Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, në prag të fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, duke lidhur zhvillimet e fundit në Shqipëri me hetimet që kanë prekur disa prej njerëzve që kanë mbajtur poste të rëndësishme shtetërore.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi deklaroi se Rama rrezikon ta turpërojë Shqipërinë duke u paraqitur në foltoren e Kombeve të Bashkuara në një moment kur vendi është përfshirë nga zhvillime të forta që lidhen me hetimet e SPAK.
Këlliçi parashikoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në Nju Jork, Rama do të përdorë çështjen e Kosovës dhe dënimin e ish-krerëve të UÇK-së për të zhvendosur vëmendjen nga zhvillimet e brendshme politike. Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara shpallën vendimin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, vendim që ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë.
Në përfundim, deputeti demokrat kërkoi dorëheqjen e kryeministrit sapo të kthehet nga Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se zhvillimet e fundit kanë krijuar një krizë që, sipas tij, kërkon zgjidhje politike.
Read more:REL: Aktgjykimi i Hagës përballë historisë së luftës së Kosovës
“E vetmja lëvizje që mund të bëjë ky tradhtar i republikës është të japë dorëheqjen sapo të shkelë në Shqipëri. Ky vend nuk mund ta mbajë më asnjë minutë në krye një njeri kaq të inkriminuar. Kriza është e madhe. Duhet zgjidhje e menjëhershme politike”, përfundoi Këlliçi.
Postimi i plotë:
Edi Rama mund ta turpërojë edhe më shumë Shqipërinë, duke u ngjitur në foltoren e OKB si kreu i një Narkoshteti!
Edi Rama mund ta turpërojë Shqipërinë edhe më shumë nga sa ka bërë deri tani, duke folur përshembull të premten në sallën e OKB, te foltorja ku ngjiten gjithë kryeministrat apo krerët e shtetit të vendeve anëtarëve.
Ai është që tani i vetmi përfaqësues nga gjithë liderët e botës që gjenden në Neë York, që e ka shefin e shërbimit sekret në arrest për favorizim krimi dhe nxjerrje informacioni, që ka bashkëpunëtorët më të ngushtë nën masa dhe akuza për grup të strukturuar kriminal, që ka zëvendësen e tij për shumë vite nën akuzë për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash, që ka gjithë strukturën e sigurisë kombëtare të kompromentuar.
Dhe imagjinoni që ky njeri, do të ngjitet të premten në podiumin e OKB dhe do të flasë patjetër për sigurinë.
Ndryshe nga liderët e tjerë që gjenden në atë asamble, Edi Rama është i vetmi që përfaqëson një organizatë kriminale. Ai nuk përfaqëson asgjë shqiptare, asgjë kombëtare, asnjë qytetar më.
Dhe është turp për Shqipërinë që shefi i Gysit të krimit, i Belës së vilave, i Vlorës së sekreteve të shitura, i Prodës së policëve të implikuar, i Veliajt të 5D, të ngjitet në foltoren më të lartë të botës.
Por Edi Rama nuk ka turp. Derisa nuk ka turp t’i organizojë gjithë këto afera e krime, s’ka si të skuqet kur ato merren vesh.
Si dhe herë të tjera, ai do të luajë këto ditë kartën e patriotizmit e do të derdhë lotët e hipokrizisë për luftëtarët e Kosovës.
Por këto nuk do ta ndihmojnë aspak. Kreditet e tij janë një zero absolute. Dhe e vetmja lëvizje që mund të bëjë ky tradhtar i republikës është të japë dorëheqjen sapo të shkelë në Shqipëri.
Ky vend nuk mund ta mbajë më asnjë minutë në krye një njeri kaq të inkriminuar. Kriza është e madhe. Duhet zgjidhje e menjëhershme politike.




