Këtë të hënë mbahet protesta e 107-të para kryeministrisë, ku kërkohet largimi i qeverisë Rama. Krenar Ahmeti, ish-drejtues i Policisë Rrugore të Tiranës, mbajti një fjalim të fortë. Ahmeti u ndal te sjellja brutale e policisë së shtetit ndaj qytetarëve, në protestën e mbajtur paraditen e sotme në kryeqytet.
“Sot dua të theksoj një moment shumë delikat. Në momentin kur po shoqërohej një person, vjen polici dhe godet në mënyrë brutale. Ky person i keqformuar, hedh poshtë punën. Nëse me syrin tuaj do e kishit parë, kjo është shkelje e të gjitha normave. I bëj thirrje strukturave të policisë, të njihen mirë me procedurat dhe taktikat.
Secili person do bëjë kallëzimin në organet kompetente. Unë e di shumë mirë që juve nuk iu kanë paguar. E di mirë që ju keqtrajtojnë, ju kërkoj sidomos policëve të vjetër që kanë përvojë, të jenë të përmbajtur.
Nuk po kanë forca të menaxhojnë një situatë në bulevard, lërë më të përballen me krimin e organizuar. Ruani qetësinë dhe zbatoni ligjin, frontin nuk do e lëshojmë. Shqisa ime e gjashtë më thotë se jemi afër fitores”, shprehet ai.




