penale për mosdeklarim pasurie dënohet me gjobë ose me burg deri në 3 vite burg. Por kjo vepër penale lidhet edhe me korrupsionin pasiv dhe pastrim i produktit të veprës penale në rrethana cilësuese, prandaj duhen parë hetimet. Unë mendoj se janë kushtet për të kërkuar një masë të re ndaj Ballukut. Hetimet për Ballukun mund të zgjasin edhe për një periudhë 4-6 muaj”, përfundoi ai.
Një ditë më parë Gjykata ka vendosur sekuestrimin e një tjetër vile, në Palasë, “në pronësi faktike” të Belinda Ballukut, por të fshehur edhe këtë herë nën emrin e ish futbollistit të njohur të kombëtares, Igli Tare. Vila, sipas Prokurorisë së Posaçme, është marrë në këmbim të të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese bashkë me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milion eurosh (me TVSH) për lotin 7 të Unazës së madhe të Tiranës.
Më herët SPAK i kishte sekuestruar Ballukut edhe një tjetër vilë, po në bregdetin e jugut, në kompleksin “Ëhite Rock” në Dhërmi, edhe kjo e regjistruar në emër të Tares.




