
Si ndihen sot ata që dikur thoshin “duhet votuar Gjykata Speciale se ia pastron imazhin UÇK-së dhe Kosovës”?
A po ndihen me imazh të pastruar? A vlen ta rrezikosh historinë e sovranitetin për imazh? Cili vend mik a armik do lejonte kësi gjykimi “për të pastruar imazhin”? Absurde.
Si ndihen ata që thoshin “duhet themeluar Gjykata nga vetë Kosova se përndryshe e themelon OKB-ja me iniciativë të Rusisë”?
Çfarë dënimi më të rëndë do të sillte gjykata e OKB-së? Mandej, edhe po të ndodhte, në OKB vazhdimisht ka debate e ndasi, e aty vazhdimisht do të mund të gjenim aleatë, kurrë Rusia nuk gëzon mbështetjen e shumicës atje.
Dikush po thotë sot “të zhbëhet Gjykata”, por si zhbëhet një Gjykatë tashmë e futur në kushtetutë, kur dihet se kushtetuta kërkon edhe votën e shumicës serbe për t’u ndryshuar (shumica e dyfishtë)?
Pastaj, marrëveshjet ndërkombëtare për funksionimin e Gjykatës dhe njohjes së dënimeve, si do të zhbëhen? Ç’do të bëhet me deklaratat e shteteve sponsorizuese të Kosovës që mbështesin ende Gjykatën?
Është naivitet i nivelit fëminor të thuash “si ka mundësi që vendet të cilat dikur lëvdonin Thaçin, sot mbështesin dënimin e tij”. Vendet udhëhiqen nga interesat, e ato kurrë nuk janë të lidhura me individët që udhëheqin këtu apo atje.
Është pamençuri ofshama “sa paska ndryshuar bota”. Bota ndryshon gjithnjë, dhe miqësitë e aleancat s’janë kurrë të përjetshme.
Është idiotësi të mendosh se nga vështirësitë dilet duke ia mbushur xhepat ndonjë sharlatani që paraqitet si lobist apo mik i presidentit që të siguron foto në Washington. Është keqkuptim të mendosh se lobimi bëhet duke pajtuar agjensi të shtrenjta e duke garuar me Serbinë kush shpenzon më shumë. Lobimi duhet të shihet si projekt i shumëanshëm, që angazhon në radhë të parë diasporën shqiptare në Amerikë e miqtë e saj. Jo vetëm biznesmenët milionerë por edhe studentët, profesorët, inxhinierët, sindikalistët, punëtorët shqiptarë në Amerikë. Po të kish angazhim të gjithmbarshëm, ndryshe do të peshonte Kosova e Shqipëria, sepse njerëzit tanë atje gjithnjë peshojnë më shumë se pagesat që dikush ia jep filan lobistit.
Është hipokrizi kur ndonjë nga media thotë “po dënohen prej thashethemeve”, teksa ende media vazhdon të jetë kryesisht e interesuar për thashetheme e për tjerrjen e tyre që sjell më shumë klikime, komente e shikime se sa e vërteta. Mos vallë realiteti i përditshëm është më monoton se dopamina e përnatshme që dëshirojnë e që sajojnë debatet televizive?
Gjyqi i sotmë është rezultat i një projekti afatgjatë të Serbisë, që synon sfidimin e të vërtetave të Luftës Çlirimtare, dhe relativizimin e tyre përmes krijimit të narrativave mediatike, politike, juridike. Qysh prej 2008 kur u nis në Këshillin e Europës ky projekt, me ndihmën e Rusisë, e mandej kur u avancua në institucione të tjera hap pas hapi, ndonjëherë edhe me ndihmën e shteteve që mund të jenë kundërshtarë të Rusisë. Pra, kanë ndryshuar presidentë e parti qeverisëse në Serbi, kanë ndryshuar qeverisje e ideologji në perëndim e në lindje, megjithatë, për 18 vite ata kanë vazhduar projektin e tyre antishqiptar me durim e dinakëri, gjithnjë duke u vetëviktimizuar, duke fshehur fajtorër e duke provokuar viktimat, ndonjëherë duke marrë edhe goditje e duke bërë hapa pas, por sidoqoftë e për fatin tonë të keq, me këmbëngulje.
A jemi ne aq të pjekur sa të çojmë përpara projekte kaq afatgjata të natyrës kombëtare e gjeopolitike, të punojmë sot pa rrahagjokse për të arritur diçka ndoshta pas 20 vitesh, duke ditur se ndërkohë do ndryshojnë qeveritë tek ne, po do ndryshojnë edhe qeveritë e vendeve partnere, madje edhe vetë vendet partnere? Apo jemi vetëm për projekte që zgjasin aq sa mandati katërvjeçar, apo edhe më keq, për iniciativa që lindin në berihajë e në eufori, e që mbarojnë kur mbaron vëmendja publike?
Read more:Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të fundos
Nga: Arbër Zaimi


