Akademikë shqiptarë nga diaspora dhe Shqipëria po ndërmarrin hapa më konkretë për të kontribuar në zhvillimin e demokracisë, forcimin e institucioneve dhe avancimin e reformave në vend. Në një deklaratë të përbashkët, akademikë dhe studiues nga fusha të ndryshme kanë identifikuar një sërë problematikash që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe mund të ndikojnë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Ne, akademikë dhe studiues shqiptarë nga diaspora dhe Shqipëria, të bashkuar nga lidhja me vendin tonë dhe nga përgjegjësia që mbart dija, nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë shqetësimeve të thella që po përjeton shoqëria shqiptare. Përtej dallimeve politike, profesionale apo personale, na bashkon një bindje e thjeshtë: Shqipëria meriton institucione që i shërbejnë qytetarit, një shtet ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe një të ardhme ku puna, meritokracia dhe dinjiteti njerëzor kanë vlerë”, thuhet në deklaratë.
Në dokument theksohet gjithashtu rëndësia e protestës qytetare si pjesë e funksionimit të një shoqërie demokratike.
Read more:Qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë, kërkojnë largimin e Ramës: Qeveri e krimit!
“Protesta qytetare është një nga format themelore të shprehjes demokratike. Ajo nuk duhet parë si përplasje mes qytetarëve dhe institucioneve, por si një thirrje për t’u dëgjuar, për t’u reflektuar dhe për të kërkuar përgjegjësi. Kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ngre zërin për problemet që e shqetësojnë, përgjigjja e institucioneve duhet të jetë dëgjimi, transparenca dhe llogaridhënia.”
Akademikët argumentojnë se roli i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në universitete, laboratorë dhe institucione kërkimore, por duhet të përfshijë edhe kontributin në debatin publik dhe në formulimin e zgjidhjeve të mbështetura në evidencë. “Dija mbart edhe një përgjegjësi qytetare: të vëzhgojmë me kujdes realitetin, të dallojmë problemet nga simptomat dhe të propozojmë zgjidhje të mbështetura në fakte, përvojë dhe interesin publik”, thuhet në deklaratë.
Sipas dokumentit, nevoja për përfshirjen e ekspertizës së pavarur në debatin publik bëhet edhe më e rëndësishme përballë treguesve aktualë të demokracisë. Në deklaratë citohet treguesi i demokracisë deliberative, sipas të cilit Shqipëria shënon 0,38 nga 1 dhe renditet në një nga vendet më të ulëta në Ballkan.
“Ky është kontributi ynë i parë: të flasim, të dokumentojmë problemet dhe të kërkojmë zgjidhje, sepse besojmë se një Shqipëri më e drejtë, më demokratike dhe më e zhvilluar nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një përgjegjësi e përbashkët”, theksojnë akademikët.
14 problematikat e evidentuara
Në deklaratë, 45 akademikë nga fusha të ndryshme – përfshirë shkencat politike, biznesin dhe ekonominë, shëndetësinë, teknologjinë, inxhinierinë dhe fusha të tjera, evidentojnë 14 çështje që, sipas tyre, kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje:
Në përfundim të deklaratës, akademikët argumentojnë se Shqipëria “ka nevojë për një model të ri zhvillimi, të mbështetur në institucione gjithëpërfshirëse, sundimin e ligjit, konkurrencën e ndershme, meritokracinë dhe administrimin e përgjegjshëm të burimeve”. Sipas tyre, një transformim i tillë është i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, mirëqenien afatgjatë dhe përmbylljen e tranzicionit të vendit.
Hapi i radhës: konferenca “Shqipëria 2026”
Global Albanian Academics Network (GAAN), rrjeti që qëndron pas nismës, sqaron se publikimi i deklaratës përbën vetëm hapin e parë të punës së tij.
Problematikat e identifikuara pritet të trajtohen më tej përmes punës akademike dhe kërkimore, e cila do të vijojë edhe në konferencën “Shqipëria 2026 – Demokracia, Institucionet dhe Integrimi Evropian në Udhëkryq”, që do të zhvillohet më 24–25 tetor në Tiranë, me mundësi pjesëmarrjeje edhe online.
Konferenca synon të bashkojë ekspertizën e akademikëve dhe studiuesve shqiptarë nga vende dhe fusha të ndryshme, ndërsa një prej rezultateve kryesore të saj do të jetë hartimi i raportit akademik “Shqipëria 2026”.
Deri tani, 78 akademikë dhe studiues janë regjistruar për t’u bërë pjesë e nismës, ndërsa sipas organizatorëve numri vazhdon të rritet.
GAAN e cilëson nismën si gjithëpërfshirëse dhe fton akademikët dhe studiuesit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, t’i bashkohen rrjetit dhe procesit të punës për konferencën dhe raportin “Shqipëria 2026”.
Më shumë informacion mbi deklaratën, konferencën dhe mënyrën e regjistrimit gjendet në faqen zyrtare të Global Albanian Academics Network: gaan-albania.org.
Lista e nënshkruesve:




