Protestuesit që vijojnë aksionin kundër qeverisë së Edi Ramës kanë mbërritur mbrëmjen e sotme pranë Bllokut të Sigurisë, pas marshimit në rrugët kryesore të Tiranës.
Qytetarët kanë ndaluar para ambienteve ku mbahen personat e ndaluar gjatë protestave të fundit, duke kërkuar lirimin e tyre. Nga turma janë dëgjuar thirrje në mbështetje të protestuesve të arrestuar dhe të ndaluar.
“Nuk jeni vetëm, gjithë Shqipëria është me ju!”, është një prej thirrjeve që është përsëritur nga protestuesit në mbështetje të qytetarëve të ndaluar.
Read more:Bllokuan rrugët e Tiranës gjatë marshimit, nën hetim 20 protestues
Protestuesit kanë vijuar gjithashtu me thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se qëndresa qytetare do të vazhdojë. Marshimi drejt Bllokut të Sigurisë vjen pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë.
Tubimi i sotëm shënon vijimin e protestave të njëpasnjëshme kundër qeverisë, ndërsa në fokus të protestuesve mbetet edhe çështja e personave të arrestuar gjatë përplasjeve të ditëve të fundit.




